
Sipas ligjit, një qeveri e re serbe duhet të formohet deri në mesnatën e 18 prillit, përndryshe Presidenti i Republikës do të ketë për detyrë të shpërndajë parlamentin dhe të shpallë zgjedhjet parlamentare, tha të mërkurën kryetarja e parlamentit Ana Brnabiç.
Në një konferencë për shtyp pasi parlamenti mori parasysh dorëheqjen e kryeministrit Milos Vuçeviç, Brnabiç tha se mandati i qeverisë kishte përfunduar zyrtarisht.
"Në bazë të nenit 132 të Kushtetutës, Parlamenti serb mori parasysh dorëheqjen e kryeministrit, me ç'rast zyrtarisht pushoi mandati i qeverisë së Millosh Vuçeviçit. Afati kohor për formimin e qeverisë së re fillon nesër, më 20 mars", tha Brnabiç.
Sipas Kushtetutës, presidenti Aleksandar Vuçiç është ai që duhet të nisë procedurat e mëtejshme dhe të paraqesë një kandidat të ri për kryeministër, tha ajo.
"Afati i fundit për formimin e qeverisë së re është mesnata e 18 prillit. Vuçiç duhet të paraqesë një kryeministër të emëruar dhe i emëruari për kryeministër duhet të paraqesë programin e qeverisë së re dhe anëtarët në parlament, pas së cilës deputetët do të votojnë për këtë", tha Brnabiç.
Në rast se qeveria e re nuk zgjidhet deri në afatin e 18 prillit, presidenti ka për detyrë të shpërndajë parlamentin dhe të shpallë zgjedhjet, të cilat në këtë rast do të mbahen në fillim të qershorit, shtoi ajo.
Lini një Përgjigje