TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Shkurt 2024, 11:55

“Plani i Kuq”: Ja si Rusia do të pushtojë 3 vendet e Baltikut

Shkruar nga Jan Kallberg

“Plani i Kuq”: Ja si Rusia do të pushtojë 3 vendet e

 Një dokument sekret i sapo-dekonspiruar i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, që përshkruan skenarin e fillimit të një sulmi në shkallë të plotë të Rusisë ndaj shteteve baltike dhe Polonisë - dhe kësisoj ndaj vetë NATO-s - është imagjinuar me shumë mjeshtëri.

Ai nis me regjimin e Putinit që mobilizon deri në 200.000 rekrutët të rinj në shkurt. Kjo lëvizje synon të rrisë presionin mbi Ukrainën. Ndërkohë ushtria ruse, nis një grumbullim

të trupave të saj në kufijtë e Polonisë dhe Lituanisë pranë Korridorit Suvalki.

Dokumenti konfidencial gjerman, sugjeron se kjo do të shkaktonte një mobilizim të madh të trupave nga NATO, dhe do të pasohej nga një sulm rus në fund të vitit, pikërisht kur Donald Trump rikthehet në detyrë (votuesit amerikanë e lejojnë këtë gjë). Po si mund të shkojnë gjërat pas atij momenti?

Një maksimë e vjetër ushtarake, thotë se nëse doni ta kuptoni kundërshtarin tuaj, atëherë duhet ta vendosni veten në vendin e tij. Unë e kam ndjekur skenarin deri në fundin e tij të mundshëm. Gjeneralëve rusë, do t’u duhej të fillonin menjëherë planifikimin e luftës.

Rusët i kanë qejf emrat domethënës, njësoj si homologët e tyre amerikanë, të cilët shpenzojnë shumë energji dhe kohë për të gjetur emrin më tërheqës. Duke pasur parasysh planin e vjetër të luftës të epokës sovjetike “Shtatë ditë deri në lumin Rin”, emri operacional i propozuar do të jetë “Plani i Kuq: Tri ditë deri në Paldiski (një komunitet i vogël në Detin Baltik në perëndim të kryeqytetit të Estonisë, Talin.)

Ky emër iu vu në momentin që mbërriti tavolinën e Vladimir Putinit, i cili e admiroi jehonën e tij historike. Së pari, duhet të bihet dakord mbi supozimet që ngre plani. Dhe kjo do të bëhej nën 5 premisa të përgjithshme. Së pari, shumica e forcave të armatosura të Evropës Perëndimore janë të papërgatitura dhe kanë aftësi të kufizuara.

Edhe ushtri të rëndësishme si ato të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe, kanë të meta serioze, ndërsa politikanët e tyre nisin të flasin në publik për programe masive të riarmatimit. Por në nivel njësie, gatishmëria është e njëjtë me 10 vjet më parë.

Formacioni i parë i rëndësishëm i NATO-s që do të mbërrinte në kufirin e Lituanisë do të ishte ai polak, pas rreth 72 orësh. Por forca të konsiderueshme gjermane dhe të vendeve të tjera evropiane të NATO-s, nuk do të dukeshin të front edhe për të paktën 10-15 ditë të tjera.

Natyrisht, ky është një fillim i tmerrshëm i luftës, pasi forcat e vogla të NATO-s (me gjithsej 6.000-7.000 trupa) të stacionuara në Baltik, mbështeten tek arritja e shpejtë të ndihmës. Zotimi i Berlinit për të dërguar një brigadë shtesë prej 4.000 trupash nuk është realizuar ende.

Anëtarët e NATO-s në Evropës Perëndimore, vazhdojnë të mos jenë në lartësinë e sfidës. Një shembull është ishulli kryesor suedez Gotland, që kontrollin qasjen në pjesën më të madhe në Detin Baltik. Ai mbrohet ende sot vetëm nga një kompani e mekanizuar (vetëm qindra trupa) dhe disa forca të rojes bregdetare vendase. Hendeku midis gatishmërisë së imagjinuar dhe gatishmërisë aktuale, i ofron Rusisë një mundësi të shkëlqyer.

Së dyti, që nga Lufta e Ftohtë, frika dhe padija mbi armët bërthamore në Evropën Perëndimore është rritur në një masë të tillë, saqë mbi to nuk diskutohet më fare. Të paktën në vitet 1970-1980, kishte një lloj diskutimi, edhe nëse ai vinte nga ata që kërkonin zhdukjen e plotë të armëve bërthamore.

