Deri në atë datë, Perëndimi dhe partnerët vartës të Kinës, do të përgjaken nëpër luftëra të pafundme. Kështu, kur t’i vijë radha Tajvanit të sulmohet, askush nuk do të dëshirojë të dëgjojë më për luftime, raketa apo masakra. Madje as në pozitat e një pale të tretë.
Ishte çështje milimetrash. Në rast se atentati i Thomas Matthew Crooks do të kishte pasur sukses, Shtetet e Bashkuara do të ishin zhytur në një luftë civile. Dhe për shkak të dyshimeve mbi gjendje psiko-fizike të Biden dhe debatit të madh që vazhdon mbi vazhdimin ose jo të garës prej tij, do të ishin kompromentuar zgjedhjet presidenciale të planifikuara për në 5 nëntor.
Në këtë skenar dhe me sistemin amerikan të paralizuar, do të gjunjëzohej i gjithë Perëndimi. Më shumë se sa është tashmë. Për momentin, është e pamundur të dalë në dritë ndonjë gjë e sigurt në lidhje me identitetin “sekret” (duke supozuar se ka një të tillë) të atentatorit.
Për ditë më radhë do të furnizohemi me të dhëna mbi përkatësitë dhe preferencat e tij ideologjike. Ndoshta diskutimi do të vazhdojë për vite, në mos për dekada. Mbetet ende një misteri sesi Crooks, dukshëm me një shënjestër të mirë dhe një aftësi të padiskutueshme për të përdorur armë, ishte në gjendje të afrohej i pa shqetësuar në një distancë prej vetëm 120 metrash nga objektivi i zgjedhur.
Dhe madje të merrte pozicion dhe të gjuante. Siç ka ndodhur gjithmonë, edhe në këtë rast do të dëgjojmë dhjetëra njerëz që do të thonë se e panë, se e parashikuan dhe paralajmëruan autoritetet por që nuk u dëgjuan. Një përsëritje e çuditshme e fakteve të ndodhura edhe më parë.
Dhe secili prej nesh do të përshtatet lehtësisht me besimet tona para-ekzistuese shumë kohë përpara se të ndodhte ky akt. Megjithatë, është e qartë tabloja e përgjithshme që qëndron në sfondin e sulmit ndaj Donald Trump.
Për vite me radhë, një Perëndim pa udhëheqës - me përjashtim të Joe Biden, pavarësisht problemeve të njohura që ka - ka qenë nën shantazhin e Kinës, Rusisë dhe Iranit, që po bëjnë për vete shumë vende në Hemisferën Jugore.
Së pari përmendëm Kinën sepse sfida përfundimtare do të jetë me vendin e udhëhequr nga Xi Jinping. Pekini e zgjeron ndikimin, blen zona të tëra ekonomike në çdo pjesë të globit, dhe ndez dritën jeshile për luftërat nga të cilat mendon se mund të përfitojë.
Për më tepër, në botën atlantike ka personalitete që në mënyrë pak a shumë hapur e kanë vënë veten në shërbim të saj. Dhe Kina e ka shpallur datën strategjike për lojën e shekullit që ka të bëjë rimarrjen e Tajvanit:jo më vonë se viti 2049. Por ndoshta do të ndodhë shumë më herët. Dhe nëse gjërat do të shkojnë ashtu si tani, kjo do të ndodhë me shumë gjasa pa asnjë të shtënë.
Deri në atë datë, Perëndimi dhe partnerët vartës të Kinës, do të përgjaken nëpër luftëra të pafundme. Kështu, kur t’i vijë radha Tajvanit të sulmohet, askush nuk do të dëshirojë të dëgjojë më për luftime, raketa apo masakra. Madje as në pozitat e një pale të tretë.
Lufta në Ukrainë ka treguar se nga çfarë brumi është bërë Evropa. Disa surpriza pozitive erdhën nga vendet në kufi me Rusinë. Pati një angazhim të madh nga Britania e Madhe, pjesërisht nga Gjermania dhe në mënyrë të paparashikueshme nga Italia (por vetëm deri pak ditë më parë).
Pjesa tjetër kanë qenë vetëm llafe, shtyrje vendimesh dhe ndihmash, si dhe mungesë vullneti për të shpenzuar për blerjen apo prodhimin e armëve të reja. Që të gjitha përfunduan me thirrjet në kor për paqe (pra dorëzim), të mirëpritura me dashamirësi dhe nganjëherë me njëfarë tallje nga Vladimir Putin.
Megjithatë, duke mbetur në kontinentin tonë, duhet të përmendim pozitivisht figurat kryesore të BE-së dhe NATO-s, të cilët janë treguar në lartësinë e sfidave që paraqet koha. Ato po kompensohen nga aktivizmi i dy udhëheqësve, hungarezit Viktor Orbán (në shoqërinë e sllovakut Robert Fico) si dhe të Erdogan (vetëm NATO), të cilët luajtën me dëshirë me trekëndëshin e përmendur më sipër.
Por le ta pranojmë sinqerisht:kjo lojë nuk po shkon aspak mirë. Megjithatë, mbetet e panjohura më e rëndësishme:SHBA-ja. Dhe ja ku vijmë tek argumenti ynë kryesor. Pavarësisht gjithë problemeve që ka, Joe Biden e ka treguar veten një udhëheqës i qëndrueshëm, edhe pse ndoshta më i kujdesshëm sesa duhet në dërgimin e armëve për Zelensky-n në kohën kur i duheshin këto armë.
Sigurisht, ai u soll kështu për arsye shumë të kuptueshme. Nuk donte të mbante përgjegjësi për shpërthimin, ndoshta për shkak të pamaturisë së Ukrainës, të një lufte të vërtetë me Rusinë. Por Donald Trump mbetet i panjohuri më i madh në këtë ekuacion.
Në çdo deklaratë të tijën, Putin përpiqet ta bëjë atë të na duket si kukulla e tij, pra sikur të jetë një lloj Marine Le Pen, apo një nga ata evropianët që përmendëm më lart, të cilët prej kohësh janë vënë në dispozicion të kinezëve. Por me gjithë çmendurinë e tij, Trump mund të jetë një surprizë.
Nuk është e sigurt që po të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, Trump do të shndërrohej në një ekzekutues të urtë të urdhrave që vijnë nga Rusia, Irani dhe Kina. Natyrisht, ne e konsiderojmë Biden të besueshëm dhe Trumpin jo.
Por për të qenë në anën e sigurt, një luftë civile që përfshin Shtetet e Bashkuara, është në çdo rast shumë më e përshtatshme për Moskën, Pekinin dhe Teheranin sesa paparashikueshmëria e Trump. Le të saktësojmë diçka:nuk kemi ndërmend të nënkuptojmë se këto tre vende apo entitete të tjera të lidhura me to, kanë ndonjë lidhje me sulmin e Pensilvanisë.
Thjesht duam të themi se nëse sulmi i Crooks do të kishte sukses, Kina, Rusia dhe Irani do të kishin arsye të gëzoheshin. Në Uashington mund të ndodhë një kaos, i cili do të ishte i këndshëm në sytë e tyre, dhe që mund të preferohej edhe nga vetë Donaldit Trump./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Corriere della Sera”
Lini një Përgjigje