TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Korrik 2024, 13:34

Njëqind ditë për të shmangur luftën në Evropë

Shkruar nga Gianluigi Da Rold
Njëqind ditë për të shmangur luftën në Evropë
Macron dhe Scholz

Por nëse 3 vende themeluese të Bashkimit Evropian janë në mosmarrëveshje të thella brenda vetes dhe brenda vetë Komisionit Evropian, atëherë çfarë garancie politike dhe diplomatike mund të ofrojnë ato në kuadrin gjeopolitik ndërkombëtar?

Nga tani, 23 korrik 2024 dhe deri më 5 nëntor 2024, kanë mbetur saktësisht 114 ditë kohë, në të cilën me një përpikmëri ditore ndoshta paksa acaruese, nuk do të bëhet gjë tjetër veçse do të flitet për “krizën e rendit global”, pra për vështirësinë aktuale dramatike të rivendosjes së bashkëjetesës normale midis kombeve dhe fuqive të mëdha.

Diçka vështirësisht e pranueshme, në një kuadër gjeopolitik që duket se mezi po mbahet në këmbë, për shkak të krizave të tmerrshme që po ndodhin në vende të ndryshme të botës, duke shpresuar sinqerisht që të mos biem asnjëherë në atë që quhet politikisht si “prishje e rendit”.

Mbrëmjen e të dielës ndodhi një tjetër kthesë e fortë, mbi prapaskenat e të cilës nuk dihen shumë gjëra. Pas këshillave, thashethemeve dhe mosmarrëveshjeve të shumta, presidenti i SHBA-së Joe Biden është tërhequr nga gara për Shtëpinë e Bardhë.

Por për momentin, askush nuk e di se kush do ta zëvendësojë atë në garën kundër rivalit republikan Donald Trump. Po çfarë domethënie mund të ketë një ngjarje e tillë në nivelin gjeopolitik global? E gjitha kjo shndërrohet në një tjetër të panjohur, për shkak të konfuzionit që po mbretëron nga Paqësori në Mesdhe.

Ndaj le të reflektojmë mbi atë që dimë deri tani. Shpresa është një fakt i thjeshtësisë elementare, krahasuar me atë që mund të ndodhë. Nëse do të kalonim nga kriza në një shpërbërje të rendit global aktual, do të na duhej para së gjithash t’i ktheheshim një morie librash dhe një leximi më të saktë të veprave të Tukididit, Sun Tzu dhe mbi të gjitha Carl von Clausewitz.

Nëse marrim fjalinë e plotë të Clausewitz-it në librin e tij të famshëm “Mbi luftën”, ajo na fut të dridhurat:“Lufta nuk është gjë tjetër, veçse vazhdimi i politikës me mjete të tjera. Pra lufta nuk është vetëm një akt politik, por një instrument i vërtetë i politikës, një vazhdim i procedurës politike, një vazhdim i saj me mjete të tjera”.

Dhe për t’u çliruar nga të gjitha ankthet që e mjegullojnë të ardhmen tonë, citojmë edhe përgjigjen që dha eksperti i njohur italian i gjeopolitikës Lucio Caracciolo në një intervistë për gazetën “La Stampa” vetëm një javë më parë, më 15 korrik:

“Luftërat zbulohen se janë globale, vetëm pasi i kemi zhvilluar ato. Kështu ndodhi me Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore. Asnjëherë nuk e di se kur nis një e tillë. Por luftërat pa politikë dhe diplomaci vazhdojnë të zgjerohen. Dhe unë sot jam i shqetësuar, pasi nuk po shoh as njërën dhe as tjetrën. Gjithçka i është besuar armëve, dhe në këto kushte mund të ndodhë gjithçka!”.

Le të përpiqemi të kuptojmë përse një pesimizëm kaq i madh që nuk shihej prej vitesh, po mbizotëron sot tek shumëkush, pavarësisht daulleve të luftës, shpeshherë evazive apo në kufijtë e tifozerive dhe jo llogaritjeve politike, sidomos në programet televizive dhe gazeta, të cilat duhet të shprehnin në fakt një mendim të saktë.

Njëqind ditë, le t’i zvogëlojmë skematikisht kështu: A janë ato të nevojshme, a janë të mjaftueshme për të kryer një hop cilësor që krijon kushtet për të shmangur një luftë? Çdo mëngjes, duket se jemi të detyruar të lexojmë një buletin lufte që vjen nga Lindja e Mesme, me veprimet e Izraelit, Hamasit dhe Iranit.

