TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Nëntor 2024, 17:30

Pse Kamala Harris duhet të ndjekë një politikë të re ndaj Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor?!

Shkruar nga Jasmin Mujanoviç

Pse Kamala Harris duhet të ndjekë një politikë të re

Megjithatë shqetësimi ka qenë me i madh në Ballkanin Perëndimor, sepse SHBA-ja ka ushtruar këtu një ndikim shumë të gjerë që nga shpërbërja e përgjakshme e ish-Jugosllavisë.

Fushata e zv/presidentes demokrate, Kamal Harris, ka ngritur shpesh çështjen e përparësive të saj në politikën e jashtme.

Duke pasur parasysh primatin e SHBA-së në sistemin ndërkombëtar, ky është një shqetësim për të gjithë komunitetin global.

Megjithatë shqetësimi ka qenë me i madh në Ballkanin Perëndimor, sepse SHBA-ja ka ushtruar këtu një ndikim shumë të gjerë që nga shpërbërja e përgjakshme e ish-Jugosllavisë. Por edhe për shkak se që nga viti 2014, rajoni është perceptuar si një vatra gjeopolitike me e nxehtë në Evropë, pas Ukrainës.

Për më tepër, ky është një rajon ku Rusia dhe Kina e kanë shfrytëzuar në maksimum  kapacitetin në rënie të BE-së, duke hedhur hapa të mëdhenj strategjikë. Ndërkohë rivendosja e sundimit autoritaro-nacionalist në Serbi, ka nxitur frikën në rritje të konfliktit të ri, veçanërisht pas zbulimit të depozitave të mëdha të litiumit.

Por nuk është e lehtë të kuptohet se çfarë qëndrimi ka Harris ndaj Ballkanit Perëndimor. Gjatë mandatit të saj si senatore (2017-2021), Harris nuk ishte dhe aq e hapur mbi çështjet e politikës së jashtme. Për shembull, shqetësimi i saj në raport me Evropën, u vu re kryesisht pas ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016. 

Me marrjen e postit të zëvendëspresidentit në vitin 2021, Harris u caktua të mërrej kryesisht me problemet e brendshme, dhe mbi të gjitha me emigracionin dhe kufirin jugor. Pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, ajo u bë pjesë e përpjekjeve të administratës së Joe Biden për të grumbulluar mbështetje për Kievin tek aleatët evropianë.

Por është e vështirë të identifikosh një çështje të politikës së jashtme që mban vulën  saj, dhe që ajo e çoi pëpara. Dhe nuk ka të dhëna publike se Harris ka qenë ndonjëherë e interesuar për Ballkanin Perëndimor. Kjo nuk do të thotë se ajo ishte e parëndësishme në rolin e saj.

Por aspekti më domethënës i trashëgimisë së saj si zëvendëspresidente, të paktën në lidhje me Ballkanin Perëndimor, mund të jetë lidhja e saj e pashmangshëm me qasjen e Biden ndaj rajonit. Në një artikull të majit 2023 për revistën Foreign Policy me titull "Si e humbi Biden Ballkanin", unë shkrova se administrata Biden kishte "thelluar shumë raportet e saj me presidentin thuajse autokrat të Serbisë, duke e riorientuar njëkohësisht edhe qasjen në përgjithësi ndaj rajonit për ta vënë në qendër Beogradin dhe përparësitë e tij të politikës së jashtme".

Kjo gjë ka pasur efekte negative mbi sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje-Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi. Ambasadori i Biden në Beograd, Christopher Hill, u shfaq shpesh në publik si një zëdhënës me kohë të pjesshme i qeverisë së Vucic.

Pasi militantët serbë në veri të Kosovës sulmuan paqeruajtësit e NATO-s, SHBA dhe BE vendosën sanksione ndaj qeverisë së Kosovës, duke e akuzuar në mënyrë absurde Prishtinën si provokatore të trazirave. A do ta vazhdojë Harris qasjen e paraardhësit të saj ndaj rajonit nse zgjidhet presidente?

Nuk e dimë, dhe kemi pak të dhëna për t'i intepretuar. Nga njëra anë, kampi i Harris ka sinjalizuar se si presidente, do të zëvendësojë Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, por edhe këshilltarin për sigurinë kombëtare Jake Sullivan. Një veprim i tillë, do të sillte ndryshime të tjera të personelit brenda aparatit të politikës së jashtme dhe mbrojtjes së SHBA-së.

Në rast se këto ndryshime do të tregojnë dëshirën e presidentit të ri për t'u shkëputur nga politikat e establishmentit demokrat mbi politikën e jashtme , atëherë ato do të jenë potencialisht një mundësi për Ballkanin Perëndimor. Pra, nëse Harris ka një pikëpamje kritike për këtë periudhë, dhe dëshiron të ndjekë kursin e saj të ri, Ballkani Perëndimor do të ndjejë shpejt efektet (dhe përfitimet) e një vendimi të tillë.

