TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Shkurt 2026, 18:02

Reagon Izraeli: Çdo armik që na kërcënon do të paguajë çmim të lartë

Shkruar nga Pamfleti
Reagon Izraeli: Çdo armik që na kërcënon do të
Eyal Zamir

Çdo armik që kërcënon sigurinë e Shtetit të Izraelit “do të paguajë një çmim të lartë”. Kështu deklaroi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, gjeneral-lejtnant Eyal Zamir, në një mesazh drejtuar qytetarëve pas nisjes së operacionit “Rrugëtimi i Luanit” kundër Iranit, të realizuar – sipas tij – në një “bashkëpunim të paprecedentë” me ushtrinë amerikane.

“Jemi të përgatitur me gatishmëri të lartë operative, në mbrojtje dhe në sulm. Po përballemi me një fushatë të rëndësishme dhe të paprecedentë për të shkatërruar kapacitetet e regjimit terrorist iranian, i cili përbën një kërcënim të vazhdueshëm ekzistencial për sigurinë e Shtetit të Izraelit. Kjo është një fushatë që do të garantojë ekzistencën dhe të ardhmen tonë këtu”, u shpreh Zamir, duke shtuar se janë goditur “objektiva strategjikë”.

Duke iu referuar sulmit të muajit qershor, Zamir deklaroi se në atë rast ushtria izraelite “përmbysi projektin bërthamor” iranian dhe dëmtoi arsenalin e raketave balistike, duke minuar – sipas tij – planin që regjimi iranian kishte zhvilluar me partnerët rajonalë kundër Izraelit.

Sipas shefit të Shtabit, Republika Islamike mbetet “e cenueshme”, por pavarësisht dëmeve të pësuara, ai theksoi se autoritetet iraniane nuk kanë hequr dorë nga synimet e tyre. Zamir akuzoi Teheranin se vazhdon programin bërthamor, përshpejton prodhimin e raketave balistike dhe mbështet grupe të armatosura në rajon, duke cenuar stabilitetin rajonal.

Deklaratat pasqyrojnë qëndrimin zyrtar të ushtrisë izraelite në lidhje me zhvillimet e fundit ushtarake.

eyal zamir izrael iran

Lini një Përgjigje