TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Prill 2026, 22:33

A do të goditet Irani? Trump: Jemi në negociata të nxehta, vendimi në orët e fundit

Shkruar nga Pamfleti
A do të goditet Irani? Trump: Jemi në negociata të nxehta,
Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë në “negociata intensive” lidhur me konfliktin me Iranin, duke refuzuar të japë detaje konkrete për ecurinë e bisedimeve.

“Nuk mund t’ju them, sepse aktualisht jemi në negociata të nxehta”, tha Trump në një intervistë të shkurtër telefonike për Fox News, duke sinjalizuar se zhvillimet janë në një fazë kritike.

Ai shtoi se pritet të informohet plotësisht mbi propozimin e kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif për një armëpushim dyjavor, një iniciativë që mund të çojë në shtyrjen e ultimatumit të vendosur nga SHBA.

E njoh shumë mirë. Është një njeri shumë i respektuar,” tha Trump për Sharif, pa konfirmuar nëse do ta pranojë propozimin.

Sipas burimeve të cituara nga mediat amerikane, administrata në Uashington mbetet shpresëplotë se negociatat përmes ndërmjetësve mund të prodhojnë një marrëveshje minimale me Teheranin. Një zhvillim i tillë mund ta shtyjë Trump të vonojë afatin për goditje ndaj termocentraleve dhe urave në Iran, ose të paktën të reduktojë intensitetin e operacionit ushtarak.

Megjithatë, situata mbetet e paqartë. Wall Street Journal raportoi se Irani ka ndërprerë kontaktet direkte diplomatike, ndërsa New York Times shkoi më tej duke theksuar se janë ndalur edhe kanalet indirekte. Pavarësisht kësaj, burime për CNN thanë se SHBA vijon të kërkojë një zgjidhje diplomatike dhe se zhvillimet mbeten shumë të lëvizshme.

Dy prej këtyre burimeve e përshkruajnë retorikën e ashpër të Trump – përfshirë paralajmërimin se “një qytetërim i tërë do të vdesë sonte” – si një strategji për të ushtruar presion maksimal ndaj Teheranit që të pranojë kushtet e Uashingtonit.

Megjithatë, e njëjta burime theksojnë se presidenti amerikan është i gatshëm të zbatojë kërcënimet e tij dhe të kalojë në operacione ushtarake të zgjeruara nëse negociatat dështojnë.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë ka bërë të qartë se vendimi final mbetet në duart e Trump.

Regjimi iranian ka deri në orën 20:00 sipas kohës lindore për të bërë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara. Vetëm presidenti e di se ku qëndrojnë gjërat dhe çfarë do të bëjë”, deklaroi zëdhënësja Karoline Leavitt.

Ndërsa ora po afron drejt afatit të vendosur, skenarët mbeten të hapur – nga një shtyrje e mundshme e ultimatumit deri te një përshkallëzim i menjëhershëm ushtarak, me pasoja të gjera për të gjithë rajonin.

trump shba iran

Lini një Përgjigje