A e di Donaldi që ka një negociator të ri kryesor në qytet? Sigurisht që e di, i mësoi praktikantit gjithçka që di.
Nëse ndonjë dramaturg do të kërkonte një personazh përmes të cilit të distilonte çmendurinë e shitjes së gjithçkaje që po përjeton koha jonë, zor se do gjente më të goditur se dhëndrin e Donald Trump, Jared Kushner.
Dje, ai u shfaq si protagonist jo në një, por në dy skena madhore: 1. Blerja më e madhe ‘me levë’ në histori, marrja e gjigantit të videolojërave Electronic Arts (EA), ku firma e Kushner-it e çon kompaninë de facto në pronësi saudite. Dhe 2. Plani për “paqen e përjetshme në Lindjen e Mesme”, i quajtur tashmë gjerësisht “plani Kushner-Blair” për Gazën. Javë e ngarkuar për Jared-in! Shfaqet aq shpesh në çaste tektonike të politikës dhe ekonomisë, saqë s’mund të mos të kujtojë “Forrest Trump.”
Një kujtesë e shpejtë: Jared është i martuar me Ivanka Trump dhe ka shërbyer si këshilltar i lartë në administratën e parë të Trump-it. Pas humbjes së zgjedhjeve dhe rebelimit të turmës në Kapitol, ai u tërhoq nga politika e përditshme për të nisur firmën e vet të investimeve. Ata që menduan se do të bëhej i paprekshëm nga bota, gabuan rëndë: Jared lundron qetësisht mbi të gjitha. Sot shfaqja e tij publike është aq e ftohtë dhe e distancuar, sa ngjan më shumë si një vizatim i Jared Kushner-it, ose si një version kibernetik i tij, i ndërtuar për ta zëvendësuar kur “modeli origjinal” filloi të kishte krisje ndërgjegjeje.
Dhe kështu erdhi “e hëna maniake” e Jared-it. Në mëngjes, lajmi i parë: Electronic Arts, prodhuesi i serive gjigante si EA FC (ish-FIFA) dhe Madden NFL, do të shndërrohej në kompani private me një marrëveshje prej 55 miliardë dollarësh, e negociuar nga Kushner me Fondin Saudit të Investimeve si pronar kryesor. Dhe kush do ta pengonte këtë? As mos u shqetësoni. Siç shkruajti “Financial Times”: “Njerëz pranë diskutimeve thonë se përfshirja e Kushner-it do ta lehtësojë kalimin e marrëveshjes në Komitetin për Investimet e Huaja në Shtetet e Bashkuara, që vlerëson blerjet nga investitorë të huaj.”
Pra, në një botë ku TikTok u ndëshkua sepse ishte “rrezik i huaj”, rezulton se nëse je i dobishëm për Trump-at, edhe kontrolli mbi të dhëna të qytetarëve amerikanë mund të kalojë lehtësisht në duart saudite. “Siguria? Je duke e parë. Është shaka,” do të thoshte kushdo që ka parë Goodfellas. Kushner, për pjesën e tij, preferoi t’i këndonte himne EA-së: “Kam admiruar gjithmonë aftësinë e tyre për të krijuar eksperienca ikonike e të qëndrueshme. Si dikush që është rritur duke luajtur me lojërat e tyre, dhe që tani i shijon me fëmijët e vet – nuk mund të jem më i lumtur për atë që na pret.”
Pas lojërave, erdhi Gaza. Pasdite, u konfirmua publikisht që “zgjidhja” për Gazën është një këshill ndërkombëtar i quajtur Board of Peace, i kryesuar nga vetë Donald Trump, i cili do të kishte “mbikëqyrje” mbi një komitet teknokratësh palestinezë jo-politikë që do të administronin territorin.
Në këtë bord do të jetë edhe Tony Blair, tashmë i njohur për “projektet e paqes” në Lindjen e Mesme, si dhe i dërguari special i Trump-it, Steve Witkoff. Kushner nuk dha deklaratë publike për këtë pjesë, duke na kursyer një rresht ironik të tipit: “U rrita duke luajtur Risk dhe duke parë Tony Blair të sillte paqe në Lindjen e Mesme, dhe tani i bëj të dyja me të. Ëndrra u realizua.”
Por mungesa e një fjalimi nuk do të thotë mungesë influence. Përkundrazi: Kushner nuk është më në skenën e parë, si në mandatin e parë të Trump-it. Ai është më thellë, në “dhomën e pasme të dhomës së pasme”, aty ku bëhen lëvizjet reale. Sipas raportimeve, të dielën ai ishte në takimet me Netanyahu-n në hotelin ku ky qëndronte në Washington, ndoshta duke dalë herë pas here për të finalizuar marrëveshjen e EA-së.
Në të dyja rastet, videolojërat dhe Gaza, është e qartë që rrënjët saudite të Kushner-it, të krijuara gjatë mandatit të parë si i dërguar i Trump-it, po japin fryte. Dhe për Trump-ët, edhe Gaza shpesh është prezantuar më shumë si një mundësi zhvillimi sesa si një tragjedi humanitare. Për këtë arsye, është e gabuar të flitet për ndarje mes manovrave politike dhe atyre biznesore të Kushner-it. Në të vërtetë, ato përbëjnë një doktrinë të vetme: dealpolitikën. Një përzierje e fuqisë, parasë dhe kompromisit – siç thoshte dikur slogani i EA Sports: “It’s in the game.”/ Përshtati “Pamfleti” nga “The Guardian"
Lini një Përgjigje