Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç tha sot se pas 13 vitesh nga pezullimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak, janë paraqitur argumente për diskutim publik për ta shfuqizuar atë pezullim, por se kjo nuk do të thotë “përgatitje për luftë”.
Vuçeviç tha për RTS se “kthimi i shërbimit ushtarak nuk ka të bëjë me problemet në Kosovë”.
Ai tha se çdo vit ushtria serbe humbet rreth 60 mijë ushtarë nga rezerva, për shkak të moshës së vjetër dhe njëkohësisht çdo vit pranon apo regjistron rreth 1500 pjesëtarë të rinj profesionistë.
Ai theksoi se nëse rikthehet shërbimi i detyrueshëm ushtarak, Forcat e Armatosura Serbe do ta mbajnë edhe kuadrin e tyre profesional.
Serbia po konsideron rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të martën, duke përmendur tensionet në Ballkan e kudo në Evropë.
Ai ka thënë se ka marrë “argumente të forta” nga ushtarakët për ta rikthyer draftin, që ishte pezulluar më 2011 në përpjekjen për të profesionalizuar ushtrinë.
Siç shkruan “WashingtonPost”, presidenti populist nuk ka specifikuar kur do të nisë shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Ai ka thënë se Parlamenti duhet të votojë mbi propozimin.
Vuçiçi u ka thënë gazetarëve se shërbimi ushtarak do të vendoset të jetë mes 90 apo 100 ditëve.
Ideja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi është cilësuar si synim i saj për ta destabilizuar Ballkanin. Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci ka thënë se Serbia po kërcënon fqinjët dhe po synon t’i frikësojë e mbajë nën kontroll edhe qytetarët serbë.
Serbia tashmë është rrethuar nga shtetet anëtare të NATO-s. Por pavarësisht kësaj, ajo ruan raportet e afërta me Rusinë nga e cila furnizohet më së shumti ushtarakisht.
Lini një Përgjigje