TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Maj 2024, 19:24

Publiku sheh dy Donald Trump, por cili është i vërteti?

Shkruar nga Simon Kuper
Publiku sheh dy Donald Trump, por cili është i vërteti?
Donald Trump /

Janë dy Donald Trump. Ne liberalët shohim një ish-president narcisist injorant, sadist, imoral, fanatik, autoritar, siç zbulohet shpeshherë nga vetë fjalët që nxjerr nga goja. Por ka një Trump tjetër, i cili është i padukshëm për liberalët: një Trump konservator dhe shumë i ndjeshëm.

Ky është Trump i përshkruar nga njerëz që janë vetë të tillë. Ata mendojnë që ne liberalët duhet të lëmë mënjanë atë që thotë Trump dhe të përqendrohemi tek ajo që ai bën. Disa konservatorë të ndjeshëm janë lexues të Financial Times, dhe kanë parashtruar këtë argument në disa e-maile që bartin shumë reflektim.

Unë do të parashtroj tezën e tyre, ashtu siç e kuptoj. Konservatorët e pranojnë arsyen pse shumë njerëz nuk e pëlqejnë Trumpin. Edhe ata vetë do të donin që ai të fliste dhe të postonte më pak. Ata shpjegojnë se ai thotë gjëra ekstreme për të tërhequr mbështetës përtej bazës konservatore.

Ai thjesht po bën marketing, më tha një sipërmarrës. Konservatorët e ndjeshëm përshkruajnë një Trump të zgjuar, fjalët vulgare të të cilit maskojnë politika efektive. Për shembull, marrim presionin e tij të fortë ndaj shteteve evropiane për të financuar vetë mbrojtjen e tyre.

Ne liberalët jemi të fiksuar pas kërcënimit të tij brutal se do të “inkurajojë Rusinë të bëjë çfarëdo të dojë” ndaj evropianëve të përkëdhelur. Por konservatorët e arsyeshëm shpjegojnë se ai është presidenti i parë i SHBA-së që po e arrin qëllimin e kahershëm të Amerikës për t’i bindur evropianët të rrisin shpenzimet e tyre në mbrojtje.

Vetë Liberalët do të argumentonin se Vladimir Putin bëri më shumë për ta arritur këtë, duke pushtuar Ukrainën. Ndërkohë konservatorët shtojnë se Trump ishte mjaftueshëm i ashpër ndaj Putinit. Se ai ishte i vetmi president amerikan i kohëve të fundit që nuk përjetoi një pushtim rus.

Ata citojnë gabim Theodore Roosevelt, duke thënë se Trump flet me zë të lartë dhe mban një shkop të madh. Po ashtu argumentojnë se si president, Trump veproi si një konservator i ndjeshëm. Ai uli taksat për “krijuesit e pasurisë”. Goditi fenomenin e emigracionit të paligjshëm.

Trump, thonë ata, mbajti të ulët inflacionin, ndërsa Joe Biden e shtoi rritjen globale të çmimeve 2021-22 me stimulin e tij fiskal pas pandemisë së Covid-19. Tani Biden, duke kopjuar qasjen e Tump, po bën thirrje për tarifa të reja për çelikun dhe aluminin kinez.

Sigurisht, konservatorët e ndjeshëm do të ngrenë supet, kur u thuhet se familja Trump u pasurua shumë nga presidenca e Donald. Po kështu bënë edhe familjet Clinton dhe Obama, edhe nëse liberalët do të argumentojnë se kjo ndodhin vetëm pasi u larguan nga detyra.

Nga ana tjetër konservatorët e kundërshtojnë sjelljen e keqe të Trump gjatë sulmit të një turme mbështetësish ndaj Capitol Hill më 6 janar 2021. Por ata i kuptojnë shqetësimet e tij për manipulimin e mundshëm të votave.

Tek e fundit, fletët e votimit me postë që ai kundërshton janë të ndaluara në shumicën e demokracive evropiane. Pra, konservatorët paraqesin me shumë justifikime për sjelljen e Trump sesa paraqit vetë ky i fundit. Ata theksojnë me të drejtë, se elitat liberale i shohin me përçmim votuesit e Trump.

Atëherë, cili është Trumpi i vërtetë: një narcizist i rrezikshëm apo një konservator i ndjeshëm? Unë them se përgjigja për këtë vjen nga i vetmi grup i konservatorëve amerikanë që janë më pak të prirur ta pëlqejnë Trump: ata që punuan për të. Shumë prej tyre mbështesin tani pikëpamjen e liberalëve për të.

Vetëm 4 nga dhjetëra ish-anëtarët e kabinetit të Trump-it e mbështetën publikisht rizgjedhjen e tij, raportoi NBC News verën e vitit kaluar. Madje disa ish ndihmës janë rreshtuar hapur kundër tij. Një artikull i fundit nga Associated Press, përmendi disa zëra paralajmërues: Trump është një “kërcënim për demokracinë”, tha ish-sekretari i mbrojtjes Mark Esper.

Ai është “i papërshtatshëm për të qenë president”, u shpreh ish-këshilltari i sigurisë kombëtare John Bolton. Trump “i admiron autokratët dhe diktatorët vrasës”, tha ish-shefi i stafit John Kelly. Rizgjedhja e Trump “mund të nënkuptojë fundin e demokracisë amerikane siç e njohim ne”, mendon ish-drejtoresha e komunikimit e Shtëpisë së Bardhë, Alyssa Farah Griffin.

Këta njerëz janë konservatorë. Interesi i tyre vetjak do të donte që ata të lavdëronin presidentit e mundshëm në të ardhmen por edhe të ndiheshin krenarë që patën punuar

për të. Por në vend të kësaj, ata po përballen me përjashtimin nga partia. Cassidy Hutchinson, një punonjëse në Shtëpinë e Bardhë gjatë presidencës Trump, e kthyer në një demaskuese të skandaleve të ish-presidentit thotë: “Nuk është e lehtë . . . ka shumë pasoja që duhet t'i përballosh kur të shkëputesh nga rrethi i Trump”.

Konservatorët e tjerë që e njohin Trump, e mbajnë private përbuzjen e tyre. Mitt Romney përshkroi pak kohë më parë për një dhomë plot me senatorë republikanë, të cilët e përshëndetën Trumpin me ovacione, e dëgjuan me respekt dhe më pas “shpërthyen në të qeshura” në momentin që ai u largua.

Po ashtu, ekziston një mori zyrtarësh anonimë që tregojnë histori të tmerrshme mbi presidencën e tij. Ndërkohë, është e vështirë të gjesh ndonjë demokrat që ka punuar për Biden që të thotë se ky i fundit nuk është i përshtatshëm për të qenë president.

Kundërpërgjigja e ashpër është se kritikët konservatorë të Trump janë “republikanë vetëm sa për emër”. Por ky sulm sugjeron se në Partinë e tij Republikane nuk ka vend për konservatorë të ndjeshëm. Disa njerëz të arsyeshëm mund të kenë shpikur një Donald Trump sipas imazhit të tyre./Përshtati Pamfleti nga “Financial Times”

donald trump publiku

Lini një Përgjigje