
Në festimet e mbajtura në Teheran të dielën e kaluar, nuk mund të mos shihej një Iran i guximshëm përmes asaj që u tha nga presidenti Ebrahim Raisi, i cili bëri thirrje për dëbimin e Izraelit nga OKB.
Pavarësisht lupës përmes të cilës njerëzit në mbarë botën mund të zgjedhin ta shohin Revolucionin Islamik të Iranit në përvjetorin e tij të 45-të, shumica priren të shohin se regjimi i cili erdhi në pushtet në vitin 1979, duke ndjekur një axhendë sektare anti-perëndimore dhe anti-statuskuo, sidomos me vendet arabe, është maturuar tashmë.
Dhe ky maturim po i sjell jo pak përfitime regjimit në Teheran, si në nivel rajonal ashtu edhe ndërkombëtar, pavarësisht nga një peizazh opozitar i brendshëm, i larmishëm dhe kompleks. Katër dekada e gjysmë që nga themelimi i Republikës Islamike, ata që rrëzuan Shahun pro-amerikan, nuk mund ta kishin ëndërruar kurrë, se do të kishin aftësinë të mbijetonin kaq shumë, dhe me vonë ta zgjeronin në rajon revolucionin e tyre teokratik, duke u paraqitur si një lojtar që vështirë se mund të anashkalohet në llogaritjet e fuqive botërore.
Përpjekjet disadekadëshe për të përshtatur një aparat sigurie dhe stabilitetin në rajonin kyç të Lindjes së Mesme - si gjetja e një zgjidhjeje për konfliktin 75-vjeçar palestinezo-izraelit, sigurimi i furnizimeve me naftë, dhe së fundmi krizat që ndikojnë tek rrugët e transportit në Detin e Kuq - ofrojnë një tregues të qartë se si Irani, nga projektimi, fati, apo të dyja bashkë, ka aftësinë të vendosë nën presion apo të prishë rendin rajonal dhe më gjerë.
Këto veprime me kosto të ulët por me rendiment të lartë, kanë sjellë përfitime të mëdha për Teheranin. Gjatë dekadave ku ka dominuar motoja “Vdekje Amerikës” dhe “Vdekje Izraelit”, Irani ka arritur të krijojë dhe të furnizojë milici paraushtarake në disa vende arabe.
Këto milici jo-shtetërore, janë shndërruar në “tentakulat” e revolucionit ideologjik shiit të eksportuar të Teheranit. Udhëheqësi Suprem i ndjerë Ayatollah Khomeini, e nisi këtë projekt në fundin e viteve 1970, me synimin që nëpërmjet këtyre grupimeve, Irani të bëhej një vend i aftë të projektonte fuqinë e tij shumë përtej kufijve të tij.
Madje Irani mund të ndikojë sot në balancën globale të fuqisë midis lojtarëve kryesorë: SHBA-së dhe Perëndimit nga njëra anë, dhe nga ana tjetër Rusisë, Kinës dhe një numri në rritje shtetesh gjithnjë e më të forta nga Jugu Global.
Në festimet e mbajtura në Teheran të dielën e kaluar, nuk mund të mos shihej një Iran i guximshëm përmes asaj që u tha nga presidenti Ebrahim Raisi, i cili bëri thirrje për dëbimin e Izraelit nga OKB. Shfaqja e forcës ishte shumë e dukshme gjatë një parade në Sheshin Azadi (Liria), e cila shfaqi pajisje ushtarake iraniane si dronët Shahed, raketat balistike Qiam dhe lëshuesit satelitorë Simorgh, disa prej të cilave kanë qenë aktive në zonat e konfliktit nga Ukraina, Gaza, Iraku, Siria, Libani jugor dhe deri në Detin e Kuq.
Që nga fillimet e Republikës Islamike, Irani ka përjetuar regjime të ndryshme sanksionesh dhe ka arritur jo vetëm që të mbijetojë, por edhe të hakmerret ndaj kundërshtarëve, si dhe të zhvillojë një program bërthamor. Ai pretendoi se kjo e fundit ishte për qëllime paqësore, por nuk gënjeu dot askënd.
Sepse ai ka shërbyer si një bazë për një projekt gjithnjë e më të suksesshëm të zhvillimit të armëve, që ka sjellë prodhimin e armëve të përparuara dhe njohuri teknike për milicitë e përkrahura prej tij. Mbi të gjitha, Irani ka arritur të përdorë si armë, pjesë të komunitetit shiit në mbarë botën, dhe ta shndërrojë atë në një “majë shtize’ për avancimin e interesave dhe qëllimeve iraniane.
