Udhëheqësi që pretendonte të ishte i përjetshëm, ishte në fakt në fije të perit, si ato statujat e mëdha dhe jashtë kohe.
Fituesja e çmimit Nobel për Paqen 2023, Narges Mohammadi, disidente iraniane e burgosur me dënime që shtohen gjithnjë e më shumë në vend se të konsumohen, i shkroi një letër botës disa kohë më parë, duke na ftuar që të dëgjojmë fërfëllimën e një muri kur nis të plasaritet, dhe kur më në fund aty kalon ajri.
Kjo gjë ndodh sa herë që “stabiliteti” i supozuar i regjimeve, zbulon në fakt dobësinë e tyre strukturore. Dhe ndodh vetëm nëse njerëzit fillojnë që të kenë më pak frikë. Dhe do të ndodhë, na siguron me optimizëm Mohammadi - me gjithë burgimin, vuajtjet për shkak të sëmundjeve të zemrës dhe një sëmundje kanceroze, ndarjen nga fëmijët, që dikur ishin fëmijë, dhe sot janë të rritur - “do të ndodhë që një ditë ai mur të gërryhet dhe në fund të shembet papritur”.
E pamë këtë gjë në Berlin, në nëntorin e një shekulli tjetër, dhe na dukej e pamundur që Lufta e Ftohtë të përfundonte kështu, me një festë. Dhe së fundmi në Siri, të dielën e 8 dhjetorit. Në 11 ditë e pak orë u bë shkërmoq, me të shtënat e kallashnikovit që zëvendësuan fishekzjarrët, sundimi i egër i Assadëve.
Morën fund 54 vjet asfiksi dhe gjakderdhje, nga babai Hafëz tek djali Bashar. Ne pamë rebelët që të mësynin pandalshëm drejt Damaskut. Kryeqyteti ra pa asnjë rezistencë, me ushtarët që grisin uniformat dhe dorëzonin armët.
Korrespondentëve të parë të gazetave të huaja, përfshirë Andrea Nicastro të Corriere-s, një grua e re iu tha se kishte frikë se mos ishte duke ecur nëpër gjumë: “Ndoshta jam duke fjetur, dhe kjo është ëndrra ime e fundit!”.
Shumë nga sirianët që kënduan dhe kërcyen në rrugë të lehtësuar, duke thithur ajër të ri, e dinë se asgjë nuk merret si e mirëqenë. Se ato mund të jenë edhe dritat që i paraprijnë një errësire tjetër, gati për të rënë mbi një vend të ndarë në zona të kontrolluara nga grupet rivale, me aleatë dhe kundërshtarë.
Por, siç shkruante analistja Nathalie Toçi në La Stampa, rënia e Bashar Assad ka vënë në pikëpyetje “realizmin jo realist” të politikës së jashtme italiane, e cila priret që ta shohë autoritarizmin si “një stabilitet të fortë si graniti”.
Dominon gjithmonë ajo ideja, e re por njëherazi edhe e vjetër, se diktaturat, autokracitë, demokracitë janë më të përshtatshme për të qeverisur në kohë krizës, janë më të afta... Por më të afta për çfarë? Ato mbjellin dhe kultivojnë kaos, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Ne gabojmë kur e ngatërrojnë jetëgjatësinë relative të qeverive jo liberale, seksiste dhe luftënxitëse me një regjim efektiv. Është gabimi ynë, të cilin e përsërisim në çdo hap, teksa shqyrtojmë dobësitë e demokracive liberale, të ekspozuara me të drejtë ndaj debateve në parlamentet kombëtare dhe media.
Përkundrazi, ne duhet ta ripranojmë se dhuna - forca e një shteti e ushtruar brutalisht - nuk përputhet asnjëherë me fuqinë reale. Për këtë arsye, edhe sistemi më despotik do të shembet një ditë. Ky është leksioni kryesor që na jap filozofia Hannah Arendt në librin e vitit 1969 “Mbi dhunën”.
Faktori njerëzor ngrihet në këmbë dhe shkatërron. Ai nuk mund të shpërfillet. Brenda pak orësh, populli i Damaskut zbuloi vendet e tij të errëta: katet e nëndheshme të burgjeve, ku fëmijët mbylleshin bashkë me nënat e tyre, por edhe garazhin e pallatit presidencial në kodër, i mbushur me 100 makina luksoze për përdorim familjar.
Arratisja e Assadit me gruan dhe fëmijët e tij – pasi shkaktoi 500 mijë të vdekur, 112 mijë të zhdukur dhe miliona të zhvendosur - e ka ringjallur shpresën se procesi i vështirë i shkaktuar nga Pranvera Arabe në vitin 2011, do të rifillojë rrugën e tij.
Udhëheqësi që pretendonte të ishte i përjetshëm, ishte në fakt në fije të perit, si ato statujat e mëdha dhe jashtë kohe. Është e vërtetë që rënia e Damaskut, mund të nxiste një idealizëm po aq jo realist. Ne pyesim veten mbi skenarët, shpresojmë, dhe në të njëjtën kohë kemi frikë, se nga tirania e një klani (Assadët) të mbyllur brenda kufijve të një pakice (alevite), Siria do të kalojë tashmë në hegjemoninë radikale të një shumice sunite selefiste.
Udhëheqësi i tij (Ahmed Al-Sharaa, deri dje thjesht “Al Jolani”) është distancuar me shpejtësi nga organizatat xhihadiste (Al Kaeda, Al Nusra, përkohësisht edhe ISIS) në një militantizëm nacionalist, pragmatik, që sot premton liri fetare dhe nuk kërcënon me organizimin e sulmeve terroriste përtej kufirit.
Pasiguria rëndon shumë mbi fatin e grave në veçanti. Shumë analistë e shohin skenarin e një tjetër Aparteidi, këtë herë gjinor, që po i afrohet Sirisë. Ne i kemi braktisur tashmë gratë afgane, të cilat u hoqën nga rendi i ditës që në negociatat e para të rifilluara me talebanët.
Le të përpiqemi sërish - nga Damasku në Kabul dhe Teheran - tani që në rrezik janë balancat e ardhshme në rajon. Le të angazhohemi për të rivendosur të drejtat e njeriut në axhendat ndërkombëtare. /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere della Sera”
Lini një Përgjigje