
Republika Srpska dhe përfshirja disi më e fshehtë e Serbisë në ndikimin e peizazhit politik në Bosnje-Hercegovinë, e bën situatën akoma më komplekse.
Të dielën në Bosnje-Hercegovine mbahen zgjedhjet e teta lokale që nga viti 1992. Në të njëjtën kohë, ky vend e gjen veten në një moment shumë kritik. Këto zgjedhje, duken larg të qenit një ushtrim rutinë i demokracisë. Ato zbulojnë problemet më të thella sistematike, të cilat e kanë pllakosur federatën që nga fundi i Luftës së Bosnjës.
Presioni është i lartë nga të dyja palët, elektorati dhe politikanët. A do të kenë mundësi qytetarët e Bosnje-Hercegovinës që të dëgjohen në zgjedhje, apo zgjedhjet do të jenë sërish sa për sy e faqe? A do të gjejnë politikanët forcën të shkëputen nga retorika e ekskluzivitetit etnik, për t’u përqëndruar në transformimin kuptimplotë të Bosnje-Hercegovinës, me synim garantimin e zhvillimit në rajon dhe gjeopolitikën aktuale tejet të paqëndrueshme.
Aktualisht procesi demokratik, duket gjithnjë e më shumë i kompromentuar dhe potenciali për ndryshime domethënëse, mbetet ende një iluzion. Me 110 parti politike dhe mbi 25.700 kandidatë që garojnë për poste në 143 komunitete lokale, shkalla e lartë e pjesëmarrjes është në dukje shenjë e një demokracie të gjallë.
Megjithatë, kjo fasadë maskon një realitet shumë shqetësues. Numri i votuesve të regjistruar, 3.4 milionë, e tejkalon popullsinë aktuale, duke hedhur dyshime mbi integritetin e listave zgjedhore dhe duke ngritur dyshime mbi manipulimin e votave. Prania e vëzhguesve ndërkombëtarë nga OSBE-ODIHR, edhe pse e nevojshme, nxjerr në pah shqetësimet e mëdha mbi potencialin e manipulimit të procesit.
Përfaqësuesi i Lartë Ndërkombëtar, Christian Schmidt, është përpjekur të forcojë procesin zgjedhor nëpërmjet amendamenteve në Ligjin Zgjedhor, sidomos duke ndaluar me ligj garimin e njerëzve të dënuar për krime lufte. Por këto ndryshime janë të pamjaftueshme. Dënimet e lehta ndaj shkelësve të ligjit, dhe përdorimi i skanimit të fletëve të votimit në vetëm 10 për qind të qendrave të votimit, e lë procesin të rrezikuar ndaj manipulimit. Në një vend ku demokracia është ende në fazat e saj të formimit, dobësi të tilla e dëmtojnë rëndë besimin e publikut dhe legjitimitetin e rezultatit zgjedhor.
Për të kuptuar brishtësinë e demokracisë boshnjake, duhet të kthehemi pas në kohë për të analizuar Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995. Prej saj u krijuan dy entitete: Federata e Bosnje-Hercegovinës, e populluar kryesisht nga kroatë katolikë dhe boshnjakë myslimanë, dhe Republika Srpska, e populluar kryesisht nga serbë ortodoksë.
Edhe pse pati sukses në dhënien fund të Luftës së Bosnjës, ajo marrëveshje krijoi një strukturë politike komplekse, e cila institucionalizoi ndarjet etnike dhe nguliti në krye një elitë politike të përqendruar më shumë tek ruajtja e pushtetit sesa qeverisja.
Përgjatë viteve, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Bashkimin Evropian dhe NATO-n, ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit. Megjithatë, përfshirja e tyre ka krijuar edhe një varësi, e cila e ka penguar zhvillimin e një kulture demokratike autonome.
Zgjedhjet lokale të së dielës duhet të shihen në këtë kontekst të gjerë. Ato nuk kanë të bëjnë vetëm me zgjedhjen e liderëve lokalë, por me testimin e qëndrueshmërisë së institucioneve demokratike të Bosnje-Hercegovinës. Përfshirja e hapur e aktorëve të tillë si Kroacia, sfida e Republika Srpska dhe përfshirja disi më e fshehtë e Serbisë në ndikimin e peizazhit politik në Bosnje-Hercegovinë, e bën situatën akoma më komplekse.
Sfida e Republikës Srpska është e rrezikshme, pasi ajo është një entitet me një strukturë të unifikuar qeveritare që punon vetëm për interesat e serbëve të Bosnjës. Burimi kryesor i kundërshtimit vjen nga perceptimet se Federata Boshnjake, përbën një pengesë për zhvillimin e Republikës Srpska.
Prandaj, presidenti i kësaj të fundit, Milorad Dodik, është zotuar që ta tërheqë Republikën Srpska nga institucionet qëndrore të Bosnje-Hercegovinës. Sjellja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është shembulli më tipik i mosfunksionimit të demokracisë në këtë vend.
