
Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se grupi "Wagner" nuk ekziston më.
Në një intervistë të dhënë se fundmi ai ka konfirmuar për herë të parë se është takuar me themeluesin e milicisë së mercenarëve, Yevgeny Prigozhin, pak ditë pas kryengritjes së qershorit.
“Le ta themi, “Wagner” nuk ekziston më”, ka deklaruar Putin, duke iu përgjigjur pyetjes nëse grupi do të vazhdojë të mbetet një njësi luftarake.
“Nuk kemi një ligj për organizatat ushtarake private. Ndaj, ajo nuk ekziston. Grupi është, por në aspektin ligjor jo”, ka sqaruar më tej Putin.
Kreu i Kremlinit ka theksuar se “çështja e vështirë” e legalizimit të luftëtarëve të “Wagner” duhet të diskutohet në Parlament.
Më tej, ai ka pranuar se është takuar me Prigozhin dhe komandantë të tjerë të grupit paraushtarak më 29 qershor në Moskë, pak ditë pas kryengritjes.
Ndërkohë, një zëdhënës i Pentagonit ka deklaruar po ashtu se, aktualisht “Wagner” nuk po luan një rol të rëndësishëm në operacionet luftarake në Ukrainë.
Në një komunikim për mediat, zëdhënësi Pat Ryder tha se në këtë fazë, Shtetet e Bashkuara nuk po konstatojnë prova të përfshirjes së mercenarëve në luiftime.
Në bazë të marrëveshjes që i dha fund rebelimit të 23 dhe 24 qershorit, mercenarëve iu tha se mund të bashkoheshin me ushtrinë zyrtare ruse, ose të shkonin në Bjellorusi me shefin e tyre, Prigozhin.
Lini një Përgjigje