Nga ana tjetër, Philip Gordon, këshilltari i Harris për sigurinë kombëtare, dhe njeriu që pritet të luajë rolin kryesor në formësimin e politikës së saj të jashtme në rast se ajo bëhet presidente, ka shërbyer më parë në administrata Clinton dhe Obama. Mediat amerikane e kanë paraqitur Gordonin si një eurofil.

Në mungesë të informacioneve më të hollësishme rreth prirjes së mundshme të Harris ndaj rajonit, mund të jetë më e sigurt të supozohet se ajo do të vazhdonte politikën e paraardhësve të saj për ta parë Ballkanin Perëndimor, si një pjesë periferike të politikës së jashtme amerikane.

Në praktikë, kjo do të thotë se ata që do të drejtonin politikën e Uashingtonit në rajon, do të vazhdonin të ishin diplomatë karriere në Departamentin e Shtetit, një përzierje e të emëruarve politikë dhe madje edhe një grusht ambasadorësh me ndikim si Hill, që e kanë dominuar politikën rajonale deri tani.

Por duke pasur parasysh natyrën gërryese të statuskuosë amerikane në rajon, ky nuk është një skenar optimist. Megjithatë, asnjë nga këto nuk do të thotë se një presidencë e dytë Trump do të ishte e preferueshme për Ballkanin Perëndimor, kjo edhe për shkak të lidhjeve të ngushta të familjes Trump me Vucic, lidhur me sipërmarrjet shumëmiliardëshe të pasurive të patundshme në Serbi (dhe Shqipëri) nga dhëndri i ish-presidentit, Jared Kushner, dhe vajza e tij Ivanka Trump.

Edhe bashkëpunëtori i ngushtë i Trump, Richard Grenell, ish-kreu i Inteligjencës Kombëtare amerikane, ka lidhje direkte me regjimin e Vucic. Grenell shkon shpesh në Beograd dhe është një mbështetës i vendosur i Vuçiç në mediat sociale. Në vitin 2023, lideri serb i dha Urdhrin e Flamurit serb, një nga nderimet më të larta shtetërore.

Mbi raportin Grenell-Vucic ka shumë spekulime, përfshirë një plan për shkëputjen e serbëve nga Bosnje Hercegovina. Grenell u akuzua nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti se kishte orkestruar një grusht shteti kundër qeverisë së tij të parë, por Marrëveshja e Uashingtonit e vitit 2020, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, siguroi njohjen e Kosovës nga Izraeli.

Ndërsa gjatë presidencës Biden, gjatë sulmit paraushtarak në Banjskë në vitin 2023, militantët e lidhur me regjimin e Beogradit, kryen incidentin më të rëndë kundër Kosovës që nga lufta e viteve 1998-1999. Republikanët nuk kanë gjasa të sigurojnë votën e boshnjako-amerikanëve apo shqiptaro-amerikanëve, por fati i Harris në shtete si Georgia dhe Michigan, mund të varet fare mirë nga pjesëmarrja e tyre në votime.

Ndaj ekipi i Harris do të bënte mirë të fliste drejtpërdrejt me këto komunitete, duke e zbutur efektin e tradhtisë së perceptuar të Biden gjatë 4 viteve të fundit, dhe t'u ofrojë atyre një arsye bindëse për t'u votuar më 5 nëntor, sidomos në lidhje me çështjen e tyre thelbësore:politikën amerikane ndaj Ballkanit Perëndior dhe pikëpamjen deri tani të paartikuluar të Kamala Harris mbi të.

Përparësia më urgjente për politikën e jashtme të administratës Harris në Ballkanin Perëndimor, do të ishte një rivendosje tërësore e qëndrimit të Uashingtonit ndaj Serbisë. Administrata Harris duhet të pranojë se politikat e kohës së Trump dhe Biden, që bazoheshin tek përpjekja për ta larguar Beogradin nga orbita e Moskës, kanë dështuar.

Madje, ato vetëm sa kanë ndihmuar elementët më radikalë në Serbi në pretendimet e tyre në rritje kundër shteteve fqinje, mbi të gjitha ndaj Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës. Ndaj SHBA duhet të ndryshojë urgjentisht politikën e saj ndaj Ballkanit, duke e larguar fokusin nga Serbia dhe i ripërqëndruar përpjekjet e saj në forcimin e sigurisë dhe integritetit demokratik të shteteve dhe qeverive që kanë provuar se kanë një orientim pro-perëndimor./ Marrë nga “New Lines Magazine”, përshtati "Pamfleti"

Lini një Përgjigje