TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Shkurt 2024, 14:27

Marrëdhëniet Rusi-Serbi: Miq të vërtetë apo lojtarë pragmatikë?

Shkruar nga Nina Miholjcic- Ivkovic

  

Marrëdhëniet Rusi-Serbi: Miq të vërtetë apo
Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiç /

Por ndonëse Serbia përfaqëson një nga aleatët e paktë të mbetur në Evropë, Rusia ende nuk investon mjaftueshëm në arritjen e një marrëdhënieje të qëndrueshme dhe të qëllimshme me Serbinë...

Ngjashmëria e dukshme kulturore midis Rusisë dhe Serbisë, me origjinë tek identiteti sllav dhe Kisha Ortodokse, i bën këto dy vende aleatë thuajse të natyrshme dhe mbështetës të ndërsjellë e të pakushtëzuar të njërit-tjetri. Shumica e opinionit publik, të paktën në Serbi, mendon se rusët dhe serbët ndajnë lidhje të përjetshme kulturore dhe historike, të cilat shfaqen sidomos gjatë krizave.

Rusia është gjerësisht e respektuar dhe e admiruar në shoqërinë serbe. Shumë serbë besojnë se Rusia është “mikja më e madhe e Serbisë”. Përveç kësaj, bashkëpunimi në fushën energjetike, neveria ndaj Perëndimit dhe kundërshtimi i përbashkët ndaj pavarësisë së Kosovës kontribuojnë në forcimin e miqësisë midis Rusisë dhe Serbisë.

E megjithatë, një analizë më e thellë e marrëdhënieve ruso-serbe, tregon se kjo miqësi mund të mos jetë aq e fortë apo e “pastër” sa mendon publiku. Miqësia ruso-serbe romantizohet nga qarqet nacionaliste në të dy vendet, dhe është shfrytëzuar jo pak nga udhëheqës oportunistë kur këtë gjë e lejojnë rrethanat.

Zyrtarët në Moskë dhe Beograd, kanë qenë shumë më pragmatikë në lëvizjet e tyre në politikën e jashtme. Aq shumë sa miqësia ruso-serbe ka mbetur vetëm sa për emër në diskursin publik. Sepse është fakt që të dy vendet ndjekin interesat e tyre. Ndërkohë ndjenjat sociale të bazuara tek narrativat e përbashkëta historike dhe emocionale, përdoren me efektivitet nga elitat politike, synimi kryesor i të cilave është ruajtja dhe sigurimi i pushtetit brenda shoqërive të tyre. Konflikti i fundit Rusi-Ukrainë, ka zbuluar shumë qartë aspektin pragmatik të marrëdhënieve midis Moskës dhe Beogradit.

Politika e jashtme e Serbisë bashkëkohore është me dy fytyra. Ajo ndjek një politikë të jashtme balancuese ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit, duke e perceptuar një neutralitet të tillë si më të përshtatshmin për të mbrojtur interesat e veta në peizazhin gjeopolitik aktual. Zyrtarët serbë janë përpjekur të xhonglojnë midis aktorëve kryesorë të pranishëm në Ballkan, Perëndimit, Rusisë dhe Kinës, për të ruajtur pozicionin dhe interesat e tyre, të cilat herë pas here përputhen me interesat e shtetit.

Por Serbia nuk e ka miratuar zyrtarisht këtë strategji, duke lënë kësisoj hapësirë për manovrim më të madh dhe për më pak llogaridhënie ndaj aleatëve. Kjo qasje e dyfishtë në politikën e jashtme që u shpall pas pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 nga presidenti i atëhershëm serb, Boris Tadic, e cila mbështetet tek marrëdhëniet e mira me BE-në, SHBA-në, Kinën dhe Rusinë, ka mbetur në fuqi deri në ditët e sotme.

Politika e jashtme kontradiktore e Serbisë, reflektohet edhe në marrëdhëniet e saj me Rusinë. Zyrtarisht, Beogradi mbetet miku kryesor i Moskës në Evropë. Ai refuzon të mbështesë sanksionet e vendosura nga BE-së për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Sepse qeveria serbe llogariti se vendimi për të mos vendosur sanksione ndaj Rusisë do të sillte më shumë përfitime, pavarësisht presionit të shtuar nga BE-ja. Dhe kjo lëvizje ka pak të bëjë me narrativën e miqësisë. Së pari, falë këtij qëndrimi Serbia ka siguruar një furnizim të pandërprerë me gaz nga Rusia me kushte preferenciale.

Po ashtu ka forcuar pozitat e lidershipit aktual për shkak të sigurimit të nevojave të brendshme energjetike, dhe e ka shndërruar këtë vend në një eksportues të gazit në shtetet fqinje. Për më tepër, që pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, ekonomia serbe ka përfituar nga mos-vendosja e sanksioneve dhe liria e udhëtimit për rusët.

Shumë rusë të orientuar drejt biznesit, kryesisht nga sektori i IT-së, kanë themeluar kompani në vend duke e gjallëruar tregun vendas ende të pazhvilluar. Ndërkohë sektori i aviacionit ka përjetuar një rritje të ndjeshme të fitimeve për shkak të fluturimeve të shpeshta dhe të pakufizuara Moskë-Beograd.

Në aspektin e interesave politike, Serbia ka nevojë që Rusia të përdorë ndikimin e saj ndërkombëtar dhe të vendosë veton ndaj kërkesave të Kosovës për anëtarësim në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Beogradi e konsideron ende Kosovën si pjesë të territorit të tij, dhe vazhdon përpjekjet diplomatike për të penguar njohjen ndërkombëtare të saj.

