TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota20 Mars 2025, 11:29

Evropa të mos e humbë durimin, pas Trumpit SHBA do rikthehet ajo që ka qenë!

Shkruar nga Adrien Jaulmes
Evropa të mos e humbë durimin, pas Trumpit SHBA do rikthehet ajo
Chack Hagel

Trump po krijon probleme të mëdha duke thënë se SHBA nuk mund ta mbështesë më Ukrainën, duke mbajtur anën e Putinit dhe akuzuar Ukrainën për fillimin e luftës!

Ish-senatori republikan nga Nebraska, i cili shërbeu si Sekretar i Mbrojtjes nën presidentin Barack Obama, Chack Hagel, thotë se është i shqetësuar për vendimet e administratës aktuale.

A është kjo një krizë e përkohshme në marrëdhëniet SHBA- Evropë, apo jemi dëshmitarë të vënies tërësisht në pikëpyetje të rendit ndërkombëtar aktual?

Për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, po sfidohen themelet bazë të rendit botëror, që u ndërtua nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe demokracitë e tjera. Institucionet e ndërtuara pas luftës ishin të papërsosura. Megjithatë ato u shërbenin interesave të përbashkëta, tregtisë së lirë, shtetit të së drejtës, duke u dhënë të gjitha kombeve shpresë, mundësi, arsim dhe siguri, sidomos Evropës.

NATO ishte veçanërisht e rëndësishme, pasi ishte një institucion i sigurisë kolektive, duke ofruar sigurinë se të gjitha kombet do të dilnin në mbrojtje të njëri-tjetrit. Sot kjo garanci po dëmtohet në një mënyrë që nuk e kemi parë kurrë më parë. Nuk e di se ku po shkojmë, por jam shumë i shqetësuar.

Shpresoj se udhëheqësit tanë do të ulen të bisedojnë dhe të nisin të kuptojnë se veprimet kanë pasoja, po ashtu edhe mosveprimet. E para nga këto pasoja, është se po i detyrojmë aleatët tanë në Evropë të punojnë me vendet e tjera për të pasur zgjedhje alternative për sigurinë e tyre. Kinezët po i ndjekin nga afër këto zhvillime. Dhe nuk ka dyshim se Putin po e shijon shumë spektaklin.

A është komprometuar besueshmëria e NATO-s?

Po, për shkak të lidershipit të ri në Shtetet e Bashkuara, besueshmëria e Nenit 5 është tashmë në rrezik, diçka që nuk ka ndodhur kurrë nën asnjë president amerikan, republikan apo demokrat, që kur aleanca u krijua gjatë presidencës së Harry Truman. Neni 5 është zbatuar vetëm një herë në historinë e NATO-s, kur Shtetet e Bashkuara u sulmuan në vitin 2001, dhe vendet e NATO-s u bashkuan për të na ndihmuar.

A jemi dëshmitarë të një ringjalljeje të traditës së vjetër izolacioniste amerikane që mbizotëronte para Luftës së Dytë Botërore?

Periudha e fundit e izolimit të Shteteve të Bashkuara, daton që në vitet 1930, kur Kongresi refuzoi të ratifikonte Traktatin e Versajës dhe t’i bashkohej Lidhjes së Kombeve, të cilën presidenti Woodroë Wilson e mbrojti në fillim. Por kjo qasje do të ndryshonte shumë shpejt pas ngjarjeve të fundit të viteve 1930.

Dhe në vitin 1941 kur u sulmuam nga japonezët, s’kishim zgjidhje tjetër veçse të hynim në luftë. Rikthimi ynë drejt izolacionizmit është rezultat i harrimit të historisë sonë. Unë nuk e di nëse presidenti Trump apo Elon Musk kanë shumë njohuri historike.

Por duket se ata nuk e kuptojnë se një nga arsyet e madhështisë së Amerikës vjen nga aleancat tona dhe nga bota që kemi ndërtuar dhe promovuar pas Luftës së Dytë Botërore.

Tregtia ndërkombëtare, tregtia e lirë, liria e transportit detar, të gjitha aleancat tona, veçanërisht NATO, i japin mundësi SHBA-së të përdorin fuqinë në një mënyrë që Kina dhe Rusia s’kanë mundur asnjëherë. Pa këto lidhje, ne nuk do të ishim as të sigurt dhe as ekonomikisht konkurrues sa jemi sot.

A ka ndonjë bazë argumenti se ndihma amerikane për Ukrainën, i dobëson Shtetet e Bashkuara në raport me përballjen me Kinën?

Jo, pasi kjo zgjedhje nuk ekziston. Ne s’mund të zgjedhim të mbrojmë interesat tona në Azi-Paqësor, duke hequr dorë nga Evropa. Interesat tona, qofshin ato të sigurisë apo ekonomike, nuk janë të kufizuara në një rajon të botës.

Ne i kemi mbrojtur dhe bashkëpunuar me aleatët tanë në mbarë botën që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, gjë që ka na ndihmuar për ta bërë ekonominë tonë më të madhen dhe më të begatën në botë. Dhe tani po dëgjojmë se për ta bërë Amerikën sërish të madhe, duhet të flakim tej gjithçka që e bëri atë të shkëlqyer?

Në vend se ta vendosim Amerikën në plan të parë, po sillemi si një komb grabitqar, si kur i themi Kanadasë se duhet të jetë shteti ynë i 51-të, se do të marrim Kanalin e Panamasë, do të dëbojmë të gjithë palestinezët nga Gaza dhe ta bëjmë atë një vendpushim turistik.

