TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Shtator 2025, 20:26

Ç’punë ka Tony Blair në Gaza?

Shkruar nga Luigi Ippolito

Ç’punë ka Tony Blair në Gaza?

Tony Blair rikthehet si “prokonsull” i Trump-it për Gazën: paqe apo biznes i pistë?

Tony Blair, ish-kryeministri britanik që prej kohësh cilësohet si “njeriu me shtatë jetë”, është gati për inkarnimin e tij të radhës: atë të “prokonsullit” të Donald Trump-it për Gazën. Në propozimin e fundit për pasluftën në Rripin e Gazës, emri i Blair është i vetmi që figuron i shkruar “me të zezë mbi të bardhë”, si pjesë e komitetit që do të udhëheqë tranzicionin. Nuk është “guvernatori i Gazës”, siç ishte përfolur muaj më parë, por prania e tij në dokument garanton rol kyç në përcaktimin e së ardhmes së territorit.

Blair ka një histori të gjatë me Lindjen e Mesme, por jo gjithmonë me nota pozitive. Menjëherë pas largimit nga Doëning Street në vitin 2007, mori postin e të dërguarit special të OKB-së për Lindjen e Mesme. Në atë kohë, 54-vjeçar, nuk donte të tërhiqej nga skena politike. Por emërimi i tij shkaktoi polemika të forta: Blair kishte humbur reputacionin në Britani pasi kishte futur vendin në Luftën e Dytë të Gjirit (2003) me justifikime të rreme për armët e shkatërrimit në masë të Sadam Huseinit. Një bagazh i tillë nuk ishte “rekomandimi më i mirë” për një ndërmjetës në Lindjen e Mesme.

Si i dërguar special, qëndroi deri më 2015, me një mandat që për shumëkënd ishte i zbrazët: takime në hotele luksoze dhe asnjë arritje thelbësore. Megjithatë, kjo periudhë i shërbeu për të ndërtuar kontakte me elitën arabe, të cilat do t’i kthenin në kapital politik e financiar me krijimin e Tony Blair Institute, një qendër konsulence e quajtur shpesh “McKinsey e qeverive”. Klientët e tij? Nga emiratet e pasura të Gjirit, tek regjimet autoritare si Egjipti i Al-Sisit dhe autokracitë e Azisë Qendrore. Kritikat ndaj lidhjeve të tij me regjime represive ishin të shumta, por Blair nuk u ndal kurrë nga aroma e parave. Me konferenca, libra, konsulencë e kontrata të majme, ai u bë shumë shpejt multimilioner.

Pak muaj më parë, u zbulua se Instituti i Blair-it, në bashkëpunim me administratën amerikane dhe biznesmenë izraelitë, po punonte për një projekt të quajtur “Riviera e Gazës”: një plan fantastik për të shndërruar Rripin në një “Dubai të ri” me ishuj artificialë përballë bregdetit. Pas zhurmës mediatike, instituti bëri hapa të tërhequr, duke mohuar se projekti kishte për qëllim zhvendosjen e palestinezëve.

Megjithatë, vizionet e Blair duket se e kanë bindur Trump-in, i cili e ka vënë ish-kryeministrin britanik në qendër të planit për rindërtimin e Gazës. Dhe nuk duhet të habisë fakti që një ish-lider laburist bashkëpunon ngushtë me një president populist të djathtë. Blair ka qenë gjithmonë politikan “post-ideologjik”: për të, nuk ka rëndësi nëse një zgjidhje është e djathtë apo e majtë, mjafton të funksionojë.

Në Britani, Blair kishte kaluar një dekadë si i “pafalshëm”: i urryer nga e djathta dhe i përbuzur nga e majta, simbol i cinizmit politik dhe globalizmit të konsumuar. Por, vitet e fundit, filloi një proces rehabilitimi: në shkretëtirën e ideve të Labour-it, figura e tij u rimori vlerë, aq sa u kthye në këshilltar të padukshëm të qeverisë së Keir Starmer. Të rinjtë e brezit të tij janë kthyer në skenë, duke e rikthyer “blairizmin” brenda laburistëve.

Për Blair-in, rolet nga prapaskena nuk mjaftojnë. Ai kërkon sërish protagonizëm. Dhe sot, Gaza nëpërmjet Trump-it, i ofron mundësinë e artë për të qenë sërish në qendër të lojës. Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtati “Pamfleti”

2 Komente

  1. S
    Sotiri

    Është hajdut me çizme! Vegël e amerikaneve për çdo gjë. Sekser ordiner. Turp per politiken nderkombetare.

    1. C
      CERCIZ JASHARI

      Eshte MAESTROJA I BORATIT

      Lini një Përgjigje