Heshtjes mbi armët bërthamore, i shtohet edhe ekuilibri gjeopolitik pothuajse 80-vjeçar, ku armët bërthamore nuk përdoren kurrë, dhe shihen si instrumente vetëm për të demonstruar zotërimin e mekanizmit strategjik të parandalimit. Rusët nuk kanë vështirësi të tilla, dhe e dinë mirë se si mund të përdoren ato në  një mënyrë efektive.

Përdorimi i armëve bërthamore me rreze relativisht të vogël, do ta zhyste Perëndimin në një krizë të thellë ekonomike. Valët goditëse do të shkaktonin një panik të gjerë popullor, dhe po ashtu do të tronditnin udhëheqjen dhe sistemet politike dhe ushtarake. Ato do të shkaktonin një kaos të plotë në tregjet financiare.

Sulmet e 11 shtatorit 2001, nuk ishin vetëm një ngjarje vdekjeprurëse në aspektin njerëzor. Ato krijuan gjithashtu kaos në tregje. Tregjet amerikane u mbyllën për 5 ditë radhazi, dhe humbën 1.4 trilion dollarë në vlerë në javën që u rihapën.

Shpërthim i një arme bërthamore do të tmerronte investitorët, dhe bankat qendrore në Perëndim do të kishin shumë të vështirë të rivendosnin ekuilibrin. Është e vërtetë se përdorimi i armëve bërthamore nuk është diçka e mirë, por Rusia nuk shqetësohet për këtë. Ajo e ka mendjen tek efekti.

Së treti, si një planifikues i ushtrisë ruse, do të vlerësoja se forcat pararojë të NATO-s në Baltik do të jenë në thelb pasive. Atyre u mungon artileria, logjistika dhe mbështetja mjekësore e mjaftueshme, dhe kanë në dispozicion pak armë të rënda për t’i bërë ballë një sulmi të madh të ushtrisë ruse.

Ndaj unë do t’i anashkaloja këto njësi të NATO-s, dhe pasi të ndodhë kjo gjatë 72 orëve të para do të ketë pak ndërhyrje serioze në operacionet tona. Në vend se të na sulmojnë, njësitë e NATO-s do të mundohen të mbajnë territorin ku janë vendosur. Finlanda nuk do të ketë kohë për të mobilizuar apo zhvendosur njësitë drejt Rusisë,

Dhe as nuk do të kalojë kufirin rus, plotësisht e vetëdijshme për rrezikun e një reagimi bërthamor. Kështu, Rusia mund t’i mbajë të pandryshuara njësitë e saj ushtarake në atë zonë. Këto të fundit nuk do të kenë nevojë të përforcohen. Së katërti, ne do të sigurojmë befasinë. Analistët perëndimorë, përsëritin shpesh se rusët janë treguar kokëfortë në luftën e dështuar kundër Ukrainës. Kjo është e vërtetë. Ne bëmë disa gabime të tmerrshme, por edhe mësuam nga ato. Prandaj, në vend të javëve të tëra grumbullimi masiv në kufi (siç ndodhi me Ukrainën), ne do ta nisim ofensivën me trupat që kemi në vijën e parë.

Është e vërtetë, NATO-ja do të ketë vënë re njëfarë përforcimi në kufirin tonë, por nuk do të jetë e sigurt. Ne nuk do t’i ndajmë qëllimet tona me shumicën e qeverive apo kompanive të huaja. Edhe Kina nuk do të vihet në dijeni. Dhe ne mund të mbështetemi tek miqtë tanë në mediat sociale perëndimore për të përhapur gënjeshtrat tona, siç bënë në Ukrainë.

Shumë të tjerë do të sugjerojnë bisedime të nivelit të lartë. Ne rusëve na pëlqejnë bisedimet

e nivelit të lartë; ato i mbajnë të gjithë të zënë, derisa të jetë tepër vonë. Ndërkohë, armët e tjera të luftës ruse, njësitë tona të “zonës gri”, do të vazhdojnë të punojnë me fuqi të plotë. Makineria e tyre e mesazheve, do të jetë e kujdesshme që të mos demaskojë operacionin. Në fakt ajo do ta mohojë, atë dhe do të nxisë konfuzion rreth qëllimeve tona të vërteta. Do të nisë propaganda dhe operacionet psikologjike, duke angazhuar mijëra llogari të rreme të mediave sociale me emra anglofonë, që shpjegojnë se problemi është sërish agresioni i NATO-s.

