Prokuroria Europiane (EPPO) ka kërkuar arrestimin e 16 personave në Itali, mes tyre pedagogë universitarë, kërkues shkencorë, mësues, si dhe menaxherë dhe punonjës të kompanive informatike, të akuzuar për korrupsion dhe mashtrim me fondet e BE.
Hetimi përfshin rajonet e Sicilisë dhe Kampanias. Sipas prokurorëve të EPPO-s, Gery Ferrara dhe Amelia Luise, disa pedagogë ndikonin që institucionet ku punonin t’u besonin kontrata për furnizime mallrash dhe shërbimesh kompani të caktuara IT. Në këmbim, ata përfitonin një “fond” të përdorur për blerjen e telefonave celularë, televizorëve inteligjentë dhe kompjuterëve për përdorim personal ose për t’ua dhuruar familjarëve dhe të njohurve.
Procedura aktuale ndodhet në fazën e marrjes në pyetje paraprake. Pas përfundimit të tyre, gjyqtari për hetimet paraprake do të vendosë mbi kërkesën për masa sigurie.
Çështja buron nga një hetim i vitit 2023 që çoi në arrest shtëpie të Daniela Lo Verde, drejtoreshë e shkollës “Falcone” në lagjen Zen të Palermos, e njohur për angazhimin e saj kundër mafies, si dhe zëvendësit të saj dhe një punonjëseje të kompanisë R-Store Spa. Sipas akuzës, drejtoresha përvetësonte fonde nga mensa shkollore dhe orientonte blerjen e pajisjeve elektronike me fonde europiane, drejt një dyqani të lidhur me punonjësen e R-Store. Në këmbim, ajo përfitonte telefona dhe kompjuterë për vete dhe familjarët e saj.
Dëshmitë e punonjëses së kompanisë tregtare i mundësuan prokurorëve të zgjerojnë hetimet dhe të zbulojnë se e njëjta skemë dyshohet se zbatohej edhe në disa fakultete universitare dhe shkolla në Napoli.
Sipas hetuesve, kompania R-Store, e përshkruar si në kërkim të vazhdueshëm fitimi dhe e nxitur nga mundësitë që ofronin fondet europiane të Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Rezistencës (PNRR) për sektorin e arsimit, ka shkuar përtej një politike aktive tregtare. Roli i pedagogëve dhe kërkuesve konsiderohet vendimtar, pasi ata orientonin blerjet drejt kompanisë në këmbim të përfitimeve si iPhone me vlerë rreth 2.000 euro, kupona blerjesh, printerë dhe televizorë inteligjentë.
Në dokumentet hetimore, prokurorët flasin për një “sistem të strukturuar” përmes të cilit punonjës publikë, pedagogë dhe asistentë universitarë lehtësonin dhënien e kontratave për furnizime dhe shërbime ndaj kompanive Informatica Commerciale S.p.A., R-Store S.p.A. dhe Databroker.
Në qendër të hetimit ndodhet një kompani me seli në Napoli, e specializuar si Apple Premium Reseller, me mbi 32 pika shitjeje në Itali dhe e angazhuar në furnizimin me pajisje dhe shërbime trajnimi për shkolla dhe universitete. Sipas hetimeve, kompania operonte përmes një ekipi të posaçëm referentësh, koordinatori i të cilit rezulton gjithashtu nën hetim, që mbanin kontakte me institucione të ndryshme publike për të siguruar kontrata për pajisje digjitale dhe programe kompjuterike.
Për një drejtues të lartë, të cilin hetuesit e përshkruajnë si figurë kyçe në sigurimin e kontratave me vlerë të konsiderueshme, prokurorët kanë kërkuar masën e arrestit në shtëpi. Ndërsa koordinatori i ekipit, me rol drejtues më të ulët, dyshohet se mbante lidhjet me punonjës në territorin kombëtar, përfshirë edhe denoncuesen kryesore të çështjes në Palermo. /Corriere Della Sera
Lini një Përgjigje