Dhjetëra mijëra persona protestuan në qendër të Londrës në dy marshime rivale që u zhvilluan paralelisht nën masa të jashtëzakonshme sigurie. Një protestë pro-palestineze u organizua për të përkujtuar 78-vjetorin e Nakba-s, zhvendosjen masive të palestinezëve gjatë krijimit të shtetit të Izraelit në vitin 1948, ndërsa në të njëjtën kohë u zhvillua edhe marshimi nacionalist “Unite the Kingdom”, i lidhur me figurën e ekstremit të djathtë britanik Tommy Robinson.
Policia Metropolitane angazhoi rreth 4 mijë efektivë, të mbështetur nga dronë, helikopterë, qen policie dhe automjete të blinduara, për të shmangur përplasjet mes protestuesve. Autoritetet vendosën itinerare të ndara dhe kushte të rrepta për të dyja demonstratat.

Sipas policisë, rreth 50 mijë persona morën pjesë në marshimin “Unite the Kingdom”, ndërsa afro 30 mijë në protestën pro-palestineze. Demonstruesit pro-palestinezë mbanin flamuj palestinezë dhe pankarta kundër luftës në Gaza, ndërsa pjesëmarrësit në marshimin nacionalist valëvitnin flamuj britanikë dhe të Shën Gjergjit.
Tommy Robinson u bëri thirrje mbështetësve të tij të angazhohen politikisht dhe të votojnë në zgjedhjet e ardhshme, duke deklaruar se Britania ndodhet në një “moment vendimtar”. Ndërkohë, ish-lideri laburist Jeremy Corbyn, i pranishëm në marshimin pro-palestinez, tha se protesta kishte karakter paqësor dhe mohoi çdo prani të antisemitizmit.

Policia konfirmoi të paktën 11 arrestime për shkelje të ndryshme, ndërsa autoritetet paralajmëruan se do të ndërhyjnë menjëherë ndaj çdo akti dhune ose gjuhe të urrejtjes.
Protestat zhvillohen në një klimë tensioni të shtuar politik në Britani lidhur me luftën në Gaza, emigracionin dhe aktivitetin e grupeve të ekstremit të djathtë.
Lini një Përgjigje