Premtimi ogurzi i Trump ndaj udhëheqjes ushtarake amerikane!
Në bazën ushtarake të Quantico-s, Virginia, u zhvillua një nga skenat më të pazakonta të marrëdhënies mes politikës dhe ushtrisë amerikane në historinë e dekadave të fundit. Donald Trump dhe Sekretari i tij i Mbrojtjes, Pete Hegseth, thirrën qindra gjeneralë dhe admiralë nga e gjithë bota për një takim që, sipas shumë analistëve, ngjante më shumë me një miting elektoral sesa me një mbledhje të komandës së lartë.
Një sinjal i hershëm alarmi: rasti Sherman
Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi një gjykatës federal publikoi një detaj tronditës nga një proces gjyqësor. Në një fusnotë të vendimit, gjykatësi tregonte se gjenerali i Gardës Kombëtare, Scott Sherman, veteran i Irakut me 30 vite shërbim, kishte shprehur rezerva ndaj planit të administratës Trump për të shfaqur forcë ushtarake në MacArthur Park të Los Anxhelosit. Reagimi i një zyrtari të lartë të Departamentit të Sigurisë Kombëtare ishte i befasishëm: ai vuri në dyshim “besnikërinë e Sherman-it ndaj vendit.”
Ky ishte një shembull i qartë i klimës së presionit politik mbi ushtrinë. Kur një gjeneral me karrierë të gjatë etiketohet si “i pabesnik” vetëm pse ngre pyetje profesionale mbi përdorimin e trupave në qytetet amerikane, sinjalet e autoritarizmit bëhen të dukshme.
Quantico: një miting politik me uniforma
Në këtë kontekst erdhi edhe fjalimi i Trump-it në Quantico. Ai përdori një audiencë të komandantëve të lartë ushtarakë për të artikuluar një vizion të rrezikshëm: shndërrimin e qyteteve amerikane në “fusha stërvitjeje” për ushtrinë dhe Gardën Kombëtare.
“Jemi nën pushtim nga brenda. Nuk është ndryshe nga një armik i huaj, por më i vështirë sepse nuk veshin uniforma. Çikago, San Francisko, Nju Jork, Los Anxhelos, janë shumë të pasigurta. Do t’i rregullojmë një nga një. Edhe kjo është një luftë. Një luftë nga brenda”, vijoi ai.
Në disa raste, Trump iu drejtua gjeneralëve me pyetje që më shumë i përkisnin një salle mitingu sesa një baze ushtarake. Ai kërkoi që të duartrokisnin nëse pajtoheshin me frazat e tij, madje i pyeti nëse kryetari i Shefave të Përgjithshëm, gjenerali Dan Caine, “ishte i pavlefshëm”. Kur askush nuk ngriti dorën, Trump e interpretoi heshtjen si “mbështetje”.
Hegseth, ideologjia dhe sulmet ndaj “woke”
Në fjalën e tij, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth vazhdoi në të njëjtën linjë. Ai e përshkroi ushtrinë si të degraduar nga “ideologjia woke”, duke sulmuar personat transgjinorë si “djem me fustane” dhe duke premtuar rikthimin e “luftëtarëve të vërtetë”. Ai kërkoi rritje të standardeve fizike, ndalim të tolerancave për pamjen e jashtme dhe disiplinë të hekurt.
Por mesazhi i tij ishte po aq politik: ndarje e ushtrisë nga shoqëria civile, nga universitetet elitare dhe nga media. “Ato nuk do të na kuptojnë kurrë,” tha Hegseth. “Por është në rregull. Sepse arsyeja pse ata mund të bëjnë atë që bëjnë është sepse ju jeni këtu.”
Ushtria si armë politike
Në thelb, mesazhi i ditës ishte i qartë: Trump dhe Hegseth po përpiqen të paraqiten si aleatët e vetëm politikë të ushtrisë, duke i vënë gjeneralët kundër demokratëve, akademisë dhe mediave. “Ata nuk ju kanë respektuar kurrë,” tha Trump për demokratët. “Ne jemi në anën tuaj, ata jo.”
Kjo është një degradim i hapur i kufirit mes ushtrisë dhe politikës. Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur gjithmonë një traditë të fortë të ushtrisë apolitike – një institucion mbi palët politike, që mbron kushtetutën dhe jo individë apo parti. Fjalimi i Trump-it në Quantico e goditi direkt këtë parim.
Çfarë thonë amerikanët?
Sondazhet tregojnë se shumica e qytetarëve nuk e përkrahin këtë kurs. Një anketë e New York Times/Siena College tregoi se më shumë votues kanë frikë nga përdorimi i ushtrisë nga Trump për të frikësuar kundërshtarët politikë, sesa nga krimi i rritur nëse Garda nuk përdoret në qytete. Në përgjithësi, amerikanët nuk duan të shohin tanke dhe ushtarë në rrugët e tyre.
Por Trump nuk po tërhiqet. Dhe në Quantico, mesazhi ishte i qartë: nuk do të ketë më gjeneralë si Sherman, që guxojnë të thonë “jo”. Në fillim të fjalimit, Trump tha me ironi: “Nëse doni të duartrokisni, duartrokisni. Nëse nuk ju pëlqen ajo që them, mund të largoheni nga salla. Sigurisht, bashkë me këtë do të humbni gradën dhe të ardhmen tuaj.”
Një paralajmërim i zymtë
Kjo nuk ishte thjesht një shfaqje force. Ishte një test besnikërie. Dhe për shumë vëzhgues, ishte një shenjë e qartë se Trump po kërkon të shndërrojë ushtrinë në instrument të projektit të tij politik.
Nëse kjo ndodh, vijat ndarëse që mbrojnë demokracinë amerikane nga militarizimi i politikës mund të zbehen rrezikshëm. Dhe historia ka treguar shpesh se kur ushtria fillon të përdoret kundër qytetarëve të saj, demokracia është në prag të rrënimit. /Përshtati “Pamfleti” nga “CNN”
Lini një Përgjigje