TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Prill 2023, 12:33

Pse marrëdhënia franko-gjermane është jetike për ekzistencën e BE-së?!

Shkruar nga Pamfleti

Pse marrëdhënia franko-gjermane është jetike për

Ftohja aktuale e marrëdhënieve franko-gjermane reflekton diçka më themelore. Struktura e re e pushtetit të Gjermanisë duket e pa interesuar ose e gatshme të mendojë në terma evropianë. Pa to, Macron ka pak shpresë për të realizuar vizionin e tij për një Evropë "sovrane" dhe diplomatikisht të pavarur nga SHBA dhe Kina...

"Motori" franko-gjerman që ka qenë në zemër të BE-së për gjashtë dekada, por tashmë duket se është prishur. Fajtori më i madh është qeveria e re në Berlin, pasi kancelari Olaf Scholz është më së shumti i shqetësuar për unitetin e koalicionit të tij dhe ekonominë gjermane. Nëse ai ngre kokën për të soditur botën jashtë Gjermanisë, zakonisht është për të parë përtej Atlantikut, jo drejt Parisit apo Brukselit.

Problemi më i madh i Scholz është se partia më e vogël e koalicionit të tij, Demokratët e Lirë, po lufton për mbijetesë, pasi janë përjashtuar nga tre parlamente shtetërore që nga zgjedhjet federale në shtator 2021. Ata gjithashtu rrezikojnë humbjen në zgjedhjet në Bavari dhe Hesse këtë vjeshtë. Ata i janë rikthyer parimeve të para – qëndrime të pa kompromis për Evropën, politikën fiskale dhe ndryshimet klimatike – në përpjekje për të tërhequr mbështetjen në vend.

Pa liberalët, qeveria e Scholz-it do të binte. Ai gjithashtu nuk do të ishte në gjendje të krijonte një shumicë të re, duke pasur parasysh grupin aktual të forcave në Bundestag. Kjo shpjegon mbrojtjen e agjendës evropiane të Scholz-it dhe pse ai tërhoqi mbështetjen e qeverisë së tij për ndalimin e motorëve me djegie të BE-së nga viti 2035, megjithëse u konsiderua një marrëveshje e përfunduar në Bruksel.

Por nga ana tjetër, Macron nuk është pa faj. Ai ka një tendencë për të dalë jashtë skenarit, siç tregohet nga komentet e tij shumë të kritikuara të fundit për Tajvanin. Dhe shpesh herë ai bëhet hipokrit. Në fillim të luftës në Ukrainë, ai u ankua për subvencionet gjermane të çmimit të energjisë, pasi Franca shpenzoi 100 miliardë euro për subvencionet e veta.

Dyshja franko-gjermane ka pasur prishje të përkohshme në të kaluarën. Kancelari Gerhard Schröder dhe Presidenti Jacques Chirac mezi folën me njëri-tjetrin për disa muaj pas një grindjeje mbi politikën e fermave të BE-së. Kancelarja Angela Merkel dhe presidentët Nicolas Sarkozy dhe François Hollande patën fillime të dobëta në ato që përfundimisht u bënë martesa të frytshme, sipas kushteve të Merkelit, në 2007-2012 dhe 2012-2017.

Por ftohja aktuale në marrëdhënie reflekton diçka më themelore. Struktura e re e pushtetit të Gjermanisë duket e pa interesuar ose e gatshme të mendojë në terma evropianë. Pa to, Macron ka pak shpresë për të realizuar vizionin e tij për një Evropë "sovrane" dhe diplomatikisht të pavarur nga SHBA dhe nga Kina.

Prishja e marrëdhënieve mes dy vendeve tashmë po dëmton axhendën e BE-së në fusha të tilla si klima. Kjo hedh dyshime mbi reformën e kuadrit fiskal të BE-së , Paktin e Stabilitetit dhe Rritjes, duke krijuar më pak parashikueshmëri për investitorët mbi qëndrueshmërinë e financave publike në ekonomitë evropiane me deficit të lartë dhe me borxhe të larta. Gjithashtu e bën një përgjigje të besueshme ndaj Aktit të Reduktimit të Inflacionit të SHBA- së më pak të mundshme, pasi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gërvisht fuçinë e buxhetit të BE-së për të financuar një përgjigje kolektive evropiane ndaj agresionit rus.

Megjithatë, ngërçi ngre pyetje më themelore në lidhje me prioritetet strategjike të BE-së, veçanërisht kur një komision i ri merr detyrën pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian të vitit të ardhshëm. Çështjet më të mprehta do të kenë të bëjnë me zgjerimin e BE-së në Ukrainë, Moldavi dhe Ballkanin Perëndimor, si dhe implikimet buxhetore dhe qeverisëse që do të pasojnë. Ndryshimi i traktatit me shumicë duket i pashmangshëm. Por përparimi në këto çështje si dhe kush në Bruksel do të ishte më i miri për t’i avancuar ato do të jetë i vështirë, pa një linjë mes Parisit dhe Berlinit.

Shumica e arritjeve të mëdha të BE-së në gjashtë dekadat e fundit u krijuan së bashku nga Gjermania dhe Franca ose u formësuan nga kompromise franko-gjermane. Traktati i Romës i vitit 1957 kishte shumë baballarë themelues, por nuk do të kishte ndodhur pa një marrëveshje midis Konrad Adenauer dhe Charles de Gaulle.

Akti Unik Evropian i vitit 1992 ishte pjesërisht vepër e atij çifti të pamundur, Jacques Delors dhe Margaret Thatcher, por do të kishte dështuar pa Helmut Kohl dhe François Mitterrand, miqësia e të cilëve u simbolizua nga shëtitjet e tyre dorë për dore në Verdun në 1984 . Euro u krijua në një pjesë të madhe nga Kohl dhe Mitterrand si një kundërpeshë ndaj bashkimit gjerman.

Franca dhe Gjermania nuk mund dhe nuk duhet të dominojnë BE-27-she, siç bënë gjashtëshen fillestare dhe për keqardhjen e Britanisë, nëntëshen, 10 dhe 12-shen. Vendimet në Evropë tani duhet të jenë një përpjekje më kolektive.

Por Berlini dhe Parisi do të bënin mirë të njihnin një të vërtetë themelore. Marrëdhënia e tyre është më shumë se Franca dhe Gjermania. Ajo i shërben një qëllimi më të lartë. Është një terren provash një farkë, një laborator për atë që është e mundur në nivel të BE-së. Asgjë thelbësore nuk mund të ndodhë në Evropë nëse dy ekonomitë e saj më të mëdha nuk shohin sy më sy./Përshtati “Pamfleti” nga “Financial Times”

be marrëdhenia franko-gjermane

Lini një Përgjigje