Ky është një diskurs i papërgjegjshëm dhe i rrezikshëm, sepse i largon aleatët. Ata nuk na besojnë më. Nuk e dinë se çfarë do të bëjmë dhe çfarë jo. Teza se duhet të tërhiqemi nga Evropa për të garantuar sigurinë tonë përballë Kinës, është e pakuptimtë dhe e rrezikshme për të ardhmen e vendit tonë por edhe për botën.

A nuk duhet të negociojmë me Putin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë?

Konferenca e Mynihut në 1938-ën, përbën një kujtesë të qartë të asaj që ndodh kur toleron diktatorët dhe tiranët: është një recetë për një katastrofë të afërt, dhe kjo është ajo që do ndodhë nëse nuk e mbrojmë Ukrainën. Sigurisht, unë e mbështes paqen.

Edhe vetë Ukraina dëshiron paqe, pasi është ajo që vuan më shumë çdo ditë nga mizoritë e Putinit. Ukrainasit duan paqe, por jo me çdo kusht. Ata e dinë shumë mirë se çfarë ka ndodhur dhe çdo të ndodhë më pas nëse mbajmë një qëndrim të butë.

Trump po krijon probleme të mëdha, duke thënë se kjo luftë duhet të përfundojë dhe se SHBA nuk mund ta mbështesë më Ukrainën, duke u përplasur para kamerave me Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë, mbajtur anën e Putinit dhe akuzuar Ukrainën për fillimin e luftës, duke thënë se Zelensky është diktator, dhe se do ta lërë Evropën të përballet vetë për sigurinë e saj.

Dhe telashe të reja pritet të vijnë jo vetëm nga Putini, por edhe nga Xi Jinping i Kinës, i cili po planifikon rimarrjen më forcë të Tajvanit. Kur toleron diktatorët, situata vetëm sa përkeqësohet. Këtë e kemi parë edhe më herët. Gati çdo president amerikan është përpjekur të rivendosë marrëdhënie të mira me Putinin. Por për të krijuar një marrëdhënie duhen dy palë, dhe kjo është e pamundur nëse pala tjetër nuk është e interesuar.

A ka ndikuar zgjerimi i NATO-s drejt Evropës Lindore në ndjenjën e pasigurisë së Rusisë, duke e nxitur atë të pushtojë Ukrainën, siç sugjerojnë disa analistë?

Jo, sepse vendet e Evropës Lindore, nga shtetet baltike, tek Polonia dhe Ukraina, u bënë të lira dhe të pavarura në vitin 1992. Dhe kjo do të thotë se njerëzit atje mund të marrin vetë vendimet e tyre. Nëse ata ndjehen më të sigurt dhe duan ta lidhin vendin e tyre me Perëndimin, me NATO-n dhe BE-në, kjo u takon atyre dhe jo rusëve.

E njëjta gjë vlen edhe për Ukrainën. Së dyti, NATO është një marrëveshje sigurie mbrojtëse, jo sulmuese. Ajo nuk ka nisur asnjëherë ndonjë luftë. U ndërtua për të penguar luftën në Evropë, dhe jo për të sulmuar një vend tjetër.

A e njihni Partinë Republikane aktuale, të cilën dikur e përfaqësonit në Senat?

Jo, nuk ka më Parti Republikane. Partia e James Baker, Henry Kissinger, George HW Bush dhe George W.Bush është zhdukur, e zëvendësuar nga Partia MAGA. Unë i kam njohur të gjithë presidentët që nga Nixon, dhe kam punuar me të gjithë që kur u ktheva nga Vietnami në vitin 1971.

Para se të vinte Trump, Partia Republikane ka besuar gjithmonë tek bashkëpunimi me aleatët, dhe ka mbështetur gjithnjë gjithçka që ishte dakordësuar në rendin tonë botëror të pas Luftës së Dytë Botërore. Kishte gjithmonë zëra kritikë në periferi, por ishte Trump në 2016-ën, ai që e rigjallëroi lëvizjen izolacioniste.

Cili është mesazhi juaj për evropianët?

Mos e humbni ende shpresën ndaj SHBA-së. Unë vetë shpresoj ne mund të rikthehemi aty ku ishim. Ne do të kemi gjithmonë mosmarrëveshje, dhe kjo është normale, por ne duhet të rishikojmë atë që ka ndodhur në botë që nga Lufta e Dytë Botërore.

NATO ka parandaluar një Luftë të Tretë Botërore, nuk ka pasur luftë bërthamore, më shumë njerëz janë të lirë dhe të begatë dhe të arsimuar në botë se kurrë në historinë e njerëzimit. Bota është frymëzuar gjithmonë nga Shtetet e Bashkuara, evropianët dhe Perëndimi, sepse ne jemi demokraci, pavarësisht të metave.

Njerëzit nuk ëndërrojnë të shkojnë në Rusi, Kinë apo Iran, por në Evropë apo Shtetet e Bashkuara. Prandaj mos e humbni shpresën tek ne. Ne do të vazhdojmë të punojmë me ju. Por gjëja tjetër që do t’iu thosha të gjithëve në Evropë është: Qëndroni të fortë, mos braktisi atë që besoni, sepse keni vuajtur më shumë se kushdo në Luftën e Dytë Botërore./ Përshtati "Pamfleti" nga “Le Figaro”

Lini një Përgjigje