Irena Haxhiabdic, së cilës i ka skaduar mandati si anëtare e KQZ, vazhdon të mbikëqyrë procesin zgjedhor, duke ngritur pikëpyetje serioze për legjitimitetin e komisionit. Është jo pak shqetësues propozimi i saj për të përfshirë ushtrinë në shpërndarjen e materialeve zgjedhore.
Kjo lëvizje, e cila përputhet me strategjitë politike të figurave si Dodik, kërcënon ta militarizojë procesin zgjedhor, duke shkatërruar institucionet demokratike tashmë të brishta.
Dodik është president i Republikës Srpska që nga viti 2022. Ai ka shërbyer në këtë post në vitet 2010-2018, përpara se të ishte anëtar i presidencës kolektive të Bosnje-Hercegovinës në vitet 2018-2022. Së fundmi, ai është perceptuar si aleat i Rusisë.
Rusët kanë ndihmuar në armatosjen e forcave policore të Republika Srpska, ndërsa mercenarët rusë kanë trajnuar anëtarë të grupimeve paraushtarake serbe të Bosnjës. Përfshirja e ushtrisë në një proces zgjedhor, jo vetëm që e diskrediton një institucion shtetëror të rëndësishëm, por edhe rrit rrezikun e manipulimit të zgjedhjeve.
Kjo strategji synon shtyrjen e zgjedhjeve lokale apo për t’i bashkuar ato me zgjedhjet parlamentare të vitit 2026, duke e zgjatur kësisoj mandatin e zyrtarëve aktualë vendorë. Elita politike në Bosnje-Hercegovinë, e mbrojtur nga një farë legjitimiteti demokratik, vazhdon të veprojë brenda një realiteti ndërsubjektiv, që është gjithnjë e më i shkëputur nga parimet e qeverisjes demokratike.
Zgjedhjet lokale në zona kyçe si Sarajeva, Banja Luka, Mostari dhe Distrikti Brcko, mund të bëhen fushëbeteja për kontrollin e pushtetit. Por tabloja më e madhe, zbulon një popullatë që është bërë gjithnjë e më apatike ndaj politikës. Pavarësisht mosbesimit të gjerë të partive politike dhe politikanëve, perceptimi është se të njëjtat entitete mbeten mjetet kryesore për avancimin personal në Bosnje-Hercegovinë.
Mendimi i përgjithshëm është: “Pse duhet të votoj kur asgjë nuk do të ndryshojë?”. Apatia e votuesve, e nxitur nga mungesa e angazhimit kritik dhe perceptimi se procesi politik është i manipuluar, e dëmton më tej potencialin për ndryshime domethënëse.
Ndërsa Bosnje-Hercegovina shkon në zgjedhjet e të dielës, rezultatet mund të vendosin tonin për të ardhmen politike të vendit. Tre janë skenarët e mundshëm. Më i mundshmi është ruajtja e ngërçit aktual. Zgjedhjet do të sjellin ndryshime minimale, duke e lejuar elitën aktuale politike që ta ruajë dominimin e saj.
Ky skenar ka të ngjarë të çojë në ngërç të vazhdueshëm politik, dhe në një hendek në rritje midis qeverisë dhe të qeverisurve. Skenari më pak i mundshëm, është ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe kryerja e reformave të mëdha: në sfondin e skepticizmit të përhapur, votuesit mobilizohen për të sfiduar status quo-në.
Ndërkohë skenari më i rrezikshëm, është një krizë dhe kaos zgjedhor: Raportet për manipulime të shumta, mund të nxisin protesta dhe destabilitet politik. Përfshirja e forcave të armatosura në një proces zgjedhor i thellon tensionet, duke shkaktuar një krizë të zgjatur që mund të vonojë apo të deformojë zgjedhjet e ardhshme.
Ky skenar, mund ta zhysë vendin në një krizë më të thellë politike dhe institucionale. Nuk përjashtohet edhe përhapja e mundshme e tij në rajon. Zgjedhjet e të dielës, janë më shumë se sa një ushtrim rutinë i demokracisë; ato janë një provë e qëndrueshmërisë së Bosnje-Hercegovinës.
Nëse këto zgjedhje do të sjellin ndryshime domethënëse apo do të përforcojnë status quo-në, kjo mbetet e pasigurt. E qartë është se retorika politike e ekskluzivitetit etnik, nuk i solli asnjë të mirë shtetit. Megjithatë, e ardhmja e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës nuk varet vetëm nga rezultatet e këtyre zgjedhjeve, por edhe nga aftësia e qytetarëve të saj për të kërkuar dhe realizuar ndryshime reale. /Përshtati “Pamfleti” nga “Daily Sabah”
Lini një Përgjigje