TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Qershor 2025, 14:45

Revolta e dhunshme kundër Trump, Kalifornia është vetëm fillimi

Shkruar nga Pamfleti

Revolta e dhunshme kundër Trump, Kalifornia është vetëm

Do ishte naive të mendohet, që bastisjet e restoranteve për të rrëmbyer shoferët e autobusëve, ose të Home Depot për të rrëmbyer punonjësit e magazinave, nuk do të shoqërohen me një reagim të ashpër.

Arrestimi dhe dëbimi i miliona emigrantëve të paligjshëm, nuk do të ndodhte kurrë pa protesta. Por presidenti aktual Donald Trump është i vendosur ta bëjë këtë, dhe askush nuk mund të thotë se nuk ua tha votuesve amerikanë gjatë fushatës presidenciale.

Megjithatë ekzistojnë rreziqe serioze për të dyja palët e kësaj përplasjeje, dhe veçanërisht për SHBA-në nëse kundërshtimi shndërrohet në një valë dhune të gjerë, e cila mund të sjellë një kundërpërgjigje ushtarake nga ana e Shtëpisë së Bardhë.

Përleshjet e fundjavës që shkoi në Los Angeles, janë vetëm një shenjë e asaj që mund të ndodhë në të ardhmen. Zyrat e Migracionit dhe Doganave (ICE), kanë organizuar bastisje në të gjithë qytetin në kërkim të emigrantëve të paligjshëm, përfshirë edhe në bizneset ku mendohet se ata janë të punësuar.

Punëtorët, udhëheqësit e sindikatave dhe aktivistët pro-emigrantëve dolën në rrugë për të protestuar. Përleshjet janë përshkallëzuar në disa zona të qytetit, disa oficerë policie u plagosën dhe ICE së bashku me policinë lokale po kryen arrestime, përfshirë një udhëheqës të shquar sindikal për akuzën e ndërhyrjes në punën e oficerëve federalë.

Pastaj presidenti Trump, iu referua një ligji pak të përdorur për të anashkaluar atë që zakonisht kontrollohet në nivel shtetëror, duke dërguar rreth 2.000 trupa nga Garda Kombëtare e Kalifornisë. Ky akt i ka zemëruar demokratët, teksa nga të dyja palët ka pasur akuza për tejkalim të ligjit.

Trump ka arritur në përgjithësi të zgjidhë problemin më emergjent të migracionit në vend, përmes mbylljes së kufirit për emigrantët që shfrytëzojnë kërkesat për azil për të hyrë në SHBA. Kalimet e paligjshme të kufirit, janë pakësuar ndjeshëm 4 muajt e fundit.

Në këtë proces, ICE ka arrestuar edhe anëtarë të rrezikshëm të bandave kriminale, por edhe të tjerë të akuzuar për krime të ndryshme të kryera në SHBA. Për këtë pjesë, presidenti gëzon një mbështetje të madhe nga publiku.

Por Shtëpia e Bardhë, e udhëhequr nga zëvendësshefi i stafit Stephen Miller, dëshiron të dëbojë nga SHBA-ja të gjithë ata që vijnë këtu në mënyrë të paligjshme. Kjo nënkupton miliona njerëz që kanë mbërritur në mënyrë të paligjshme, por që atëherë kanë bërë një jetë produktive dhe në përputhje me ligjet e vendit tonë.

Ata kanë krijuar familje dhe kanë marrë vende pune, që punëdhënësit thonë se e kanë të vështirë t’i plotësojnë: në ndërtim, mikpritje, bujqësi, kujdes shëndetësor etj. Miller dhe zyrtarët e tjer të Trump, duan që t’i dëbojnë të gjithë për t’i dërguar një mesazh: mos u ktheni më kurrë këtu.

Por kontributet e humbura në fuqinë punëtore të SHBA-së do të jenë të mëdha, sidomos pasi as Miller dhe as sindikatat më të mëdha të punëtorëve në vend, nuk do të tolerojnë më shumë migracion të ligjshëm. Ndikimi në tregun e punës, është përmendur tashmë që në raportin e përmuajshëm të Byrosë së Statistikave të Punës.

