Ekziston përshtypja se në një situatë të tillë gjeopolitike ndërkombëtare, Franca përsërit kontradiktat që e karakterizojnë tashmë rendin botëror. Ky rend mund të hyjë në krizë, por kjo nuk duhet të çojë në një avari të plotë të sistemit.
Francezët kremtuan të dielën Dita e Bastiljes, kur filloi akti i parë i “revolucionit të madh” të vitit 1789, kur fortesa famëkeqe u pushtua nga populli i nxitur nga fjalët elektrizuese të Camille Desmoulins. 14 Korriku ngjall kujtime të mrekullueshme tek të gjithë evropianët dhe këtë vit duket se do të marrë një karakter edhe më të veçantë.
Pikërisht më 14 korrik, mbërriti në Paris pishtari olimpik, dhe pas një rrugëtimi në gjithë Francën, do të kthehet në kryeqytet të dielën e 26 korrikut, ditën e fillimit të Lojërave Olimpike. Duhet të jetë një ditë feste e madhe, madje më e madhe se ajo e përvjetorit të revolucionit.
Por paradoksalisht, Franca e Presidentit Emmanuel Macron e kaloi festën kombëtare në mesin e një krizë politike shumë të vështirë, të ndërlikuar. Dhe për momentin, pa një mundësi reale për zgjidhje. Tek e fundit, duket sikur Macron është bërë interpret i fatit të një fuqie si Franca, ku çdo gjë shpesh zgjidhet me kthesa të vazhdueshme.
Presidenti doli i sakatuar politikisht nga zgjedhjet evropiane, me më pak se gjysmën e votave që mori partia e ekstremit të djathtë të Marine Le Pen, dhe me gjysmën e votave të Frontit Popullor, i përbërë nga e majta e Franca e Papërkulur e e Mélenchon, socialistët e Glucksmann, si dhe nga të gjelbrit dhe komunistët.
Në këtë pikë, i dobësuar nga vitet e politikave jopopullore, Macron nisi një lojë të madhe:e shpërndau Asamblenë Kombëtare, gurin e themelit të institucioneve legjislative franceze dhe shpalli zgjedhjet e reja, duke shpresuar se sistemi zgjedhor francez, dhe sidomos raundi i dytë do të krijonte një rezistencë kundër të djathtës lepeniniste.
Në fakt këto zgjedhje ri-balancuan situatën, por vetëm pjesërisht. Fronti Popullor i së majtës mori 182 vende në parlament, centristët e Macron 168, ndërsa e djathta ekstreme e Le Pen mori 143 vende. Tre blloqe, me dy të parat shumë heterogjene, dhe asnjë koalicion nuk arriti kuorumin e shumicës absolute prej 289 vendesh.
Në këtë pikë, si mund të krijohet një qeveri sipas traditës franceze? Padyshim që po zhvillohen bisedime, ka përpjekje për të arritur një marrëveshje, por edhe qëndrime të ashpra, me Mélenchon që aktualisht po sulmon Macron më shumë se sa Le Pen.
Pra, pavarësisht përpjekjes së Macron për të blerë kohë dhe për të dobësuar të dyja krahët ekstremiste të parlamentit, dhe për t’i përçarë ato, duke u përpjekur kështu të krijojë një shumicë të qëndrueshme, ky mision po duket gjithnjë e më i vështirë.
Nuk është në frymën politike franceze të pasurit e një Asambleje Kombëtare, e cila nuk ka një shumicë të qartë. Ose ndoshta me një qëndrim ndryshe nga ato të Presidentit të Republikës, apo me një bashkëjetesë ndryshe midis Elysee (selisë së presidencës) dhe Matignon (asaj të parlamentit).
Por në çdo rast kemi një Asamble, e cila nuk qeveris dot me koalicione të improvizuara dhe të paqarta, dhe që nuk përdor dot mjetin me të cilin jemi mësuar ne italianët:të ashtuquajturat qeveri teknike. Në një situatë të ngjashme si kjo, në Francë vazhdojnë të bëhen referenca historike të pa ndryshuara.
Kujtojmë historianin e madh francez François Furet, i cili kujtonte gjithmonë se brenda pak vitesh pati 3 revolucione franceze, sepse nuk ishte e mundur të gjendej një zgjidhje e ekuilibruar. Gjithçka përfundoi me Konsullatën dhe më pas me Perandorinë.
Ka edhe nga ata që duke hamendësuar, kujtojnë se pasi u konsiderua heroi i Bastijës, Desmoulins vdiq i ekzekutuar në gijotinë në prillin e vitit 1794, së bashku me Georges Danton. Këto akte i paraprinë ekzekutimit pak më vonë të 2 revolucionarëve të tjerë të famshëm, Robespierre dhe Saint Just.
Pra kujtime të vjetra, që nuk janë shumë të lumtura në një atmosferë tejet të nderë. Por ka edhe nga ata që fokusohen vetëm tek lëvizja e rrezikshme e Macron, ajo e shpërndarjes së parlamentit dhe e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, që disa e krahasojnë me lojërat e mëdha që bënte dikur Napoleoni.
Në Austerlitz, perandori ishte në fillim në telashe, por më pas fitoi betejën e tij më të madhe. Në Vaterlo ai ishte ende në vështirësi, por në fund humbi betejën. Në këtë drejtim, na kujtohet edhe basti i ekonomistit të famshëm David Ricardo, i cili vuri bast gjithë pasurinë e tij për humbjen e Napoleonit në Vaterlo.
Pas pasojë u bë milioner, dhe më pas u tërhoq në fshat për të shkruar veprat e tij madhështore. Por përveç kujtimeve, ngjashmërive të çuditshme, ka disa rastësi që janë tepër delikate në këtë moment. Asambleja Kombëtare Franceze mblidhet të enjten për të zgjedhur kryetarin e saj, i cili ka shumë kompetenca.
Por po të enjten mblidhet edhe Parlamenti Evropian për të konfirmuar shumicën e Ursula Von der Leyen. Pra ka një seri ngjarjesh që kryqëzohen, dhe që mund të pengojnë zgjidhjet e mundshme. Çfarë fuqie negociuese mund të ketë ende në boshtin e vjetër franko-gjerman, duke qenë se ka mbetur pa një qeveri të besueshme?
Sa kohë mund të presë Macron për të pasur një qeveri të besueshme pas mbledhjes së Asamblesë Franceze? Dhe përballë kësaj situate, ku lëvizjet kundërshtojnë shpesh njëra-tjetrën, dhe ku Jean-Luc Mélenchon po bën propagandë dhe ndoshta edhe po ndikon tek socialistët e Glucksmann-it, çfarë zgjedhjeje mund të bëjë realisht Macron?
Ekziston përshtypja se në një situatë të tillë gjeopolitike ndërkombëtare, Franca përsërit kontradiktat që e karakterizojnë tashmë rendin botëror. Ky rend mund të hyjë në krizë, por kjo nuk duhet të çojë në një avari të plotë të sistemit.
E njëjta gjë vlen edhe për Francën. Përndryshe, pas një dështimi, dhe 3 viteve anemike në detyrë që i kanë mbetur Macron në presidencë, vetë Kushtetuta franceze mund të jetë e destinuar për një ndryshim të thellë dhe që papritur vendi të bëhet “Republika e Gjashtë”./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Il Sussidiario”
Lini një Përgjigje