
Zgjedhjet demokratike përballen me një mori rreziqesh.
Deri në fund të këtij viti, më shumë se 2 miliardë njerëz do të kenë votuar në 73 palë zgjedhje kombëtare në mbarë botën. Por sado mbresëlënëse që mund të jenë këto shifra, ato na tregojnë pak për cilësinë e këtyre zgjedhjeve, dhe aq më pak mbi shëndetin e demokracisë globale.
Sepse tani e dimë, se nëse në mungesë të zgjedhjeve korrekte është e pamundur të ketë demokraci, një ritual elektoral mund të bashkëjetojë edhe me mungesën e demokracisë. Tek e fundit, cilësia e zgjedhjeve reflekton cilësinë e institucioneve. Mjerisht, cilësia e institucioneve demokratike është pa asnjë dyshim në rënie të vazhdueshme.
Sipas hulumtimit të Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore, organizata ndërqeveritare që drejtohet prej meje, 2023-shi ishte viti i 8-të radhazi në të cilin numri i vendeve që shënuan një përkeqësim të performancës së tyre demokratike, ishte më i madh se numri i vendeve që kishin regjistruar përmirësim.
Kjo është periudha më e gjatë në gjysmëshekullin e fundit, gjatë të cilit janë bërë hapa prapa në përmasa të tilla. Gjatë 5 viteve të fundit, gati gjysma e 173 vendeve të mbuluara nga raporti ynë, kanë përjetuar një përkeqësim të ndjeshëm në të paktën një element kyç të demokracisë, si liria e shprehjes, liria e medias dhe ajo e fjalës.
Në rast se janë dobësuar këta faktorë që favorizojnë një kontekst të përshtatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, atëherë nuk është për t’u habitur që nga raporti del në pah një element tjetër i rëndësishëm: që cilësia e zgjedhjeve, gjendet nën një presion të madh në nivel global.
Sipas matjeve tona, në 39 vende (21 prej të cilave janë në Afrikën Sub-Sahariane), procesi zgjedhor është sot dukshëm më pak i besueshëm se në vitin 2018, ndërsa vetëm 15 vende shënuan rezultate më të larta se 5 vjet më parë. Kjo situatë paraqet një përmbysje befasuese të tendencës në krahasim me vitin 2008, kur 40 vende kishin shënuar progres, ndërsa vetëm 15 kishin bërë hapa prapa krahasuar me 5 vjet më parë.
Sot, zgjedhjet demokratike përballen me një mori rreziqesh. Në mbarë botën, fushatat e keqinformimit dixhital, kërcënimet ndaj sigurisë kibernetike dhe vështirësitë serioze në mbikëqyrjen e fluksit të parave në fushatat zgjedhore dixhitale, ndikojnë në krijimin e një mjedisi kompleks për organet e monitorimit.
Shpeshherë këto të fundit mund të mbështeten vetëm në burime shumë të kufizuara. Me një frekuencë në rritje, këto organe detyrohen të përballen me ngjarje ekstreme të motit që prishin zgjedhjet, dhe që mund të kenë pasoja dramatike. Kështu, gjatë zgjedhjeve të fundit në Indi, dhjetëra zyrtarë të përfshirë në organizimin e zgjedhjeve vdiqën për shkak të vapës ekstreme.
Një aspekt ndoshta edhe më shqetësues është përkeqësimi i klimës politike, me polarizimin gjithnjë e më ekstrem, përhapjen e sulmeve ndaj autonomisë së autoriteteve zgjedhore - si ato që kanë ndodhur së fundmi në Meksikë dhe Brazil - dhe me përhapjen e përpjekjeve nga një pjesë e partive apo kandidatëve humbës për të baltosur proceset zgjedhore pa pasur prova se kanë ndodhur parregullsi.
Kjo e fundit meriton vëmendje të veçantë. Sepse globalizimi i dukurisë së mosnjohjes së zgjedhjeve, një patologji politike shumë serioze, i detyrohet shumë ngjarjeve që kanë ndodhur në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2016. Siç shihet në shumë vende, nga Mianmari në Peru, metoda e përdorur nga Donald Trump për të hedhur hije dyshimi të pabaza mbi rezultatet e besueshme të zgjedhjeve, është bërë fatkeqësisht globale.
Dhe ndikimi i të gjitha këtyre sfidave me të cilat përballet demokracia është i dukshëm. Një sondazh i fundit i kryer në 19 demokraci në mbarë botën nga International IDEA, zbuloi se në 11 prej tyre, as gjysma e të anketuarve nuk thanë se zgjedhjet e fundit në vendet e tyre kishin qenë të lira dhe të ndershme.
Një studim tjetër, tregoi se midis viteve 2020-2024, gati 1 në 5 kandidatë ose parti humbëse, refuzoi të pranonte rezultatin e zgjedhjeve. Dhe po aq zgjedhje u vendosën nga gjykatat. Aspekti më shqetësues, është se gjatë 15 viteve të fundit, pjesëmarrja mesatare globale e votuesve ka rënë nga 65 në 56 për qind.
Në mbarë botën, shumë qytetarë dhe politikanë po e humbin besimin tek aftësia e zgjedhjeve për të pasqyruar preferencat e votuesve, prodhuar rezultate legjitime, sjellë ndryshime dhe për të lejuar një transferim paqësor të pushtetit. Mbrojtja e besueshmërisë dhe drejtësisë së zgjedhjeve, është kritike për të ardhmen e demokracisë.
