
Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, ka dënuar ashpër përshkallëzimin e retorikës rreth luftës në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar se sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile përbëjnë krime lufte.
“Në bazë të së drejtës ndërkombëtare, sulmet e qëllimshme ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile janë krim lufte. Çdo person përgjegjës për krime ndërkombëtare duhet të përballet me drejtësinë,” deklaroi Türk, pa përmendur drejtpërdrejt asnjë nga palët e përfshira: SHBA, Iranin apo Izraelin.
Deklarata vjen në një moment kur tensionet janë në kulm dhe retorika mes palëve është përshkallëzuar ndjeshëm. Lufta, e nisur më 28 shkurt pas sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit, ka shkaktuar mijëra viktima dhe nuk ka shenja të qarta për ulje tensionesh.
Presidenti amerikan Donald Trump ka rritur tonet ditët e fundit, duke kërcënuar se do të “shkatërrojë” infrastrukturën energjetike të Iranit nëse dështojnë negociatat dhe nëse Ngushtica e Hormuzit nuk hapet menjëherë.
Në një reagim të fundit në platformën Truth Social, ai shkroi se “një qytetërim i tërë do të vdesë sonte”, një deklaratë që ka nxitur reagime ndërkombëtare.
“Dënoj valën e retorikës nxitëse që është përdorur javët e fundit nga të gjitha palët në konflikt, përfshirë kërcënimet për shkatërrimin e një qytetërimi të tërë dhe shënjestrimin e infrastrukturës civile. Është e neveritshme,” u shpreh Türk.
Ai paralajmëroi se realizimi i këtyre kërcënimeve do të përbënte disa nga shkeljet më të rënda të së drejtës ndërkombëtare.
“Deklaratat që përhapin frikë dhe terror tek civilët janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë,” shtoi ai, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërhyjë urgjentisht për të ulur tensionet dhe për të mbrojtur jetën e civilëve.
Deklarata e OKB-së vjen në një moment kritik, ndërsa afati i ultimatumit të SHBA ndaj Iranit po afron dhe rreziku i një përshkallëzimi të mëtejshëm mbetet i lartë.
Qe me fillimin e agresionit duhej te ndalohej. OKB nje Organizate parazite burokratesh, bashke me organizmat e saj, anjehere nuk i ka sherbyer njerezimit, por i ka sherbyer vetem shteteve hiena.