Edhe Izraeli, që cilësohet një nga fuqitë ushtarake më të frikshme dhe më të avancuara teknologjikisht në botë, do ta kishte të vështirë të shkatërronte bazat bërthamore të Iranit me armët konvencionale që ka në arsenalin e tij.
Irani mund të jetë vetëm 6 muaj larg pasjes në dispozicion të 10 bombave të para bërthamore, me të cilët mund të kërcënojë apo të godasë armiqtë e tij. Deklarata vjen nga një ekspert që i ka vizituar në disa raste bazat e pasurimit të uraniumit.
Olli Heinonen, ish-zëvendës drejtor i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), që ka drejtuar dikur kontrollin e programit bërthamor iranian, mendon se nëse Teherani “nxiton”, mund ta ketë arsenalin gati deri në prill të vitit të ardhshëm.
“Ti nuk mund të zhdukësh një vend me këto raketa, por mund ta kërcënosh atë dhe të jesh në një pozicion shumë më të fortë në negociata”- shprehet ai për The Times përmes telefonit nga Nju Jorku. Zyrtarisht, Irani pretendon se programi i tij bërthamor ka thjesht qëllime civile.
Por zyrtarët në Izrael dhe Perëndim, e shohin atë si një mjet për zhvillimin e armëve bërthamore. Në gusht të këtij viti, një raport nga IAEA theksonte se Irani i kishte rritur në thuajse 165 kg rezervat e tij të uraniumit të pasuruar në masën 60 për qind, ose 20 kg më shumë sesa raportoi në maj autoriteti mbikëqyrës i OKB-së për armët dhe programet bërthamore.
Për të prodhuar një bombë, kërkohet pasurimi i uraniumit në masën 90 për qind, dhe kryeministri i Izraelit, Binyamin Netanyahu, ka paralajmëruar prej kohësh se Irani mund ta arrijë këtë brenda disa muajsh nëse dëshiron. Heinonen, që sot bashkëpunon me Qendrën Stimson në Uashington, ka pasur shumë takime me zyrtarët më të lartë bërthamorë të regjimit teokratik. Ai thotë se raketat e lëshuara drejt Izraelit të martën, mund të përdoren fare mirë për një sulm me armë bërthamore.
Prandaj SHBA-ja dhe Britania e Madhe janë shumë të shqetësuara, vazhdon ai, duke iu referuar thirrjeve të përsëritura për uljen e tensioneve në rajon. Ai paralajmëron gjithashtu se zyrtarët në Iran, kanë lënë të kuptohet se e kanë ndryshuar tashmë doktrinën e tyre të mbrojtjes, në një mënyrë të tillë që sugjeron përdorimin e këtyre armëve nëse nuk arrijnë dot atë që duan.
Gjithsesi, Heinonen shtoi se duke përdorur armët bërthamore, iranianët do të rrezikonin të përballeshin me një “rrezik të jashtëzakonshëm”. Ndaj ata kanë më shumë gjasa t’i përdornin këto lloj armësh si “një mjet negocimi dhe për kërcënim”.
“Megjithatë, presidenti amerikan duhet të mendojë se ekziston një mundësi sado e vogël që ato armë të përdoren, ndaj SHBA-ja duhet të jenë e përgatitur edhe për këtë skenar”- tha ai. Në këto kushte, a do t’i paraprijë më të keqes Izraeli, duke goditur objektet bërthamore të Iranit?
Presidenti amerikan, Joe Biden, deklaroi të mërkurën se nuk e mbështet një sulm të tillë ndaj bazave të programit bërthamor të Iranit. Ai është i vetmi që ka të ngjarë të ketë njëfarë ndikimi tek ajo që Netanyahu do të bëjë më pas. Edhe pse në çdo rast ndikimi i tij supozohet se është i kufizuar.
Sepse është fakt që SHBA-ja dështoi ta bindë aleatin e saj - të cilit i jep miliarda dollarë për mbrojtjen - që të mos godiste qytetin Rafah në Gaza, për shkak të rrezikut të lartë të viktimave në radhët e civilët, apo të mos pushtonte Libanin, gjë që Izraeli e nisi këtë javë.
Nga ana tjetër, çdo lëvizje e rëndësishme nga Irani për të arritur prodhimin e një bombë bërthamore rrezikon të zbulohet. Më radikalët në Izrael, mund t’i kërkojnë Netanyahut që të godasë tani për ta parandaluar këtë skenar, siç ka bërë Izraeli në Irak dhe Siri dekadat e fundit, duke bombarduar objektet e tyre bërthamore.
