Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara , Italia nuk do ta autorizojë Ukrainën të përdorë armët që ajo furnizon në tokën ruse.
Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani rikonfirmoi këtë të hënë në Bruksel qëndrimin e Italisë për armët që i furnizohen Ukrainës.
“Qëndrimi ynë për përdorimin e armëve nga Ukraina nuk ndryshon, ato mund të përdoren vetëm brenda territorit ukrainas”, deklaroi ministri në margjinat e një takimi të krerëve të diplomacisë së BE-së.
Ky përditësim vjen pasi Uashingtoni sapo ka autorizuar Ukrainën të godasë territorin rus me raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara, sipas një zyrtari amerikan, një ndryshim i madh strategjik disa javë para ardhjes në pushtet të Donald Trump.
Këto raketa me një rreze maksimale prej disa qindra kilometrash do t'i lejonin Ukrainës të arrinte në vendet logjistike të ushtrisë ruse dhe fushat ajrore nga të cilat ngrihen bombarduesit e saj.
Nga ana e saj, Franca nuk e ka mbyllur derën: përdorimi i raketave të saj në tokën ruse mbetet një “opsion”, tha Ministri i Punëve të Jashtme Jean-Noël Barrot, pas mbërritjes në Bruksel.
Në mëngjes, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, vlerësoi se nëse vendimi i Uashingtonit konfirmohet, ka të ngjarë të "hedhë benzinë zjarrit " në konfliktin në Ukrainë, i cili ka arritur të shtunën në 1000 ditë.
Ukraina me gjasë do të përdorë raketat e sistemit ATACMS – që kanë rreze veprimi deri në 300 kilometra – tha Reuters.
Sipas New York Times, kjo leje që ukrainasit të përdorin armë me rreze të gjatë veprimi, ATCMS, erdhi si përgjigje ndaj vendimit të Rusisë për të përfshirë në luftë trupat koreanoveriore.
Burimet e kësaj media amerikane thanë se përderisa nuk pritet që ky vendim i administratës së Bidenit të ndryshojë në mënyrë thelbësore rrjedhën e luftës, një nga qëllimet e ndryshimit të politikës, sipas tyre, është që t’u dërgojë një mesazh koreanoveriorëve se ushtarët e tyre janë të cenueshëm dhe nuk duhet të dërgojnë më shumë në Rusi. SHBA-ja, Ukraina, Koreja e Jugut dhe NATO-ja kanë thënë se Koreja e Veriut – e cila ka rritur bashkëpunimin ushtarak me Rusinë – i ka dërguar Rusisë mijëra ushtarë, për ta ndihmuar Moskën në luftën në Ukrainë.
SHBA-ja ka thënë se beson që 10.000 ushtarë koreanoveriorë gjenden në rajonin rus të Kurskut, i cili ndodhet në kufi me Ukrainën.
Armët amerikane me rreze të gjatë veprimi, sipas burimeve të “The New York Times” ka të ngjarë që fillimisht do të përdoren ndaj trupave ruse dhe koreano-veriorëve në Kursk.
Lini një Përgjigje