E vetmja shpresë e Milos janë shqiptarët e boshnjakët, të cilët duhet të rrisin votat e tyre nga diaspora. Siç ndodhi edhe për referendumin e pavarësisë në 2006-n
“Vesi del me shpirtin”, thonë të vjetrit, e kështu po i ndodh edhe species prehistorike të politikës së Ballkanit, Milo Gjukanoviç. Edhe pse premtoi se do të largohet nga politika, presidenti aktual i Malit të Zi, vendosi që të rikandidojë sërish.
Madje i ka bërë letrat siç do ai për të fituar prapë.
Veprimi i Gjukanoviç ka ardhur pas dështimit të opozitës malazeze për të gjetur një kandidaturë të përbashkët për president. Kështu, tre parti filoserbe do të kandidojë tre personazhe; dy të rinj e një të vjetër. I vjetri është Andrija Mandiç, i cili drejtoi partinë më të madh serbe; Partinë e re Demokratike. Më pas vjen Aleksa Beçiç i Partisë Demokrate, ish- kreu i parlamentit gjatë mazhorancës së filoserbëve, si dhe Jakov Milatoviç, ministri i Financave të qeverisë së Zdravko Krivokapiçit.
Këtë situatë, Milo kërkon ta luajë në ajër, duke i dalë përballë pikës së dobët që kanë tre kandidatët kundërshtarë: Kishën Ortodokse Serbe!
Gjukanoviç kërkon të marrë votat e të gjithë atyre që urrejnë hegjemoninë e kishës serbe, e cila realisht fitoi në vitin 2020, kur partia e Milos humbi për herë të parë pushtetin.
Siç bën të ditur gazeta kryesor në vend, “Vijesti”, Gjukanoviç natyrisht që nuk mund të fitojë në raundin e parë, si asnjë kandidat tjetër. Por, në raundin dytë situata pritet të polarizohet fort deri sa fitorja do të ndahet me pak më shumë se 20 mijë vota gjithsejt.
E këto vota, sipas ‘Vjesti’-t Gjukanoviç ka planifikuar t’i marrë tek diaspora boshnjake dhe shqiptare e besimit musliman, që kthehen në atdhe në ditët e fillimit të muajit të Ramazanit. E pikërisht këtë ditë, 20 marsin ka zgjedhur Gjukanoviç për të zhvilluar raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Sipas një sondazhi të fundit, partitë proserbe së bashku janë në kuotën 48%, ndërkaq gjithçka varet nga URA e Abazoviçit, e cila është në kuotën e 4.5%. Megjithatë gjithçka do të përcaktohet se cili nga kandidatët për president të opozitës, do të dalë në raundin e dytë. Nëse del Mandiç, ai nuk merr dot votat e elektoratit gri, ndërsa Milatoviç më shumë e Beçiç më pak, edhe mund të tërheqin, pasi në antipod me Milon kanë pikë të forte, freskinë e tyre.
Shqiptarët, si gjithnjë janë të ndarë në dy grupe: Grupi i Ulqinit dhe ai i Malësisë. Shqiptarët e Malësisë, janë përpara një prove të rëndësishme më 5 mars, kur kanë zgjedhjet lokale për bashkinë e Tuzit. Ata janë të përqendruar në fitore dhe kanë grumbulluar Forumin Shqiptar, një koalicion partish që duan të mbledhin vetëm votat e pastra të shqiptarëve. Konkurrentët direktë të Forumit Shqiptar janë DPS e Gjukanoviçit dhe Partia Boshnjake. Shumica e shqiptarëve të Malësisë janë të besimit katolikë, ndërkaq, shqiptarët muslimanë shpesh kanë votuar edhe për partinë boshnjakë apo DPS-në e Gjukanoviçit për “inat të sime vjehrre”.

‘Vijesti’ shkruan se Gjukanoviç ka bërë llogari që të sjellë me avionë nga Europa një numër të madh emigrantësh shqiptarë e boshnjakë që do të vijnë për hapjen e muajit të Ramazanit, duke u paguar udhëtimin.
Sipas të dhënave joformale, në Evropën Perëndimore janë mbi 20 mijë emigrantë shqiptarë e boshnjakë me të drejtë vote, por këtë herë është problem sjellja e tyre, pasi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do të ndalojë financimin për udhëtime.
Ervin Ibrahimoviç, kryetar i partisë Boshnjake, do të udhëtojë së bashku me Gjukanoviçin në disa vende perëndimore, kryesisht në Gjermani, Luksemburg, më pas Suedi, Holandë për të bërë të mundur bindjen e diasporës të vijë për zgjedhje. Sipas sondazhit të deri tanishëm, partia e Gjukanoviçit është në kuotën e 30%, ndërkohë boshnjakët janë në kuotën e 4%, kurse aleatët socialdemokratë të Milos janë në kuotat e 6%.
Alternativa shqiptare është 2.4%. E vetmja shpresë e Milos janë shqiptarët e boshnjakët, të cilët duhet të rrisin votat e tyre nga diaspora. Siç ndodhi edhe për referendumin e pavarësisë në 2006-n./Pamfleti
Lini një Përgjigje