TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Janar 2026, 12:26

Pse kërcënimi i Putinit do të rritet pas sulmit të Trumpit ndaj Venezuelës

Shkruar nga Pamfleti
Pse kërcënimi i Putinit do të rritet pas sulmit të Trumpit
Maduro dhe Putin /

Pas ndërhyrjes së Uashingtonit në Karakas dhe arrestimit të Nikolas Maduros, veprimet e Trumpit po shihen si precedent i rrezikshëm. Ky akt ka tronditur rendin ndërkombëtar dhe ka ngritur frikën se mund të inkurajojë Putinin të forcojë agresionin në Ukrainë dhe Xi Jinpingun të shtojë presionin mbi Tajvanin, duke minuar mbështetjen për ligjin ndërkombëtar...

Sulmi i të shtunës së kaluar i Uashingtonit ndaj Karakasit, i shoqëruar me arrestimin e Nikolas Maduros, ishte një deklaratë tronditëse se rregullat e dikurshme të vendosura nga Shtetet e Bashkuara nuk vlejnë më.

Teksa Maduro dhe bashkëshortja e tij, Silia Flores, u dërguan në Nju Jork me pizhamet e gjumit siç u kapën nga forcat speciale amerikane, nën akuzat për narko-terrorizëm, raketat amerikane goditën bazat ushtarake kryesore të Venezuelës.

Donald Trump e quajti operacionin “një sukses i jashtëzakonshëm” - dhe premtoi se do të “drejtojë vendin” deri në një tranzicion “të duhur” të pushtetit. Ai nuk u përpoq ta justifikonte atë sipas normave të ligjit ndërkombëtar.

Sipas tij, Maduro kishte shkelur “parimet themelore të politikës së jashtme amerikane” - duke strehuar organizata të huaja, duke ndërtuar një arsenal armësh sulmuese dhe duke lejuar trafikun e drogës të sponsorizuar nga shteti. Në Pentagon, komuniteti i inteligjencës po përpiqej të kuptonte pasojat.

Një burim i CIA-s e përshkroi operacionin si “maskën e fundit të hequr nga pushteti autoritar i Trumpit” dhe shtoi: “Arroganca dhe papërgjegjshmëria e tij janë të pabesueshme. Ky akt më duket si gozhda e fundit në arkivolin e rendit të pas Luftës së Ftohtë!”.

Stiven Kesh, një tjetër ish-zyrtar i CIA-s, shtoi: “Ky moment nxjerr në pah shembjen e një marrëveshjeje të vjetër, sipas së cilës pushteti i zgjeruar ekzekutiv do të ushtrohej nga liderë që respektojnë ligjin, institucionet dhe normat ndërkombëtare. Kur humbet ky besim, po kështu ndodh edhe me balancën kushtetuese që na mbron brenda dhe jashtë”.

Frika e fuqive të mëdha

Akademikë, diplomatë evropianë dhe burime të inteligjencës besojnë se tashmë Uashingtoni po distancohet me shpejtësi nga ligji ndërkombëtar. Sulmi i Trumpit ndaj Venezuelës rrezikon të zemërojë Kinën dhe Rusinë, që kanë interesa të mëdha në vend, dhe mund të nxisë konflikte të tjera nëse perceptohet si shembull për t’u ndjekur.

Një burim britanik i sigurisë tha: “Putini do të zemërohet sepse çdo marrëdhënie politike apo tregtare që po ndërtonte me Maduron është dëmtuar rëndë. Edhe Xi mund të ndihet njëlloj. Pyetja më interesante është nëse Putini e sheh këtë si një shenjë se SHBA-ja e pranon dominimin e fuqive të mëdha në sferat e tyre të ndikimit. Ai mund ta interpretojë këtë veprim si një provë se SHBA do të mbyllë sytë ndaj aventurizmit rus në Evropë, përfshirë vazhdimin e sulmit ndaj Ukrainës. Xi mund të arrijë në një përfundim të ngjashëm për Azinë”.

Emili Tornberi, kryetare e Komitetit të Punëve të Jashtme në parlamentin britanik, paralajmëroi: “Ideja se fuqitë e mëdha mund të bëjnë çfarë të duan në sferën e tyre të ndikimit është një mesazh i rrezikshëm për Moskën dhe Pekinin.