Besueshmëria dhe ndershmëria e tyre janë të rëndësishme, jo vetëm sepse zgjedhjet luajnë një rol themelor në një sistem demokratik, por edhe sepse ato ofrojnë mundësinë më të mirë për të frenuar valën e hapave prapa në raport me demokracinë.
Në shumë raste - dhe në vende shumë vende të ndryshme si Zambia, Guatemala, Polonia dhe Brazili - kanë qenë vetëm zgjedhjet, mënyra përmes se cilës forcat demokratike e kanë ndryshuar trajektoren e demokracive që po përjetonin një regres serioz.
Është pikërisht kjo që bën vërtet diferencën midis vendeve si Rusia dhe Venezuela, në të cilat zgjedhjet janë vetëm një homazh boshe që vesi i bën virtytit, dhe vendeve si Afrika e Jugut dhe India, në të cilat zgjedhjet janë ende të afta të prodhojnë ndryshime politike të dukshme.
Rasti i Indisë meriton të nënvizohet, sepse pavarësisht kërcënimeve reale ndaj lirive civile që kanë ndodhur vitet e fundit në atë vend, dhe pavarësisht titujve shqetësues të mediave mbi to, zgjedhjet e fundit e bëjnë të vështirë të thuhet se India nuk është një demokraci.
Fakti që në vendin më të populluar në botë, gjykatat mbronin liderët e opozitës, që organet zgjedhore i kryenin detyrat e tyre pa probleme, që qytetarët e mbanin qeverinë përgjegjëse për veprimet e saj, dhe që rezultatet u pranuan menjëherë nga të gjithë aktorët politikë, duhet të konsiderohet si një pikë e ndritshme në një peizazh global të zymtë.
Të gjithë këta shembuj, tregojnë se si pengesat që has sot demokracia, nuk janë gjithmonë të lehta për t’u identifikuar. Dikur ishte më kollaj të vihej re kolapsi i demokracisë në një vend. Ndërkohë sot erozioni i sistemeve demokratike ndodh shpesh në një proces gradual, që kalon nëpër të gjitha nuancat e grisë.
Kjo e bën më të vështirë identifikimin dhe kundërvënien ndaj rreziqeve me të cilat përballet demokracia. Për studiuesit e sotëm, përcaktimi nëse një demokraci në rënie e ka kaluar tashmë ose jo “Rubikonin” e autoritarizmit, është kthyer në një lloj loje sallonesh.
Rastet e cituara më lart, sugjerojnë se ndoshta duhet të përdorim një rregull të thjeshtë: demokracia pushon së ekzistuari, kur nuk është më e mundur të arrihet ndryshimi politik përmes kutisë së votimit. Nëse vetëm prania e zgjedhjeve nuk mund ta dallojë demokracitë nga autokracitë, atëherë është besueshmëria dhe ndershmëria e këtyre zgjedhjeve, ajo që mund të na ndihmojnë me më shumë siguri që të dallojmë grurin nga kashta.
Mbrojtja e besueshmërisë së institucionit të zgjedhjeve është një mision sa jetik, aq sa edhe i vështirë. Zbehja e besimit tek zgjedhjet, shkaktohet shpesh nga faktorë strukturorë, si polarizimi social, pabarazitë e mëdha apo dobësimi sistematik i institucioneve demokratike, të cilat janë të vështira të ndryshohen me veprime të shpejta.
Megjithatë, është e rëndësishme që organet e mbikëqyrjes së zgjedhjeve të angazhohen që në mënyrë specifike të udhëzojnë qytetarët mbi procedurat e votimit dhe numërimit të votave, të reagojnë ndaj akuzave të pabaza që bëhen ndaj proceseve të ndershme dhe të shkëmbejnë informacione dhe përvoja me personat e përfshirë diku tjetër në të njëjtin aktivitet, veçanërisht në lidhje me çështjen se si duhet përballur me fushatat e dezinformimit.
Edhe aktorët politikë duhet të angazhohen urgjentisht për të mbrojtur autonominë e këtyre organeve, si dhe për të rregulluar mënyrën e financimit të zgjedhjeve, që është për momentin problemi më i madh i politikës së sotme në vendet demokratike.
Së fundmi, Kombet e Bashkuara dhe organizatat rajonale, duhet të marrin në konsideratë krijimin e një raportuesi të posaçëm për të tërhequr vëmendjen mbi sulmet ndaj autonomisë së organeve të monitorimit të zgjedhjeve, për të monitoruar progresin e bërë në mbrojtjen e pavarësisë së këtyre organeve, dhe për të dhënë këshilla ndaj shteteve.
Roli i këtij raportuesi special, mund të jetë i ngjashëm me atë të “mbikëqyrësve të tjerë” që janë tashmë të angazhuar në mbrojtje të pavarësisë së gjyqtarëve dhe lirisë së shprehjes. Leksioni që mësojmë nga zgjedhjet e shumta të këtij viti, nuk është se proceset demokratike kanë pushtuar botën. Përkundrazi, ato janë një praktikë e brishtë dhe e rrezikuar, dhe e ardhmja e të gjithë projektit demokratik varet pikërisht nga mbijetesa e tyre./Përshtati "Pamfleti", nga “Linkiesta”
Lini një Përgjigje