Në qytetet perëndimore, do të ketë demonstrata për paqe. Ne rusët i njohim mirë rreziqet e mëdha ushtarake. Një forcë e vogël pushtuese, mund të përsërisë poshtërimin që pësuam në aeroportin Hostomel pranë Kievit në shkurt-mars 2022, kur njësitë tona speciale u asgjësuan nga ushtria ukrainase.

Në atë rast mësuam se guximi ka koston e vet. Por ne s’do të bëjmë dy herë të njëjtin gabim. Plani aktual është i thjeshtë. Plani i Kuq. Ditën e parë, lufta nis me një bombardim masiv

me raketa tët objektivave më të rëndësishme të armikut. Një skalion forcash të blinduara, helikopterë sulmues dhe artileri raketore shtyn përmes Estonisë Veriore në Narva dhe Talinit drejt Paldiskit.

Njëkohësisht, këmbësoria detare zbarkon në portin e Talinit. Në jug, një skalion i dytë shtyhet në veriperëndim nga Bjellorusia në drejtim të rajonit të Kaliningradit përmes Lituanisë. Më pas kthehet menjëherë në jug për t’u përballur me forcat e NATO-s që vijnë nga Polonia.

Forcat e njësive të prapavijës neutralizojnë mbrojtjen dhe rezistencën lituaneze në ditët në vijim. Letonia shpërfillet nga plani, sepse ushtrisë së saj i mungojnë mjetet për të sulmuar.  Tani vjen momenti më dramatik. Një pajisje bërthamore relativisht e vogël shpërthen

në lartësi të madhe mbi ujërat ndërkombëtare, duke lëshuar një puls të rëndësishëm elektromagnetik (EMP) për të shkatërruar komunikimet dhe sistemet kompjuterike në Gotland, përfshirë  ato qytetin kryesor Visby.

Më pas, një njësi ajrore në madhësinë e një batalioni pushton aeroportin. Ditën e dytë sigurohen objektivat e ditës së parë. Kur në ditën e tretë ushtria polake arrin në vijën kryesore të frontit, Kremlini e informon NATO-n se çdo përpjekje për të ripushtuar rajonet e reja baltike të Rusisë, do të shkaktojë një përgjigje bërthamore.

Pasi i telefonojnë Uashingtonin për ta paralajmëruar - për të shmangur shkaktimin e një reagimi bërthamor të SHBA-së - Forcat Raketore Strategjike të Rusisë në kufirin rus në Novaya Zemlya, ishulli i madh në veri të Murmanskut dhe në Detin e Siberisë Lindore në Lindjen e Largët, lëshojnë raketa që shpërthejnë në territorin e vet.

Sulmi nuk do të vrasë shumë rusë etnikë (shumica do jenë banorë vendas të kombësive të tjera, dhe Kremlini është indiferent ndaj mirëqenies së tyre), por do të nënvizonte se sa larg është i gatshëm të shkojë regjimi i Putinit. Ndërkohë, shërbimet sekrete aleate paralajmërojnë se satelitët dhe sensorët e saj, kanë zbuluar në det një numër të pazakontë nëndetësesh ruse me raketa strategjike.

Tani Kremlini i thotë Perëndimit se është një partner i arsyeshëm, dhe dëshiron të rivendosë marrëdhëniet vëllazërore. Rusia ofron një marrëveshje: Ne marrim shtetet baltike, plus një korridor tokësor përgjatë mbetjeve të një shteti ukrainas të ndarë. Do të marrim edhe Moldavinë. Tek e fundit, ju nuk jeni në gjendje të negocioni. S’ka asgjë për të negociuar. Dhe për shkak se ne jemi të arsyeshëm dhe kërkojmë marrëdhënie vëllazërore, do t’ju kthejmë Gotlandin si një shenjë e vullnetit të mirë. Çfarë thoni? /Përshtati Pamfleti nga “Center for European Policy Analysis”

Shënim:Jan Kallberg, ekspert në programin e Mbrojtjes dhe Sigurisë Transatlantike në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA).

plani i kuq rusia 3 vendet e balltikut

Lini një Përgjigje