Rusët po përgatiten për një krizë të përhershme
Në Rusi është gjithçka gati për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale më të rëndësishme në aspektin politik në historinë e dekadave të fundit. Rezultati i tyre është i paracaktuar, dhe vdekja e parakohshme e Alekseij Navalny do të prodhojë më shumë kaos në rrugë sesa në kabinat e votimit.
Dhe fakti që Vladimir Putin do të garojë de fakto me veten, nuk e zbeh aspak rëndësinë e tyre. Sepse midis 15 dhe 17 marsit, elektorati rus do të vazhdojë të çimentojë dhe përjetësojë mandatin e Putinit në krye të vendit. Duke qenë i vetëdijshëm se alternativa ndaj ish-njeriut të KGB-së të ishte një tjetër Yelstin, një Gorbachev i ri, apo një rikthim në vitet e errëta të luftës civile dhe separatizmit të dhunshëm.
Duke ditur se çmimi që duhet paguar për një siguri të tillë, të theksuar disa herë nga Putin në fjalimin e tij të fundit mbi gjendjen e kombit, është dhe do të jetë një mobilizim i madh patriotik nën nxitjen e kujtesës së Luftës së Ftohtë.
Rikthim tek Lufta e Ftohtë
Fjalimi i 19-të vjetor i Vladimir Putinit e arriti efektin e dëshiruar: alarm në Perëndim, mobilizim në Rusi. Në Perëndim deklaratat e tij pushtuan tituj kryesorë të mediave, sidomos për shkak të referencave mbi perspektivën e luftës bërthamore. Në Rusia u transmetua drejtpërdrejt në televizion dhe madje edhe në disa kinema.
Putin falënderoi, bëri thirrje për mobilizim dhe i përgatiti ata psikologjikisht. Ai falënderoi rusët që mbështetën luftën në Ukrainë, industritë që i rezistuan presionit të sanksioneve, miliarderët që dhuruan shumë nga paratë e tyre për ekonominë kombëtare dhe familjet e të rënëve.
Dhe e paralajmëroi popullin e tij: siguria që gëzon sot Rusia, pa sulme terroriste dhe e shëndetshme ekonomikisht, nuk vjen falas. Ajo ka një çmim për të paguar: sakrifica në emër të interesit kombëtar. Dhe ka një kundërshtar për të mposhtur: Perëndimin. Pra është rikthyer Lufta e Ftohtë dhe nëse rusët nuk duan të rijetojnë një tjetër kaos si ai viteve 1989-1991, këtë herë duhet të marrin pjesë aktive në luftime: disa në industri, të tjerët në llogore.
Përgatitja e rusëve për një krizë të përhershme
“Perëndimi jo vetëm që po përpiqet të na pengojë të përparojmë, por edhe po imagjinon ta kthejë Rusinë në një hapësirë që është në grahmat e fundit dhe që po merr fund”. Përmes këtyre fjalëve Putin zbuloi edhe objektivin e tij për të nxitur një tubim rreth tij të shumicës së rusëve në prag të zgjedhjeve të afërta presidenciale por edhe në funksion të viteve të krizës (së përhershme) që do të pasojë.
Vendet perëndimore, theksoi Putin “duan të përsërisin në Rusi atë që kanë bërë në shumë vende të tjera, përfshirë Ukrainën: të nxisin mosmarrëveshje dhe të na dobësojnë nga brenda”. Por ata i kanë bërë hesapet gabim, sepse vendosmëria e popullit multi-etnik të Rusisë e ka kaluar provën e zjarrit.
“Batalionet e larmishme, me të krishterë, islamikë dhe budistë, kanë luftuar krah për krah në Ukrainë për vlerat e përbashkëta: familja tradicionale, besimi fetar, bashkimi kombëtar”- shtoi më tej Putin. Një mesazh ky shumë i qartë drejtuar periferive të Federatës Ruse, që historikisht janë indiferente ndaj qeverisë qendrore dhe më të cenueshme ndaj shfrytëzimit nga palët e treta, nga të cilat Putini e di se varet integriteti territorial i vendit.
Rusia është gati të përballet me ujërat e trazuara të konkurrencës së fuqive të mëdha. Putin e theksoi këtë shumë qartë këtë në fjalimin e tij, duke e vënë theksin tek risitë më të fundit në arsenalin rus, si raketat e reja hipersonike Ch-47M2 Kinžal dhe Zircon, dhe duke njoftuar se janë në zhvillim e sipër sistemet e reja.
Por në dallim nga e kaluara, ku Putin është njëkohësisht bir, produkt dhe dëshmitar, Moska nuk do të bjerë në gabimin e përfshirjes në një “garë të re armatimi” që solli dikur rënien e Bashkimit Sovjetik. Paratë do të shpenzohen “me maturi”, në mënyrë të tillë që të “maksimizohet përftimi ekonomik nga çdo rubël e investuar”.
Lexim midis rreshtave
Fjalimi vjetor i Vladimir Putinit mbi gjendjen e kombit, e monopolizoi vëmendjen e shtypit dhe politikanëve perëndimorë për arsyet e gabuara: referencën mbi perspektivën e luftës bërthamore. Një propagandë e dobishme për të joshur segmentet më radikale të elektoratit patriotik, dhe për të prishur qetësinë e rivalëve perëndimorë, siç edhe po ndodh në fakt.
Armë e shpërqendrimit masiv.
Pasazhet më të rëndësishme të ‘predikimit’ të gjatë të Putinit ishin të tjera. Ndër të tjera, një ndër to është ajo në të cilën presidenti rus shpreson për krijimin e “një rrjeti të ri sigurie në Euroazi në të ardhmen e afërt”, duke treguar gatishmërinë e tij për të “diskutuar mbi këtë temë me të gjitha vendet dhe organizata që mund të jenë të interesuara”. Me fjalë të tjera, një aleancë ushtarake që do t’i kundërvihet NATO-s.
Po ashtu kreu i Kremlinit e bëri të qartë se ka mbaruar epoka e një Rusie që kërkon një partneritet me çdo kusht me Perëndimin. Sot dhe aq më tepër nesër, Moska do të fokusohet në forcimin e bashkëpunimit me lojtarët kryesorë në Amerikën e Jugut, Afrikë, vendet arabe dhe Azi. Objektivi: të bëhet si dikur, guri i peshores në betejën midis Perëndimit dhe pjesës tjetër të botës./Përshtati Pamfleti nga “Il Giornale”
Lini një Përgjigje