Po pikërisht këtu qëndron edhe problemi kryesor. Qendrat e centrifugave që pasurojnë uraniumin gjenden zakonisht të fshehura thellë nën rajone të thella malore, të mbrojtura nga trupat dhe raketat e mbrojtjes ajrore. Analistët thonë se goditja e objekteve bërthamore që pasurojnë uraniumin në Natanz dhe Fordou përmes një sulmi të drejtpërdrejtë, mund të jetë “sfiduese” dhe mund të japë rezultate të kufizuara.
I rrethuar nga malet Zagros nga ana perëndimore, kompleksi Natanz në Iranin Qendror mendohet të jetë i futur aq shumë thellë në tokë, saqë edhe disa nga bombat më të avancuara në botë që shkatërrojnë bunkerët, mund ta kenë të vështirësi për ta depërtuar deri atje.
Sipas Nismës së Kërcënimit Bërthamor, një organizatë jofitimprurëse në fushën e sigurisë, Natanz besohet të përbëhet nga 3 ndërtesa të mëdha nëntokësore, dy prej të cilave janë projektuar për të mbajtur në punë 50.000 centrifuga. Gjashtë ndërtesa të tjera gjenden mbi tokë, dhe disa prej tyre përbëhen nga salla 2.5 km të gjata që përdoren për montimet e centrifugave të gazit.
Objekti i rëndësisë së veçantë, mbrohet nga bateritë kundërajrore, një rrethim i fortë si dhe nga Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit. Imazhet satelitore të analizuara gjatë 4 muajve të parë të këtij viti, tregojnë se ndërtimet atje kanë vazhduar me ritme të larta.
Bazuar në madhësinë e materialeve të gërmuara nga tunelet, mendohet se Irani është duke ndërtuar një objekt të ri në një thellësi prej 80-100 metrash. Ndërkohë impianti i pasurimit të Fordout, është ndërtuar brenda një mali në skajin e shkretëtirës së madhe të kripës në Iran.
Edhe Izraeli, që cilësohet një nga fuqitë ushtarake më të frikshme dhe më të avancuara teknologjikisht në botë, do ta kishte të vështirë të shkatërronte bazat bërthamore të Iranit me armët konvencionale që ka në arsenalin e tij. “Ndoshta Izraeli nuk mund ta shkatërrojë programin, por mund t’i shkaktojë shumë dëme, duke e shtyrë atë vite të tjera”- mendon Matthew Savill, drejtor i shkencave ushtarake në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI) në Britaninë e Madhe.
Ai thekson se problemi kryesor, është se dy bazat më të mëdha të pasurimit të uraniumit që gjenden nën male, dhe ndoshta do të kenë nevojë për bomba të mëdha, të cilat mund të përdoren vetëm nga ushtria amerikane.
Kështu, izraelitëve do t’u duhet bombarduesi amerikan Steatlh Spirit B-2 për të lëshuar një bombë gjigante GBU-57/B 15 tonëshe, e cila është e projektuar për të depërtuar në fortifikime deri në 60 metra nën tokë, ndoshta edhe më shumë. Por edhe GBU-57/B mund të mos mjaftojë për të shkatërruar objektet ushtarake nëntokësore të Iranit.
Një studim i kryer në vitin 2010 nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me qendër në SHBA, citoi disa ekspertë që besonin se armët bërthamore janë të vetmet mund të shkatërrojnë objektiva thellë nën tokë apo në tunele.
Savill vë në dukej se Izraeli mund të godasë shumë objektiva të tjerë të lidhur me programin bërthamor, si reaktorët, prodhimin e karburantit, dhe vetë objektet e konvertimit të uraniumit. Ata mund të vendosin bombën GBU-28 që shkatërron bunkerët, e cila mund të depërtojë deri në armatura betoni 6 metra të trasha dhe të lëshohet nga avionët ushtarakë F-15.
Olli Heinonen, mendon se shkatërrimi i programit të Iranit nuk do të jetë një detyrë e lehtë.
“Kjo do të varet nga cilësia e të dhënave sekrete, dhe masat që ka marrë nga Irani në mbrojtjen e aseteve të tij ushtarake”- thekson ai./ Përshatati "Pamfleti" Nga “Sunday Times”
Lini një Përgjigje