
Këto ditë, titujt e lajmeve kanë të bëjnë me tarifat, shkurtimet e shpenzimeve qeveritare, ndihmën ndërkombëtare apo politikën e jashtme të Trump. Por jo çmimin e vezëve. Amerikanët vazhdojnë të paguajnë shumë shtrenjtë për to...
Ndërsa bota është në një gjendje shoku nga vendimet e përditshme të Donald Trump, të cilat po dëmtojnë rregullat dhe institucionet ndërkombëtare në zemër të demokracisë amerikane dhe rendit botëror, fati politik i Amerikës po varet nga diçka shumë më konkrete dhe në dukje më modeste: çmimi i vezëve.
Një ushqim bazë për amerikanët, vezët janë bërë simbol i gjithçkaje që nuk po shkon siç duhet në Shtetet e Bashkuara, sidomos për shtresën e mesme dhe të varfrit. Ato ishin të rëndësishme në rënien drastike të sondazheve të ish-presidentit Joe Biden dhe çdo lloj shprese për një mandat tjetër qeverisës për demokratët.
Por tani, përtej “fishekzjarrëve” me të cilat Trump po i shpërqendron të gjithë, ato mund të jenë gjithashtu si një nga rreziqet më të mëdha për presidencën e tij. Deri në vitin 2019, një pako me 12 vezë kushtonte mesatarisht 1.54 dollarë me shumicë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, çmimi për 12 vezë, sërish me shumicë, arriti në 4.15 dollarë, një rritje prej 170 për qind. Ndërkohë që nga fundi i muajit të kaluar, në dyqanet me pakicë, 12 vezë shiten për rreth 8 dollarë (por mund të kushtojnë edhe mbi 10 dollarë pakoja),
Çmimi mesatar ka arritur në 7.86 dollarë, me kulmin prej 13 dollarësh në Kaliforni. Krahasuar me 2019-ën, ka një rritje prej rreth 500 për qind ose 5 herë. Gjatë fushatës elektorale, Donald Trump premtoi se pasi të rizgjidhej president do të ulte që “në ditën e parë” koston e ushqimit.
Por kjo nuk po ndodh. Madje Departamenti Amerikan i Bujqësisë (USDA) parashikon se çmimet e vezëve do të rriten me 20 për qind këtë vit (rritja për produktet ushqimore në tërësi është vetëm 2.2 për qind). Vezët nuk janë një ushqim i çfarëdollojshëm në Shtetet e Bashkuara.
Ato janë pjesë e identitetit kombëtar. Një përbërës themelor për mëngjeset dhe për shumë gatime, ato konsiderohen thelbësore edhe sepse janë të përballueshme nga të gjithë. Përpara rritjes së çmimit, në vitin 2019, amerikanët konsumonin mesatarisht 279 vezë në vit, ose 5-6 vezë në javë.
Ndaj rritja e çmimit të vezëve është njëlloj si të paguash një taksë për ajrin. The Atlantic, thotë se amerikanët janë mësuar aq shumë t’i blejnë me çmim të ulët, saqë shumë supermarkete i shesin me çmime më të ulëta apo edhe nën kosto, vetëm për të tërhequr klientët (për të fituar tek produktet e tjera).
Por tani po bëhet më e vështirë, sepse ato janë bërë shumë të shtrenjta, dhe dyqanet kanë nisur që t’ua kalojnë klientëve kostot e reja. Për të mbuluar kostot e rritura, rrjeti popullor i restoranteve Waffle House (1900 pika në 25 shtete, të hapura 24 orë në 7 ditë në javë, ku mund të hahet lirë) njoftoi këtë javë një tarifë shtesë prej 50 cent për çdo vezë.
Për pasojë, tani mëngjesi tipik me dy vezë, bukë të thekur dhe një pjatë shoqëruese, kushton 7.75 dollarë. “Ndërsa shpresojmë që këto luhatje çmimesh të mos zgjasin shumë, ne nuk mund të parashikojmë se sa do të vazhdojnë ato”- theksoi.