Apo me inkursionet në Ukrainë, dhe me kundërpërgjigjet me raketa që vijnë tani nga Kievi në kufirin rus, sigurisht kur nuk e kalojnë atë. Le të hedhim sytë përreth, dhe të shohim se çfarë mund të ndodhë në këtë periudhë jashtë logjikës propagandistike. Franca, e cila po përballet edhe me një lloj olimpiadë të blinduar në këtë periudhë, ia doli të paktën të rizgjedhë vetë kreun e Asamblesë Kombëtare.

Pas tre raundeve votimi, ajo rizgjodhi kandidaten e djathtë të partisë së presidentit Macron, Renaissance, Yael Braun Pivet, me vetëm disa vota diferencë në krahasim me kandidatin e Frontit të Ri Popullor, komunistin André Chassaligne.

Zgjedhja e saj u bë e mundur vetëm në votimin e tretë, kur kërkohej vota pro e shumicës relative dhe jo absolute si në dy votimet e para. Dhe mos harroni se parlamenti francez përbëhet nga 577 deputetë.  

Nisur nga këto shifra, dhe duke marrë në konsideratë edhe “kordonin sanitar” kundër partisë së Tubimit Kombëtar të Marine Le Pen, atëherë çfarë lloj qeverie propozon të krijojë Emmanuel Macron, duke e ditur që qeveritë e koalicionit apo qeveritë teknike në Francë janë gjithmonë një opsion i përjashtuar?

A mund të quhet kjo zgjedhje politike, krahasuar me nevojat aktuale, ato të përjetuara nga e gjithë bota? Le të kalojmë në Gjermani dhe të projektojmë atë që mund të ndodhë në 100 ditët e ardhshme. Rezultatet e zgjedhjeve të fundit janë këto: 30.2 për qind për CDU dhe CSU.

Ndërkohë neo-nazistët e AfD morën 15.9 për qind dhe janë në vendin e dytë, duke dominuar në ish-Gjermaninë Lindore. Partia e madhe e Willy Brandt dhe Helmud Schimdt, e cila është në qeveri me Olaf Scholz, ka rënë në nivelin më të ulët historik, në 13.9 për qind. Ndërkohë edhe të Gjelbrit kanë rënë në 10 për qind. Dhe nuk është vetëm e djathta, por edhe një pjesë e CDU-së që kërkon zgjedhje të reja. Atëherë çfarë garancish ofron Gjermania dhe vetë boshti franko-gjerman në nivelin gjeopolitik?

Po nga ana tjetër, çfarë mund të garantojë vetë Italia, e cila konfirmoi shumicën e qendrës së djathtë, pas mosmarrëveshjeve të brendshme dhe kundërshtimeve ndaj Komisionit Evropian?

Në thelb, pas rikonfirmimit të Ursula von der Leyen në krye të Komisionin Evropian, mund të shohim dobësinë e disa vendeve, parëndësinë e të tjerëve dhe konfuzionin, tani për tani, të vetë Brukselit.

Por nëse 3 vende themeluese të Bashkimit Evropian janë në mosmarrëveshje të thella brenda vetes dhe brenda vetë Komisionit Evropian, atëherë çfarë garancie politike dhe diplomatike mund të ofrojnë ato në kuadrin gjeopolitik ndërkombëtar?

Së fundi, le të mendojmë sikur pas rreth 100 ditësh, Donald Trump fiton zgjedhjet presidenciale me një shumicë të dukshme (siç duket për momentin, dhe pavarësisht tërheqjes nga gara të Joe Biden), çfarë marrëdhëniesh të reja do të vendosen me Evropën?

Dhe në këto kushte, cilat synimeve do t’i shërbejë Evropa? Mund të ndërtohen raketa të reja ndërkontinentale, mund të rritet forca e të ashtuquajturit qëndrueshmëri, por në fund do të vijë momenti i ballafaqimit me realitetin.

Do të ketë ose në një tryezë të besueshme dhe serioze negocimi ose një përballje të egër në fushën e betejës. Për të qenë realist, mund të thuhet se në një situatë të tillë, kriza e rendit është shumë pranë prishjes së rendit, me të gjitha pasojat që do të rrjedhin prej saj./Përshtati "Pamfleti", marrë nga “Il Sussidiario”

njëqind ditë shmangie lufte evrope

Lini një Përgjigje