Si po i anashkalon Brukseli vetot për Ukrainën dhe Moldavinë, ndërsa për Ballkanin këmbëngul te meritokracia. Studiuesja Filipa Tsvetanova, kritikon standardet e dyfishta, që sipas saj po dëmtojnë rëndë gjithë besueshmërinë e procesit, teksa nga kjo situatë po përfitojnë udhëheqësit autoritarë në rajon, të cilët nuk ndihen të detyruar të bëjnë reforma të vërteta...
Institucionet e Bashkimit Evropian kanë ndërmarrë një hap të paprecedentë. Për të anashkaluar veton e Hungarisë ndaj hapjes së negociatave të Ukrainës - proces që përfshin edhe Moldavinë - kanë nisur në mënyrë jozyrtare punën në të gjithë kapitujt negociues.
Ky nuk përbën vetë procesin e anëtarësimit, pasi mungon ende miratimi unanim i 27 shteteve anëtare, por është më tepër një “shtytje teknike” për të filluar punën mbi të njëjtat dosje që do të jenë në qendër të përpjekjeve gjatë negociatave zyrtare.
Pra, sapo të hiqet vetoja hungareze, do të jetë e mundur të ecet më shpejt edhe në nivelin formal - duke hapur 6 grupet negociuese dhe duke i mbyllur ato kapitull pas kapitulli - bazuar në themelet e hedhura tashmë përmes diskutimeve dhe shqyrtimeve joformale që po zhvillohen aktualisht.
Megjithatë, ky vendim ngre pikëpyetje serioze, veçanërisht kur krahasohet me trajtimin e rezervuar për kandidatët e Ballkanit Perëndimor përgjatë viteve. Filipa Tsvetanova, studiuese në Universitetin e Leidenit (Holandë), thotë në këtë intervistë se trajtimi preferencial që po i jepet Ukrainës dhe Moldavisë e minon procesin e bazuar në meritë. Jo se ato nuk meritojnë mbështetje, por sepse e gjithë kjo dëshmon se pesha strategjike ka diktuar gjithmonë ritmin dhe trajtimin e kandidatëve.
-A mund të krijojë një precedent për kandidatët e tjerë përdorimi i negociatave jozyrtare për Ukrainën dhe Moldavinë? Apo është thjesht një përjashtim gjeopolitik?
Vetë Komisionerja për Zgjerimin në BE, Marta Kos, konfirmoi se ky vendim u mor për të shmangur humbjen e kohës ndërsa vetoja zyrtare e Hungarisë mbetet në fuqi. Prandaj, puna teknike vazhdon edhe pa miratimin formal politik. Ai që ka nxitur këtë qasje është realiteti politik në ndryshim i Evropës Lindore.
Ky është një përjashtim gjeopolitik dhe jo diçka që mund të kopjohet lehtësisht. Bashkimi Evropian i ka pasur këto mjete në dispozicion për vite me radhë, por vullneti politik për t’i përdorur ato për kandidatët e Ballkanit Perëndimor ka munguar gjithmonë, veçanërisht në rastin e Maqedonisë së Veriut, në fillim me veton greke dhe më pas me atë bullgare.
-Por nëse shohim rastin e Maqedonisë së Veriut, nuk duket se mund të zbatohet më i njëjti model?
Dallimi kryesor është se Ukraina dhe Moldavia nuk kanë pranuar një kornizë negociuese të hartuar posaçërisht për të qetësuar Hungarinë. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut është e detyruar nga një kornizë që rezulton nga vetoja bullgare, e cila kërkon ndryshime kushtetuese që janë shumë të papëlqyeshme në vend.
Edhe nëse BE-ja do ta zgjeronte këtë qasje jozyrtare ndaj Maqedonisë së Veriut, ajo do të vazhdonte të vepronte brenda un kuadri të deformuar tashmë nga një mosmarrëveshje dypalëshe që delegjitimon të gjithë procesin e negociatave.
-Si e kërcënon anashkalimi i vetos së Hungarisë ndaj Ukrainës besueshmërinë e procesit të zgjerimit të bazuar në merita?
Gatishmëria e BE-së për të gjetur zgjidhje alternative për Ukrainën dhe Moldavinë, e bën të pamohueshëm faktin se këto instrumente institucionale kanë ekzistuar gjithmonë. E gjithë kjo përfaqëson një pranim të heshtur për një Bashkim që e paraqet veten si “i bazuar në meritë” dhe i qeverisur nga rregulla të qarta.
Vetot e vendosura nga Franca, Holanda dhe Danimarka në vitin 2019 lidheshin me kriteret e Kopenhagenit dhe sundimin e ligjit. Kjo lloj vetoje është e pranueshme sepse bazohet në rreziqet për funksionimin e përgjithshëm të BE-së.
Anasjelltas, kur pretendimet historike dypalëshe maskohen si kushte për reforma, i gjithë kuadri negociues korruptohet nga brenda. Kur Maqedonia e Veriut ndryshoi emrin e saj, kjo ishte një sakrificë e madhe, por një tjetër veto pasoi brenda vitit. Nuk mund të ketë lëshime politike të pakthyeshme pa një garanci shpërblimi, përndryshe një kuadër i besueshëm anëtarësimi pushon së funksionuari.
-Ç’mund të ndodhë me procesin e pranimit nëse bëhen normë negociatat jozyrtare?
Nëse ato do të bëheshin normë vetëm për kandidatët më të favorizuar gjeopolitikisht, BE-ja do të krijonte një sistem zgjerimi me dy shpejtësi. Kjo do të dëmtonte më tej besueshmërinë e kushtëzimit të reformave.
Nëse Ukraina bën përparim jozyrtar ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet e bllokuar - pavarësisht përmbushjes së kërkesave formale - të gjithë kandidatët do të fillojnë të dyshojnë nëse anëtarësimi është realisht i arritshëm. Dhe ky mosbesim do të dobësonte aftësinë e BE-së për ta përdorur zgjerimin si instrument transformues.
-A rrezikon prioritizimi i urgjencës gjeopolitike ta transformojë anëtarësimin në BE në një mjet thjesht strategjik?
Urgjenca gjeopolitike është një sfidë reale pas pushtimit të Ukrainës. Por asimetritë procedurale kanë një kosto që paguhet nga kandidatët që presin prej dekadash. Së pari, qeveritë e Ballkanit mund të përballen me krizë politike kur u kërkojnë qytetarëve reforma të vështira, ndërkohë që shihet se përcaktuesi kryesor është nevoja strategjike e BE-së.
Së dyti, kjo mund të favorizojë aktorët autoritarë: nëse mesazhi është se BE-ja nuk shqetësohet për reformat, por vetëm për pozicionin gjeografik, do të zbehej ndjeshëm nxitja për demokratizim.
-Atëherë, çfarë duhet të bëjnë institucionet evropiane?
BE-ja duhet të jetë e ndershme: ose të pranojë se zgjerimi është mjet strategjik dhe të kufizojë për të gjithë abuzimin me veton, ose të angazhohet për një proces të pastër meritokratik dhe t'i mbrojë kandidatët nga mosmarrëveshjet dypalëshe.
Ajo që nuk mund të bëjë dot më, është të pretendojë se po ndjek një proces të bazuar në meritë, ndërkohë që vepron kryesisht mbi logjikën e urgjencës gjeopolitike. /Përshtati "Pamfleti" nga “Balcani Caucaso”
Lini një Përgjigje