
Evropianët e kanë kuptuar se bota po ndryshon shumë shpejt. Por duhen sqaruar shumë detaje të rëndësishme mbi planin e riarmatimit...
Plani i propozuar nga Komisioni Evropian për forcimin e aftësive ushtarake të BE-së dhe anëtarëve të saj, u miratua me shumicë të madhe votash nga Këshilli Evropian dhe më pas nga Parlamenti Evropian. Ky është padyshim një lajm i shkëlqyer dhe një shenjë se evropianët e kanë kuptuar se bota po ndryshon, madje shumë shpejt.
Se Rusia e Putinit është një kërcënim real dhe konkret edhe për këtë pjesë të Evropës, dhe që SHBA-ja e Trump dhe Musk nuk janë më ata aleatë të besueshëm, të cilëve Evropa ua kishte deleguar mbrojtjen e saj për rreth 80 vjet. Plani i miratuar më 6 mars, është vetëm tregues i një rruge afatmesme, teksa mbeten ende jo pak detaje të rëndësishme për t’u sqaruar.
1. Çështja e riarmatimit kombëtar
Në një fazë të parë, do të jetë i pashmangshëm forcimi i aftësive ushtarake të vendeve të veçanta evropiane. Të paktën derisa BE të ketë një komandë të unifikuar dhe një qendër të vetme të blerjeve, do të jenë shtetet anëtare, ato që duhet të investojnë më shumë dhe më mirë që forcat e tyre të armatosura të marrin pjesë në projekte dhe nisma të përbashkëta të vendosura brenda bllokut.
Por me kushtin që shpenzimet e reja të autorizuara ose të financuara nga BE-ja të synojnë projekte në nivel evropian. Dhe të nisin zbatimin e programe të përbashkëta për të plotësuar mangësitë më të dukshme të evropianëve (sistemet e mbrojtjes kundër raketave, sistemet satelitore, dronët dhe sistemet anti-drone, përdorimi i inteligjencës artificiale, etj).
2. Marrëdhëniet me NATO-n
BE-ja lindi si një projekt integrues ekonomik, dhe me kalimin e viteve ka zhvilluar dimensionin e vet politik. Por ajo nuk kishte dhe s’ka vokacionin për t’u shndërruar
në një aleancë ushtarake. Prandaj, forcimi i mbrojtjes evropiane, të paktën në fazën fillestare, duhet parë mbi të gjitha si një forcim i aftësive mbrojtëse të evropianëve, të cilat do të përdoren në një kuadër bashkëpunimi dhe koordinimi me NATO-n.
Dhe kjo është edhe më e vërtetë në një situatë, në të cilën synimet e Shteteve të Bashkuara në lidhje me përfshirjen e tyre në Aleancën Atlantike janë të paqarta, dhe kur NATO mund të jetë e destinuar të evropianizohet.
3. Ushtria evropiane
Për momentin, nuk bëhet fjalë për krijimin e një ushtrie të përbashkët, por për përmirësimin e aftësive kombëtare, që do të përdoren në shërbim të misioneve dhe operacioneve të përbashkëta.
Kjo edhe sepse një ushtri e përbashkët, do të presupozonte ekzistencën e një referenti të vetëm politik nga i cili do të merrte urdhra, një autoritet të vetëm politik nga i cili do të varej, një person të vetëm përgjegjës për zinxhirin e komandës dhe kontrollit, dhe objektiva mbi të cilët duhet bërë një përparim i shpejtë, por që aktualisht nuk janë ende realitet.
Edhe NATO, e cila është ende një aleancë ushtarake, nuk ka forca të armatosura të përbashkëta, por forca të armatosura kombëtare që janë në dispozicion të një komande të unifikuar për operacione të përbashkëta.
4. Proceset e vendimmarrjes
Siç po shihet nga debati rreth kontributit të evropianëve në dhënien fund të konfliktit në Ukrainë, po konsolidohet ideja se Evropa duhet të përdorë mekanizmat e fleksibilitetit në zbatimin e nismave evropiane në fushën e mbrojtjes.
Prandaj, do të jetë e nevojshme të shpenzohet më shumë dhe më mirë në mbrojtje, të përmirësohet ndërveprueshmëria dhe sinergjitë ndërmjet ushtrive kombëtare, të krijohet një treg i brendshëm për industrinë e mbrojtjes, dhe një bazë e përbashkët evropiane për industrinë e mbrojtjes. Por do të jetë po aq e nevojshme të pranohet kur është e nevojshme, përdorimi i grupeve të vogla dhe i koalicioneve vullnetare.
5. Mbrojtja evropiane si një prioritet i vetëm
Para se ”cikloni Trump” të godiste Evropën, BE-ja kishte miratuar një program pune që mbetet i rëndësishëm edhe sot. Ishte një program i strukturuar rreth 3 shtyllave të zhvillimit të inovacionit, teknologjive të aftësimit dhe përdorimit të aplikacioneve të inteligjencës artificiale, të procesit të dekarbonizimit të pajtueshëm me një politikë industriale që synon forcimin e konkurrencës, dhe një strategjie që synon arritjen e një sigurie më të madhe edhe përmes reduktimit të varësive strategjike. Mbrojtja evropiane është pjesë e këtij programi. Por do të ishte gabim ta konsideronim atë si temën e vetme që po diskutohet./ Përshtati "Pamfleti" nga “Huffington Post Italia”.
Lini një Përgjigje