Pas lajmit për lirimin e 123 të burgosurve politikë në Bjellorusi, përfshirë aktivisten e njohur Maria Kolesnikova dhe fituesin e Çmimit Nobel për Paqe Ales Bialiatski, po bëhen publike detaje të reja për mënyrën sesi është organizuar largimi i tyre dhe për rrjedhën e marrëveshjes që lidhet drejtpërdrejt me heqjen e sanksioneve nga SHBA.
Sipas autoriteteve ukrainase, Kolesnikova dhe 113 të burgosur të tjerë iu dorëzuan Ukrainës, ndërsa më pas do të transferohen për trajtim mjekësor dhe strehim të përkohshëm në Poloni dhe Lituani. Lajmi u konfirmua nga Shtabi Koordinues i Ukrainës për trajtimin e të burgosurve të luftës, përmes një deklarate në Telegram.
Ndërkohë, një grup më i vogël, përfshirë edhe Bialiatskin, është dërguar drejtpërdrejt në Vilnius, kryeqytetin e Lituanisë, ku u prit nga liderja në mërgim e opozitës bjelloruse, Svetlana Tikhanovskaya. Pas përqafimit me Bialiatskin, ai deklaroi shkurt: “Mijëra njerëz janë ende të burgosur... prandaj lufta jonë vazhdon.”
Pas një telefonate të shkurtër me motrën e saj, Tatiana Khomich, e cila ka qenë zëri më i fortë për lirimin e saj, Maria Kolesnikova shprehu mirënjohjen ndaj administratës amerikane, presidentit Trump dhe autoriteteve bjelloruse për arritjen e marrëveshjes.
Sipas mediave bjelloruse, marrëveshja përfshin heqjen e menjëhershme të sanksioneve mbi eksportin e potasit, një produkt kyç për ekonominë bjelloruse dhe ndër eksportet strategjike të vendit. John Coale, i dërguari i posaçëm i Presidentit Trump për Bjellorusinë, deklaroi se heqja e sanksioneve do të vazhdojë nëse procesi i normalizimit ecën përpara.
Analistët e shohin këtë marrëveshje si një sukses të madh diplomatik për presidentin autoritar Aleksandër Lukashenko, i cili prej vitesh është në izolim ndërkombëtar. BE dhe SHBA nuk e njohin si president pas zgjedhjeve të manipuluara të vitit 2020, që çuan në protesta masive dhe arrestime brutale, mes tyre edhe Kolesnikova dhe Bialiatski.
Marrëveshja me SHBA shihet si pjesë e një ndryshimi të madh në politikën amerikane ndaj Bjellorusisë, që tenton të angazhojë Minskun në bisedime, përfshirë edhe për çështjen e luftës në Ukrainë. Coale deklaroi gjithashtu se ka diskutuar me Lukashenkon për mundësinë që Bjellorusia të ndërmjetësojë me Moskën në një proces të mundshëm paqeje.
Nga Vilniusi, Svetlana Tikhanovskaya komentoi marrëveshjen mes SHBA dhe Minskut: “Sanksionet janë mjeti i vetëm për t’i detyruar diktatorët të bëjnë diçka. Lukashenko nuk i liron njerëzit sepse është bërë më human. Ai do t’i shesë ata sa më shtrenjtë të mundet.”
Ajo paralajmëroi se sanksionet amerikane janë të kthyeshme dhe mund të rikthehen nëse regjimi bjellorus nuk zbaton marrëveshjen.
Marrëveshja për lirimin e të burgosurve dhe heqjen e sanksioneve vjen në një moment delikat, kur BE vijon linjën e izolimit, ndërsa SHBA po teston angazhimin e drejtpërdrejtë me regjimin e Lukashenkos, që mbetet aleat i ngushtë i Rusisë.
Në vitin 2022, gjatë fillimit të pushtimit të Ukrainës, territori i Bjellorusisë u përdor për lëshimin e raketave dhe lëvizjen e trupave ruse, çka e bëri vendin pjesë të konfliktit në sytë e Perëndimit.
Lini një Përgjigje