
Autoritetet iraniane kanë bërë të ditur se po përgatitet një mekanizëm i ri për administrimin e trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit energjetik në botë.
Kreu i Komitetit të Sigurisë Kombëtare në parlamentin iranian, Ebrahim Azizi, deklaroi se sistemi do të zbatohet përmes një korridori të përcaktuar lundrimi dhe do të favorizojë anijet tregtare si edhe vendet apo kompanitë që bashkëpunojnë me Iranin.
Sipas tij, ky mekanizëm do të përfshijë edhe ofrimin e shërbimeve të specializuara, për të cilat do të aplikohen tarifa.
“Vetëm anijet tregtare dhe palët që bashkëpunojnë me Iranin do të përfitojnë nga mekanizmi i ri për menaxhimin e trafikut në Ngushticën e Hormuzit”, deklaroi kreu i Komitetit të Sigurisë Kombëtare të parlamentit iranian.
Azizi theksoi se detaje të tjera mbi mënyrën e funksionimit do të publikohen në ditët në vijim.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kyçe për tregtinë globale të energjisë, pasi përmes saj kalon afërsisht 20% e furnizimit botëror me naftë dhe gaz natyror. Që prej shpërthimit të luftës më 28 shkurt, Irani ka kufizuar ndjeshëm qarkullimin në këtë zonë strategjike.
Zhvillimet e fundit kanë shtuar tensionet në tregjet ndërkombëtare, duke rritur shqetësimet për ndikimin që situata në Hormuz mund të ketë mbi furnizimin global me energji.
Lini një Përgjigje