Por ndonëse Serbia e vlerëson kundërshtimin e vazhdueshëm dhe të vendosur të Rusisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ajo nuk ka qenë plotësisht mbështetëse për aleaten e saj, sidomos që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Për shembull, Serbia mbështeti jo vetëm një rezolutë të OKB-së që denonconte agresionin rus kundër Ukrainës, por refuzoi të njihte aneksimin rus të territorit ukrainas.

Serbia nuk ngurron në asnjë rast të veprojë sipas interesave të saj personale, edhe nëse kjo nënkupton veprime që nuk përputhen me objektivat e aleatit të saj. Udhëheqja aktuale serbe e kryesuar nga Aleksandar Vucic e ka përsosur më tej qasjen e dykuptimtë në politikën e jashtme të vendit.

Sjellja e balancuar midis Lindjes dhe Perëndimit, mund ta vendosë Serbinë në një situatë të vështirë. Por një qasje e tillë i siguron qeverisë serbe më shumë pushtet brenda dhe jashtë vendit. Ndërsa shumë serbë e perceptojnë Rusinë si një aleate historike, elitat politike serbe kanë përfituar nga këto ndjenja publike duke vazhduar të lejojnë një narrativë pro-ruse përmes mediave të kontrolluara në mënyrë që të kënaqin publikun me orientim më nacionalist.

Për më tepër, lidershipi vazhdon të fajësojë Perëndimin dhe BE-në si shkaktarë të problemeve të ndryshme të brendshme, duke ia kaluar fajin entiteteve më pak të njohura brenda shoqërisë serbe për të qëndruar në pushtet. Disa parti politike haptazi pro-ruse, që janë shumë aktive në skenën politike serbe, shërbejnë si pasqyrim i ndikimit të kudondodhur të presidentit serb Aleksandar Vucic dhe Partisë së tij Progresive Serbe në pushtet, në vend të ndonjë shenje të veçantë të rritjes së ndikimit rus në vend.

Establishmenti qeverisës e ka mbështetur themelimin e partive pro-ruse, me synim shfrytëzimin e ndjenjave pro-ruse në publik, dhe për të fituar sa më shumë ndikim mbi pjesët më të mëdha të shoqërisë serbe që mbështesin një orientim dhe diskurs politik anti-perëndimor.

Rusia e percepton Ballkanin Perëndimor si një rajon të rëndësishëm për ushtrimin e taktikave të saj të politikës së jashtme, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me veprimet kundër integrimit në NATO dhe BE, si dhe ndaj pavarësisë së Kosovës, në mënyrë që njëkohësisht të nxisë paqëndrueshmërinë dhe ndjenjat anti-perëndimore, dhe të forcojë pozicionin e saj të një fuqie të madhe.

Në Ballkan, Serbia mbetet partnerja më e afërt e Rusisë për shkak të ngjashmërive kulturore dhe neverisë së ndërsjellë ndaj integrimit euroatlantik. Ndikimi politik i Rusisë në Serbi, është përforcuar përmes narrativave politike që e vënë theksin tek vlerat tradicionale, identiteti fetar i mishëruar tek Kisha Ortodokse, pansllavizmi dhe qëndrimi i Kremlinit për Kosovën.

Gjithsesi, ndikimi i Rusisë është i kufizuar në fushat politike dhe mediatike, pasi Moska nuk është ushtarakisht e pranishme në rajon, dhe ka ndikim ekonomik të pamjaftueshëm, i cili është kryesisht i orientuar drejt energjisë. Në sektorin ekonomik, BE-ja mbetet partneri më i madh ekonomik i Serbisë.

Ndërkohë Rusia e ruan ndikimin e saj ekonomik vetëm nëpërmjet lidhjeve energjetike dhe nuk është në gjendje të tejkalojë investimet ekonomike të Bashkimit Evropian në vend. Media dhe dezinformimi janë një mjet i dobishëm, të cilin Rusia e ka përdorur për të promovuar narrativat pro-ruse dhe për të shpërndarë ndjenjat anti-perëndimore përmes mediave (sociale) në rajon.

Rusia është në gjendje të ketë kontakte me publikun serb përmes mediave lokale, në veçanti tabloideve pro-qeveritare, për shkak të mediave të kontrolluara nga qeveria që promovojnë qëllimisht qëndrimet anti-perëndimore, si dhe narrativat pro-ruse dhe pro-kineze.

Kështu, narrativat ruse janë popullarizuar kryesisht në mediat lokale si rezultat i nismave lokale, dhe jo si rezultat i përfshirjes së drejtpërdrejtë ruse. Për sa kohë që është në interesin e qeverisë serbe që të ketë narrativa anti-perëndimore dhe pro-ruse që qarkullojnë në media dhe tërheqin publikun, propaganda ruse do të jetë në gjendje të depërtojë në shoqërinë serbe dhe të përhapë dezinformata në mënyrë efektive.

Por ndonëse Serbia përfaqëson një nga aleatët e paktë të mbetur në Evropë, Rusia ende nuk investon mjaftueshëm në arritjen e një marrëdhënieje të qëndrueshme dhe të qëllimshme me Serbinë. Përkundrazi për të zgjeruar ndikimin e saj në këtë vend, ndjek një politikë të jashtme oportuniste që synon entitete dhe tema specifike si politikanët pro-rusë, Kisha Ortodokse, kanalet mediatike, çështja e Kosovës dhe trashëgimia e përbashkët historike dhe kulturore./Përshtati Pamfleti nga “Geopolitical Monitor”

rusi -serbi lojtarë pragmatikë marrëdhënie miq të vërtetë

Lini një Përgjigje