Por nuk janë të vetmit që kanë probleme. “Vezët janë thelbësore për ne si restorant. Shumë gatime përmbajnë vezë. Ne nuk duam të ndalojmë së ofruari apo t’i shesim me shtrenjtë. Ndaj po përpiqemi të kuptojmë se si t’i shkurtojmë kostot diku tjetër”- tha për CBS News, Kip Green, bashkëpronar i Montague Diner në Brooklyn, Nju Jork, që si të gjithë restorantet përdor çdo ditë qindra vezë.
Tani vezët janë aq të vlefshme, sa ka bërë bujë në mbarë SHBA-në vjedhja e 100.000 vezëve nga pjesa e pasme e një rimorkio në Pensilvani (vetëm ato vlejnë 40.000 dollarë).
Shkaqet që rritën koston e vezëve janë pjesërisht specifike, dhe pjesërisht të lidhura me faktorët, që fillimisht me pandeminë dhe më pas me luftën në Ukrainë, shkaktuan një rritje të inflacionit në nivel global.
Arsyeja kryesore është epidemia e gripit të shpendëve, që 3 vitet e fundit ka prekur 145 milionë zogj në të gjithë Shtetet e Bashkuara, duke ulur ndjeshëm prodhimin e vezëve. Një rritje e rasteve në nëntor dhe dhjetor, i detyroi autoritetet të eliminonin 17.2 milionë pula vetëm në ata dy muaj për të parandaluar përhapjen e mëtejshme. Mungesa e vezëve në SHBA, i ka detyruar kompanitë amerikane t’i drejtohen Turqisë. Sindikata e prodhuesve turq, vlerëson se vetëm këtë vit do të eksportojë në SHBA 420 milionë vezë, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë.
Gripi i shpendëve H5N1, është përhapur më shumë në Shtetet e Bashkuara se kudo tjetër, duke prekur zogjtë e egër, shpendët, lopët dhe kafshët e tjera (gjë që ka çuar në asgjësimin e shumë prej tyre). Muajin e kaluar, Luiziana raportoi viktimën e parë nga gripi i shpendëve, dhe 67 të tjerë janë infektuar.
Ndërkohë Robert F.Kennedy Jr. është konfirmuar si Sekretar i Shëndetësisë. Ai është i njohur për pozicionet e tij kundër shkencës (është një kundërshtar i bindur i vaksinave), ndaj ekziston frika se ai mund të anulojë një pjesë të masave mbrojtëse të Qendrave të SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), agjencia që merret me luftimin e kërcënimeve ndaj shëndetit publik në Shtetet e Bashkuara.
Mund të ketë më pak asgjësim pulash në të ardhmen e afërt. Por epidemia do të përhapet më tej. “Gripi i shpendëve është shkatërrues për fermat e shpendëve.
Kur një fermë preket nga virusi, duhet të kalojë një proces të gjatë dhe gjithëpërfshirës që përfshin disa faza. Ky proces mund të zgjasë nga 9 muaj deri në më shumë se një vit”- thotë shoqata e prodhuesve të vezëve.
Rritja e çmimit, është nxitur nga inflacioni në përgjithësi dhe rritja e kostove të transportit, të cilat në Shtetet e Bashkuara përkeqësohen nga mungesa e shoferëve të kamionëve. Çmimet e vezëve ishin një nga temat e konferencës së parë për shtyp nga zëdhënësja e Trump, Bianca Karoline Leavitt, e cila fajësoi për situatën “vrasjen masive të 100 milionë pulave” nga administrata Biden (pa përmendur gripin e shpendëve).
Këto ditë, titujt e lajmeve kanë të bëjnë me tarifat, shkurtimet e shpenzimeve qeveritare, ndihmën ndërkombëtare apo politikën e jashtme të Trump. Por jo çmimin e vezëve. Por amerikanët vazhdojnë të paguajnë shumë shtrenjtë për to.
Dhe në planin afatgjatë, kjo mund t’i kushtojë shtrenjtë Trumpit. “Shumica e njerëzve votuan për vezë më të lira, dhe jo për këtë kaos”- u shpreh senatori demokrat Martin Heinrich mbi urdhrat ekzekutivë të presidentit./Pamfleti nga “Corriere della Sera”
Lini një Përgjigje