TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Maj 2026, 17:56

Protesta masive në Vjenë kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision

Shkruar nga Pamfleti
Protesta masive në Vjenë kundër pjesëmarrjes së
Protestat në Vjenë

Qindra protestues marshuan në rrugët e Vjenës drejt arenës ku do të zhvillohet finalja e Eurovisionit, duke valëvitur flamuj palestinezë dhe duke mbajtur një pankartë gjigande me emrat e mijëra personave të vrarë në Gaza.

Protestuesit akuzojnë organizatorët e Eurovisionit se po normalizojnë krimet e luftës duke lejuar Izraelin të marrë pjesë në konkurs, pavarësisht luftës në Gaza. Kjo është protesta e tretë e madhe në Vjenë kundër pjesëmarrjes së Izraelit dhe po thellon krizën që po përjeton Eurovisioni këtë vit.

Konkursi organizohet nga Unioni Europian i Transmetuesve (EBU), i cili këmbëngul se Eurovisioni është një aktivitet jopolitik. Megjithatë, pesë transmetues publikë europianë kanë bojkotuar edicionin e këtij viti dhe nuk kanë dërguar përfaqësuesit e tyre në garë.

Kritikët akuzojnë EBU-në për standard të dyfishtë, duke kujtuar se Rusia u përjashtua nga Eurovisioni në vitin 2022 pas pushtimit të Ukrainës, ndërsa Izraeli vazhdon të marrë pjesë pavarësisht ofensivës ushtarake në Gaza.

Përveç tensioneve politike dhe protestave në rrugë, vëmendja është përqendruar edhe tek vota e publikut në finalen e sotme. Aktualisht Finlanda kryeson sondazhet, ndërsa përfaqësuesja izraelite Noah Betan renditet mes favoritëve kryesorë.

Vitin e kaluar, Izraeli fitoi bindshëm votën e publikut, rezultat që shkaktoi debat në disa vende europiane. Më pas u raportua se qeveria izraelite kishte mbështetur financiarisht një fushatë online që inkurajonte votuesit në Europë të mbështesnin përfaqësuesen izraelite, veprim që kritikët e konsideruan në kundërshtim me frymën e konkursit.

Finalja e Eurovisionit zhvillohet në një atmosferë të tensionuar politike dhe sigurie, ndërsa organizatorët po përballen me presion në rritje për mënyrën se si po menaxhojnë krizën rreth pjesëmarrjes së Izraelit.

vjene porotesta

Lini një Përgjigje