
Presioni ushtarak rritet, por Hormuzi dhe balancat gjeopolitike e bëjnë rezultatin të pasigurt
Ndërsa ultimatumi i presidentit amerikan Donald Trump po i afrohet skadimit, lufta në Lindjen e Mesme hyn në një fazë vendimtare, me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin që intensifikojnë sulmet ndaj objektivave në Iran, por pa një rezultat të qartë strategjik.
Pas gjashtë javësh bombardimesh intensive, Teherani duket se ka arritur në përfundimin se nuk do të jetë pala e vetme humbëse në këtë konflikt. Në disa skenarë, situata mund të rezultojë edhe në forcimin e pozitës së tij rajonale.
Deklaratat e fundit të Trump, përfshirë paralajmërimin se “një qytetërim i tërë do të vdesë sonte”, kanë hapur interpretime të shumta. Megjithatë, analistët theksojnë se një pjesë e kësaj retorike duhet parë në kontekstin e stilit politik të presidentit amerikan, i njohur për deklarata maksimale dhe presion publik.
Nga pikëpamja ushtarake, aftësia e SHBA-së për të goditur rëndë Iranin është e padiskutueshme. Uashingtoni ka kapacitetin për të shkatërruar infrastrukturën energjetike dhe ushtarake të vendit. Por, siç theksohet në analizë, kjo nuk përkthehet në aftësinë për të “zhdukur një qytetërim”.
Irani përfaqëson një strukturë të thellë historike dhe shoqërore, ku edhe në rast goditjesh të rënda, sistemi dhe shoqëria kanë kapacitet të mbijetojnë dhe të rikuperohen në kohë. Po ashtu, çdo operacion ushtarak prek jo vetëm strukturat shtetërore, por edhe popullsinë civile, pa bërë dallime mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të regjimit.
Në këtë kontekst, SHBA përballet me një dilemë të njohur historike: si të dalë nga një konflikt që vetë e ka zgjedhur. Shembuj si Vietnami apo Afganistani tregojnë se epërsia ushtarake nuk garanton një dalje të qartë politike apo strategjike.
Sipas analizës, veprimet e fundit të Uashingtonit kanë kufizuar hapësirat për një tërheqje të kontrolluar, ndërsa çdo goditje e re, përveç dëmit fizik, minon edhe narrativën politike të një “fitoreje të shpejtë”.
Në këtë sfond, deklaratat e Trump mund të interpretohen edhe si një përpjekje për të imponuar një rezultat të shpejtë – një “lëvizje me rrezik të lartë” që ai ka përdorur shpesh në karrierën e tij, por që në këtë rast ka pasoja gjeopolitike shumë më të gjera.
Një nga elementët kyç të kësaj krize mbetet Ngushtica e Hormuzit. Para nisjes së konfliktit, Irani nuk e përdori këtë kartë, edhe pse kishte kapacitetin për ta bërë. Sot, situata ka ndryshuar: ngushtica është kthyer në mjetin kryesor strategjik të Teheranit.
Kontrolli – qoftë edhe indirekt – mbi këtë pikë kyçe të tregtisë globale të energjisë i jep Iranit një peshë të re diplomatike. Edhe në rast se SHBA arrin të sigurojë kontroll ushtarak të përkohshëm, mbajtja afatgjatë dhe menaxhimi i kësaj zone mbetet sfidë e madhe.
Në praktikë, çdo zgjidhje afatgjatë për Hormuzin ka gjasa të përfshijë Iranin, pavarësisht se kush është në pushtet në Teheran. Kjo, sipas analizës, përbën një “dhuratë të papritur” për Iranin: njohjen de facto si aktor i domosdoshëm në arkitekturën e sigurisë rajonale.
Në këtë mënyrë, ndërsa presioni ushtarak ndaj Teheranit rritet dhe ora e ultimatumit po numëron minutat e fundit, realiteti në terren mbetet kompleks: një konflikt ku epërsia ushtarake nuk garanton rezultat politik dhe ku çdo zhvillim i mëtejshëm mund të riformësojë balancat në të gjithë rajonin. /Përshtatur nga "Protothema"
Lini një Përgjigje