TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Prill 2026, 13:34

Protesta e studentëve shqiptarë në RMV, Tirana zyrtare del në mbështetje: Gjuha amtare, e drejtë themelore!

Shkruar nga Pamfleti
Protesta e studentëve shqiptarë në RMV, Tirana zyrtare del
Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut në protestë

Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut po zhvillojnë sot një protestë në Shkup, për të drejtën e dhënies së provimeve në gjuhën shqipe.

“Ligji për gjuhët është i qartë, STOP diskriminimit institucional!”, janë disa nga thirrjet e tyre në pankarta.

Studentët kërkojnë që e drejta e dhënies së provimeve të jurisprudencës në gjuhën shqipe të zbatohet në praktikë, një e drejtë që, sipas Kushtetutës dhe ligjit, është e garantuar, por nuk po respektohet aktualisht.

Organizatorët kanë bërë me dije se protesta do të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe dinjitoze, me qëllim sensibilizimin e opinionit publik dhe adresimin e kërkesave të studentëve tek institucionet përkatëse.

Besar Sejdiu, kryetar i Parlamentit Studentor të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, bëri thirrje më herët për mbështetje të gjerë qytetare ndaj kësaj proteste paqësore. Sejdiu deklaroi se moszbatimi i kësaj të drejte prej vitesh po krijon pengesa serioze për studentët shqiptarë, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e tyre akademik dhe profesional.

Ai e cilësoi këtë çështje si një kauzë të rëndësishme për barazi dhe respektimin e të drejtave themelore, më shumë sesa si një problem individual apo politik.

Lidhur me këtë, ka reaguar edhe ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha thotë se kërkesa e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut është e drejtë dhe legjitime.

“Përdorimi i gjuhës #amëtare është një e drejtë themelore, e garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e #Gjuhëve, e cila nuk mund dhe nuk duhet të ngushtohet apo vonohet nga asnjë procedurë. Nëse procedurat rezultojnë të mangëta apo të paqarta, është detyrim institucional që të gjenden zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme.

Kjo është një çështje që kërkon trajtim të matur dhe të përgjegjshëm, larg çdo përpjekjeje për politizim. Ajo duhet adresuar me seriozitet institucional dhe në frymën e respektimit të të drejtave themelore.Demokracitë jo vetëm që kanë mekanizmat, por edhe pjekurinë e nevojshme për të gjetur zgjidhje ku harmonizohen shteti ligjor, legjislacioni dhe të drejtat e qytetarëve.

Studentët meritojnë përgëzim për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre. Kjo kërkon një përgjigje me të njëjtin standard përgjegjshmërie, përmes dialogut konstruktiv dhe zgjidhjeve që respektojnë plotësisht të drejtat e garantuara”, shkruan Hoxha.

protesta e studentëve shqiptarë

Lini një Përgjigje