TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Mars 2025, 15:36

Pesë pengesat kryesore për arritjen e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës

Shkruar nga Mark Urban

 Pesë pengesat kryesore për arritjen e paqes midis Rusisë dhe

Në negociatat e radhës, shumëçka do të varet nga vullneti i të dyja palëve për të bërë lëshime...

Ka shumë pikëpyetje nëse mund të arrihet një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës.

Por përgjigjet do të fillojnë të bëhen më të qarta sot në Riad. Palët ndërluftuese kanë dërguar delegacionet e tyre në kryeqytetin saudit, me synim zgjerimin e idesë bazë të shpallur këtë javë, se do të ndalojnë së shënjestruari sistemin energjitik të njëri-tjetrit dhe infrastrukturës kombëtare më të rëndësishme.

Deri më tani, nëse paqja është e mundur dhe si mund të garantohet ajo, ka qenë kryesisht një debat midis Ukrainës dhe aleatëve të saj perëndimorë. Presidenti rus Putin, e ka pranuar në parim idenë e një marrëveshjeje, por pa bërë asnjë lëshim nga kushtet e tij. Por edhe ai ka arsye që të ndryshojë qëndrim.

Nga raundi i ri i bisedimeve në Arabinë Saudite, mund të kemi më në fund një ide se nga çfarë është apo jo i gatshëm të heqë dorë lideri rus për t’i dhënë fund luftës, ose të paktën për ta ndërprerë përkohësisht atë.

1. Kufizimet e armëpushimit

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Tammy Bruce, deklaroi javën e kaluar, se Ukraina dhe Rusia ishin “në pragun e një armëpushimi të plotë”, dhe se bisedimet në Riad mund të çojnë në “një paqe të qëndrueshme”. Por deri në atë pikë, mbeten shumë pengesa për t’u kapërcyer.

Qëllimi i parë i deklaruar i bisedimeve është qartësimi se cilat pika, si stacionet energjitike apo depozitat e naftës, do të përjashtohen nga sulmet me rreze të gjatë. Pika tjetër është zgjerimi i armëpushimit në Detin e Zi. Flota ruse është goditur gjatë 3 viteve të luftës, duke humbur luftanijen e saj kryesore “Moskva” në prillin e vitit 2022, por edhe shumë anije të tjera.

Mbështetësit e Ukrainës, dyshojnë nëse Kremlini do jetë më i prirur të mbrojë mbetjet e flotës së saj dhe objektet e saj të naftës nga sulmet e Ukrainë me dronë me rreze të gjatë veprimi, sesa të ndërpresë luftimet në vijat e frontit, ku trupat e saj tokësore vazhdojnë ende të përparojnë.

Gjithsesi, pavarësisht suksesit të fundit në dëbimin e trupave ukrainase nga pjesa më e madhe e territorit rus të pushtuar gjatë sulmit nw Kursk vitin e kaluar, lufta tokësore nuk po arrin ende të shënojë përparime domethënëse për Kremlinin. Javën e kaluar, shërbimi sekret britanik, vlerësoi se deri më tani lufta i ka kushtuar jetën 250.000 ushtarëve rusë.

2. Monitorimi ushtarak i paktit

Presidenti ukrainas Zelensky, e ka bërë gjithmonë të qartë se nuk dëshiron që lufta të përfundojë me një përsëritje të Marrëveshjeve të Minskut si 10 vite më parë, një dredhi që ndaloi luftimet në Donbass, duke i shtyrë për më vonë temat në të cilat Kremlini refuzoi të angazhohej sinqerisht.

Dhe një armëpushim në këtë moment, mund të jetë i ngjashëm: do të garantonte fitimet territoriale të Rusisë në 3 vitet e fundit. Kievi do të kërkojë një mbikëqyrje efektive dhe garanci që rusët të mos e destabilizojnë Ukrainën, dhe të rifillojnë luftimet sa herë që duan. Monitorimi duhet të kryhet nga avionë dhe satelitë perëndimorë. Por kjo s’ka gjasa të pranohet nga Moska.

3. NATO dhe Ukraina

Rusia ka refuzuar vendosjen e trupave perëndimore në Ukrainë. Zelensky do të përpiqet të këmbëngulë që Ukraina të ketë garanci sigurie të qëndrueshme nga aleatët e saj ushtarakë perëndimorë. Po si mund të ecë përpara një marrëveshje? Së pari do të ishte e gabuar të supozohej se qasja konstruktive e Putin ditët e fundit është pozicioni i tij përfundimtar.

Është e qartë se Ukraina nuk do t'i bashkohet NATO-s. Por sikur vendet perëndimore të krijojnë baza stërvitore ushtarake në zona të përcaktuara gjeografike, për shembull në perëndim të lumit Dnipro, që ndan më dysh vendin? Ushtritë e NATO-s kanë kryer misione të tilla në Ukrainë para pushtimit të vitit 2022. Strategët britanikë dhe francezë, parashikojnë vendosjen e të paktën 20.000-30.000 trupave me një mandat ende të paqartë.

4. Një çështje territori

Zelensky ka thënë se vendi i tij nuk do ta njohë kurrë sovranitetin rus në mbi 20 për qind të vendit të tij që është i pushtuar, por edhe se ajo s’mund të rimerret me forcë. Ndërkohë, administrata Trump ka deklaruar se pushtimin e zonave si Krimea e cilëson një fakt të kryer.

Një formulë për të shpëtuar fytyrën, në të cilën të dyja palët e pranojnë se vija aktuale e frontit është kufiri i tyre de fakto - dhe statusi i territoreve të pushtuara të vendoset më vonë - sugjerohet nga disa që citojnë shembullin e armëpushimit korean të vitit 1953. Por problemi është se kjo na kthen tek lloji i marrëveshjes që Zelensky është i vendosur të shmangë.

5. Diktimi i të ardhmes së Ukrainës

Dy nga kërkesat e Moskës, që mund ta prishin më lehtë këtë proces, janë ndalimi i dërgesave të armëve perëndimore dhe përpjekjet për të kufizuar përmasat e ushtrisë së Ukrainës. Këmbëngulja për pikën e dytë, ka të ngjarë të merret si një shenjë e qartë se Kremlini synon ta pushtojë sërish pasi të ketë rifreskuar dhe rindërtuar ushtrinë e tij.

Ndaj Zelensky dhe liderët evropianë do të rezistojnë, derisa të shohin shenja të qarta një të armëpushimi. Edhe nëse Zelensky e pranon se Rusia e ka penguar anëtarësimin e vendit të tij në NATO, rëndësia themelore e Evropës për sigurinë e ardhshme të Ukrainës, mund ta bëjë zhvillimin e një marrëdhënieje më të fortë me BE një “vijë të kuqe” për presidentin ukrainas./Pamfleti nga “Sunday Times”

pengesa marrëveshja rusia ukraina

Lini një Përgjigje