Përmes këtij komuniteti, Irani mund të pretendojë se ka arritur të eksportojë revolucionin e tij, pasi udhëheqja e tij mburret vazhdimisht për kontrollin nga Teherani të 4 kryeqyteteve arabe, përkatësisht Bejrutit, Bagdadit, Damaskut dhe Sanas.
Kjo është bërë edhe më e qartë që nga sulmet e 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit dhe luftës së mëpasshme hakmarrëse të nisur nga Tel Avivi, me konfliktet e ndezura nga milicitë pro-iranianë në pjesë të ndryshme të rajonit nën pretendimin e mbështetjes së Hamasit.
Javët e fundit, Teherani ka treguar më shumë guxim dhe aftësi - përmes kontrollit të të ashtuquajturit Aksi i Rezistencës dhe aftësisë së tij për t’u mobilizuar njëkohësisht në fronte të ndryshme - për të ushtruar presion mbi forcat që janë të vendosura të punojnë për të ruajtur ligjin dhe rendin, të paktën për rrjedhën e vazhdueshme të tregtisë dhe mallrave në mbarë botën.
Dhe ai po pozicionohet drejtpërdrejt ose indirekt për të dobësuar ndikimin e SHBA-së dhe Perëndimit, si dhe për të treguar kufizimet dhe madje edhe erozionin e fuqisë së SHBA-së në rajonin e Detit të Kuq. Pas 45 vjetësh, duhet pyetur nëse interesat iraniane i shërbejnë vërtetë udhëheqjes së saj në nivelet e brendshme, rajonale dhe ndërkombëtare.
Shumë njerëz besojnë se Irani është udhëhequr prej kohësh nga një vendosmëri e madhe për të mbrojtur regjimin e tij, dhe për të parandaluar përmbysjen nga forcat vendase ose të huaja. Dhe kjo është arritur pavarësisht situatës së pasigurt brenda vendit, siç është parë me demonstratat, kryengritjet dhe krizat e përsëritura.
E fundit nisi në shtator 2022, kur shpërtheu lëvizja “Gruaja, Jeta, Liria”. Regjimi po përshtatet ende me këto protesta, me një qëndrim me tolerance zero që po mbahet kundër të gjitha formave të shoqërimit, aktivizmit, dhe madje edhe tubimeve të vogla.
Ndërkohë, fasada e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ka rënë vitet e fundit. Regjimi po përballet me më shumë probleme në sigurimin e një pjesëmarrjeje të gjerë, ndërsa kontrolli ndaj listave të kandidatëve, përmes sistemit të tij të rreptë të verifikimit, bëri që kohët e fundit ish-presidenti Hassan Rouhani të cilësohej i papërshtatshëm për të kandiduar në zgjedhjet e ardhshme të Asamblesë së Ekspertëve.
Në të gjitha vitet e mia si gazetar dhe pas një sërë vizitash në Iran, jam lodhur duke iu përgjigjur pyetjes se cilat janë interesat e Iranit. Gjatë 45 viteve të fundit, Irani nuk ka devijuar në asnjë prej themeleve ku bazohet regjimi, dhe kryesisht ndaj përdorimit të doktrinës së tij fetare si një mjet për të menaxhuar shoqërinë dhe për të përdorur armët e tij të shumta revolucionare për eksportimin e revolucionit, dhe për të ndryshuar natyrën dhe orientimin në vendet e rajonit.
E gjitha kjo duke përdorur përkrahjen e saj për kauzën e çlirimit të Palestinës, dhe mposhtjen e Izraelit si një mjet për të fituar mbështetjen e masave në mbarë botën myslimane. Vitet e shumta të investimeve dhe vendosmërisë, i kanë sjellë qartazi përfitime regjimit në Teheran.
Por, a janë pjekur aq shumë Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei dhe dishepujt e tij në Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike dhe në Forcën Kuds, sa për të ndalur përhapjen e konflikteve, apo për të ndihmuar në përfundimin e tyre, me synim hapjen e rrugës së stabilitetit dhe zhvillimit? Nuk ka gjasa që edhe 45 vite të tjera t’i mësojnë revolucionarët të garojnë për paqe dhe prosperitet. Tek e fundit, një leopard nuk i ndryshon kurrë sjelljet e tij. /Përshtati “Pamfleti” nga “Arab News”
Shënim:Mohamed Chebaro, gazetar britaniko-libanez, me më shumë se 25 vjet përvojë në mbulimin e luftërave, terrorizmin, çështjeve të mbrojtjes, aktualitetit dhe diplomacisë.
Lini një Përgjigje