Sigurisht, Tajvani është pjesë e sferës së ndikimit të Kinës. Nëse SHBA-ja nuk i bindet ligjit ndërkombëtar, përse Kina të mos zbarkojë në Tajvan? Dhe e njëjta gjë vlen me Rusinë dhe Ukrainën”. Ndryshe nga Tornberi, kryeministri Keir Starmer ka shmangur kritikat publike ndaj Trumpit, duke thënë se Britania “nuk derdh lot” për fundin e regjimit të Maduros.

Doktrina “Donroe” dhe mesazhi për Kinën

Trump e justifikoi ndërhyrjen duke e etiketuar Maduron dhe bashkëshorten e tij si narko-terroristë dhe duke iu referuar Doktrinës Monroe - konceptit 200-vjeçar amerikan për ndarjen e botës në sfera ndikimi.

Ai e quajti versionin e ri “doktrina Donroe”, duke theksuar: “Nën strategjinë tonë të re të sigurisë kombëtare, dominimi amerikan në Hemisferën Perëndimore nuk do të vihet më kurrë në dyshim!”.

Sulmi ishte një goditje strategjike ndaj dy aleatëve kryesorë të Venezuelës, Rusisë dhe Kinës. Të dyja kanë mbështetur qeverinë socialiste të Karakasit me ndihmë politike dhe ushtarake. Rusia e ka furnizuar me mbrojtje ajrore dhe armatime të tjera, ndërsa kontraktorë të lidhur me Grupin Vagner kanë qenë pjesë e sigurisë personale të Maduros.

Në këmbim, Venezuela e ka ndihmuar Moskën të shmangë sanksionet dhe të maskojë tregtinë e naftës. Burime britanike paralajmërojnë se Rusia mund të ndjehet e detyruar të ndërmarrë veprime të mëdha në Ukrainë si përgjigje ndaj Trumpit, ndërsa Kina mund të ndjehet e inkurajuar të pushtojë Tajvanin.

“Për Kinën kjo është një mundësi e artë që të tregojë fuqinë e saj ushtarake” - tha një burim.

Një diplomat evropian e përshkroi mesazhin për Pekinin si shumë të qartë: “Amerikat janë sfera e ndikimit të SHBA-së dhe Kina duhet të qëndrojë jashtë”. Në këtë kuptim, sulmi ndaj Venezuelës dukej më shumë si paralajmërim për Xi Jinping sesa si një operacion kundër narko-terrorizmit.

Reagimet në Londër

Sekretari kryesor i kryeministrit të Britanisë, Darren Xhons, u shpreh: “Mbretëria e Bashkuar nuk ishte e informuar paraprakisht. Ishte një operacion amerikan, dhe ne nuk ishim të përfshirë...”. Pas kapjes së Maduros, Starmer u tregua i kujdesshëm, duke thënë se duhej të “verifikonte faktet” me homologët amerikanë përpara se të gjykonte nëse SHBA-ja ka shkelur apo jo ligjin ndërkombëtar.

Ndërkohë, Emili Tornberi cilësoi kapjen e Maduros si “shkelje të ligjit ndërkombëtar” - duke theksuar se SHBA nuk mund të pretendojë se ishte nën sulm apo kërcënim të menjëhershëm.

“Nëse kthehemi te një botë ku rëndësi ka vetëm çfarë duan fuqitë e mëdha, atëherë vendet e vogla e të mesme si yni janë të kërcënuara. Është e rëndësishme që të mos e lejojmë këtë. Duhet të jemi më të qartë për atë që është e drejtë dhe e gabuar, dhe të punojmë me aleatët tanë si Kanadaja, Gjermania, Franca dhe Bashkimi Evropian” - tha ajo.

Priti Patel, Sekretare e Jashtme në hije në opozitë, shtoi: “Ne besojmë në demokraci, dhe tani pyetja është: Cili do të jetë rrugëtimi drejt demokracisë për Venezuelën? Jam e sigurt se këto janë pyetje që Sekretarja e Jashtme britanike do t’ia shtrojë homologut të saj amerikan. Shpresoj që këto biseda të zhvillohen”./Përshtati Pamfleti nga “The Intelligent Paper”

kërcënimi i putinit trump venezuela

Lini një Përgjigje