TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Janar 2026, 22:43

Pamje të reja nga Minneapolis, oficeri i merr armën 37-vjeçarit dy sekonda para se të vritej (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Pamje të reja nga Minneapolis, oficeri i merr armën 37-vjeçarit
Pamjet nga sulmi ndaj 37-vjeçarit

Detaje të reja po dalin në dritë lidhur me incidentin fatal në Minneapolis, ku humbi jetën një 37-vjeçar amerikan, i identifikuar si Alex Jeffrey Pretty, banor i qytetit. Video të reja të publikuara në internet hedhin dritë mbi çastet dramatike që çuan në vdekjen e tij, përfshirë ndërhyrjen e dhunshme të agjentëve federalë gjatë protestave të fundit në qytet.

Në pamjet filmike, 37-vjeçari shihet duke u përpjekur të mbrojë një grua, e cila ishte shtyrë dhe rrëzuar në rrugë nga agjentë federalë gjatë përplasjes me protestuesit. Teksa tenton ta ndihmojë, agjentët e afrojnë dhe e spërkasin me spray piperi në fytyrë nga afër, duke e detyruar të rrëzohet mbi gruan që po përpiqej të mbronte.

Pas kësaj, videoja tregon se ai sulmohet nga disa agjentë, disa prej të cilëve janë të veshur civilë. Një moment kyç i videos ndodh rreth sekondës së 40-të, kur një agjent me xhup gri mer armën e tij, për të cilën është konfirmuar se e mbante me leje ligjore, dhe largohet nga vendngjarja.

Sipas deklaratës zyrtare të Agjencisë së Sigurisë së Kufirit të Brendshëm, agjentët hapën zjarr pasi burri afrohej me armë dhe nuk pranoi të çarmatoset, duke e cilësuar ngjarjen si një rast të “qitjes mbrojtëse”. Megjithatë, zyrtarët kanë konfirmuar se i ndjeri ishte pajisur me leje të rregullt për mbajtjen e armës dhe nuk kishte precedentë penalë seriozë.

Ngjarja ka rritur edhe më tej tensionin në qytet, që ndodhet tashmë nën presion pas një vale protestash të vazhdueshme. Shoqëria civile dhe grupet për të drejtat e njeriut kanë kërkuar hetim të pavarur, ndërsa publikimi i videos ka ndezur polemika të reja mbi përdorimin e forcës nga agjentët federalë dhe rolin e tyre në protestat publike.

Lini një Përgjigje