Shefi i Politikës së Jashtme në Bashkimin Europian, Josep Borrell thotë se tentativa për grusht shteti përgjatë fundjavës nga grupi Wagner, tregon përçarje të fuqisë ushtarake ruse.
“Sistemi politik po tregon dobësi dhe fuqia ushtarake po përçahet”, tha ai për gazetarët përpara takimin të Ministrave të Jashtëm të BE.
“Mostra që Putin krijoi me Wagner, tani po e kafshon. Mostra po i kthehet krijuesit”, tha Borell për shefin e Wagner, Yevgeny Prigozhin.
Zyrtari i lartë europian shtoi se “nuk është diçka e mirë” të shohësh një fuqi bërthamore si Rusia që të futet në një fazë të destabilitetit politik.
Shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, e ndërpreu rebelimin kundër regjimit pas një marrëveshjeje që ndërmjetësoi udhëheqësi bjellorus. Kjo i uli shqetësimet e menjëhershme për një konflikt të madh brenda Rusisë, por sinjalizoi se pushteti i presidentit rus, Vladimir Putin, po dobësohet.
Imazhet e tankeve në rrugët e qyteteve ruse sollën në mendje grushtshtetin e dështuar të vitit 1991 nga linjat e ashpra komuniste, që rriti shqetësimet për sigurinë e arsenalit bërthamor sovjetik, thonë ish-zyrtarë të inteligjencës amerikane.
“Komuniteti i inteligjencës do të jetë super i fokusuar në rezervat bërthamore [ruse]”, thotë Marc Polymeropoulos, ish-oficer i lartë i CIA-s, që ka mbikëqyrur operacione klandestine të agjencisë në Evropë dhe Euroazi.
“Ju dëshironi të dini se kush e ka kontrollin e armëve bërthamore, sepse jeni të shqetësuar se terroristë ose njerëz të këqij si [udhëheqësi çeçen, Ramzan] Kadyrov mund të vijnë më pas”, thotë Daniel Hoffman, ish-oficer i lartë i CIA-s, i cili ka shërbyer si shef i stacionit të agjencisë në Moskë.
Lini një Përgjigje