Ndërkohë, ekziston rreziku i zgjerimit të trazirave përtej Kalifornisë. Do ishte naive të mendohet, që bastisjet e restoranteve për të rrëmbyer shoferët e autobusëve, ose të Home Depot për të rrëmbyer punonjësit e magazinave, nuk do të shoqërohen me një reagim të ashpër.

Aq më tepër kur ICE vepron në mënyrë të ashpër, siç bëjnë ndonjëherë agjentët e saj. Disa në të majtën pro-emigrantëve do të bëjnë të njëjtën gjë, dhe atëherë gjërat përkeqësohen. Rreziqet politike për Donald Trump do të rriten më tej nëse familjet ndahen, emigrantët e ligjshëm dëbohen gabimisht, dhe shtohen rrëfimet mbi vështirësitë.

Megjithatë, Trump mund të thotë me të drejtë se ka një mandat për një dëbim masiv të emigrantëve, si dhe nj֝ëautoritet të gjerë ligjor për ta bërë këtë. Kjo duket se përfshin edhe thirrjen e tij për të anashkaluar Gardën e Kalifornisë dhe vendosur në Los Angeles trupat e Gardës Kombëtare.

Ai përdori një dispozitë në një ligj që përdoret rrallë, për të dërguar Gardën Kombëtare pavarësisht mungesës së ndonjë kërkese të tillë nga kryetarja e Bashkisë së Los Angelesit, Karen Bass, apo guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom.

Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë përmendi “turmat e dhunshme” dhe “pushtimin e  qytetit nga kriminelë të paligjshëm” për të justifikuar vendosjen e Gardës sipas statutit, veprim që mund të kundërshtohet në gjykatë. Shtëpia e Bardhë e ka përdorur këtë autoritet sa herë ka qenë e nevojshme, dhe Trump mezi priste ta bënte këtë.

Ai e di që amerikanëve nuk u pëlqejnë protestat që përfshijnë djegien e gomave, apo bllokime të gjera të trafikut tregtar dhe prishjen e rendit publik. Newsom thotë se nuk kishte nevojë të thirrej Garda Kombëtare, dhe kjo mund të jetë e vërtetë, por kjo do të thotë që rendin duhet ta ruajnë demokratët që drejtojnë qytetet apo shtetet që “strehojnë” emigrantët.

Nëse ata tolerojnë pengimin e veprimtarisë së ICE-së, ata po i japin Trumpit një justifikim për të nxjerrë ushtrinë në rrugë. Kur kongresmenia Maxine Waters thotë se dëshiron që “turmat e protestuesve të rriten vazhdimisht”, ajo është duke e provokuar Trumpin.

Guvernatori i Kalifornisë, ka të drejtë kur thotë se Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth ishte provokues pa asnjë arsye kur shkroi në Twitter se marinsat në Kampin Pendleton janë në gatishmëri për të ndërhyrë nëse do t’u kërkohet. Vendi nuk dëshiron që ushtria të patrullojë rrugët amerikane, përveçse në rrethanat më të rënda.

Por Donald Trump mund të përdorë Aktin e Kryengritjes për të nxjerrë ushtrinë në rrugë, siç bëri George H.W Bush për të shuar trazirat e vitit 1992 në Los Angeles, dhe ne mendojmë se presidenti dhe Miller mezi po e presin këtë mundësi. Kjo është tragjedia e politikës amerikane mbi migracionin në vitin 2025.

Politika de facto e kufijve të hapur e Administratës Biden, krijoi kaos dhe kosto që e kanë ndryshuar për keq debatin mbi migracionin. Siguria kufitare, ishte një nga çështjet më të njohura të Trump në fushatën elektorale të vitit 2024. Kjo do të thotë se ai ka liri veprimi për ta zgjidhur problemin.

Ai mund të shkojë shumë larg, siç bën shpesh, por demokratët duhet ta pranojnë se ia kanë dhënë vetë këtë mundësi politike. Ne do të kërkonim një logjikë të shëndoshë nga të dyja palët, por kjo ndoshta nuk është në horizont./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Wall Street Journal”

Lini një Përgjigje