
Udhëheqësit e 5 vendeve më të mëdha evropiane, pritet që të qëndrojnë të gjithë në detyrë për 2-3 vitet e ardhshme, duke u sjellë atyre kohën dhe sigurinë për të adresuar këtë sfidë.
Udhëheqësit evropianë miratuan njëzëri të enjten një paketë ndihme dhe të rimëkëmbjes prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën, duke arritur ta bindin kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban që të heqë veton e tij të mëparshme mbi këto fonde.
Kjo ngjarje vjen pas vendimit historik të Këshillit Evropian në dhjetor për të nisur negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, pavarësisht abstenimit të Orbanit për “të shkuar në bar për të pirë një kafe”. Vendimet e Këshillit bëhen edhe më të rëndësishme për shkak të përpjekjeve të administratës Biden për të siguruar më shumë fonde nga SHBA-ja për Kievin.
Për të mos përmendur rikthimin e mundshëm në Shtëpinë e Bardhë të Donald Trump në fillim të vitit të ardhshëm. Si pjesë e ringjalljes së tyre gjeopolitike që nga shkurti i vitit 2022, udhëheqësit evropianë (gjithsesi 26 prej tyre) duket se e kanë kuptuar rëndësinë strategjike të zgjerimit të unionit drejt lindjes.
Përveçse ishte i nevojshëm, samiti i jashtëzakonshëm i Këshillit Evropian, krahas pasigurive të nxitura nga Trump, tregoi se BE ka përballë një sfidë më të madhe në raport me projektin e zgjerimit: nevojën për më shumë integrim të brendshëm.
Siç u shpreh ish-kryeministri italian Mario Draghi nëntorin e vitit të kaluar “ose Evropa do të veprojë e bashkuar dhe do të ketë një bashkim edhe më të thelluar, të aftë për të pasur një politikë të përbashkët të jashtme dhe të mbrojtjes, si dhe të gjitha politikat ekonomike, ose nuk do të mbijetojë veçse si një treg i përbashkët”.
Kjo do të thotë se nëse dëshiron që të mbijetojë në një botë të “peshave të rënda”, pra një botë që kërkon vendimmarrje të shpejtë, Bashkimit Evropian ka nevojë për mekanizma operativë që janë politikisht më efektivë. Dhe një nga pengesat kryesore për një bashkim më të thellë, duket se është opinioni publik evropian.
Narrativat politike të vendeve të ndryshme janë ende shumë vetë-referuese dhe të lidhura kryesisht me interesat kombëtare. Nuk duket të ketë një frymë të madhe evropiane ‘nga poshtë’ që mund të ndihmojë në ruajtjen e një pozicioni të fortë mbrojtës në kontekstin ukrainas, me vendosjen e burimeve ushtarake, ekonomike dhe politike, dhe në të njëjtën kohë të zhvillojë një përpjekje të re për integrim. Elitave politike të Evropës - dhe si rrjedhim shtytjes “nga lart” - duket se aktualisht u mungon ambicia për të udhëhequr opinionin publik drejt një faze të re.
Por kjo gjë mund të ndryshojë. Siç ka zbuluar së fundmi një sondazh i ECFR, brezat e rinj duket se janë më të motivuar se sa më të vjetrit nga interesat e përbashkëta siç është ndryshimi i klimës. Dhe ka të ngjarë që pas një faze polarizimi për shkak të fushatave zgjedhore të Parlamentit Evropian këtë pranverë, procesi i integrimit mund të gjejë një terren pjellor për të rifilluar në një bazë të re.
Udhëheqësit e 5 vendeve më të mëdha evropiane, pritet që të qëndrojnë të gjithë në detyrë për 2-3 vitet e ardhshme, duke u sjellë atyre kohën dhe sigurinë për të adresuar këtë sfidë. Sistemet franceze dhe gjermane të qeverisjes sigurojnë pozitat e Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz.
Edhe Giorgia Meloni duket se nuk ka rivalë të brendshëm, dhe deri më tani po e privon Italinë nga paqëndrueshmëria e saj kronike. Ndërkohë në Spanjë Pedro Sánchez sapo ka rimarrë një mandat të ri, ndërsa Donald Tusk duket se po e çon sërish Poloninë drejt evropianizmit më klasik.
Por kompromisi që do të pasojë zgjedhjet e Parlamentit Evropian, mund të mos prodhojë një udhëheqje të fortë në nivelin e BE-së. Dhe boshti midis Francës dhe Gjermanisë duket se nuk po funksionon si dikur. Në këtë boshllëk, mund të shfaqen figura dhe modele të reja, ku Meloni dhe Tusk mund të luajnë një rol të rëndësishëm.
Për disa çështje, Meloni ka mbajtur qëndrime anti-evropiane, siç ishte vendimi për të mos ratifikuar reformën e Mekanizmit Evropian të Stabilitetit. Por loja e saj është e ndryshme nga ajo e euroskeptikëve si Orban. Meloni duket se po e ri-pozicionon partinë e saj Vëllezërit e Italisë si një forcë që punon për një Evropë tjetër, me më shumë hapësirë për nacionalistët. Por si një forcë ndërtuese dhe jo shkatërruese.
Në këtë situatë, një zgjidhje mund të jetë përpjekja për të arritur marrëveshje në lidhje me nivelin e integrimit në BE, midis aktorëve kryesorë evropianë dhe më pas atyre më të vegjël.
Italia, Franca dhe Gjermania përbëjnë 65 për qind të tregut të brendshëm, dhe ende kanë një fuqi të madhe tërheqëse. Në fakt, ishte kjo treshe, së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që udhëhoqi negociatat me Orban gjatë takimit të së enjtes, përpara se të zgjeroheshin diskutimet me liderët e tjerë.
Mekanizmat e ndryshueshëm të integrimit trepalësh ose katërpalësh (për shembull me Spanjën ose Poloninë), mund të jenë fillimi i një Evrope me qendra koncentrike. Dhe kjo
do të ishte diçka më afër me idenë e Melonit për Evropën, dhe atë të nacionalistëve apo populistëve të tjerë që mund të dalin të forcuar nga zgjedhjet e ardhshme evropiane.
Deri në fund të këtij vitit, Këshilli Evropian do të ketë emëruar një president të ri. Vetë Draghi mund të jetë një kandidat i mirë për të udhëhequr në këtë rrugë të re dhe për
të siguruar udhëheqjen e fortë që kërkon një ndryshim të madh. Ai nuk është politikan,
por një teknokrat evropianist, dhe pavarësisht kësaj ka menaxhuar me sukses shumë periudha të vështira politike si në BE po ashtu edhe në Itali.
Kjo do të thotë se ai i kupton presionet e brendshme me të cilat përballen udhëheqësit evropianë, teksa ka ofruar shtysën dhe përvojën për të gjetur mënyra të reja për të arritur një integrim më të madh në BE. Mbështetja e emërimit të Draghit në këtë post, do të ishte një mundësi e mirë që Meloni të dëshmojë që di të punojë si ekip edhe nga perspektiva kombëtare.
Me gjasë ai do të ishte një kandidat i shkëlqyer edhe për qeveritë e tjera. Një Evropë koncentrike me Draghin në krye, mund të pajtojë idenë e vjetër të integrimit evropian me presionet e reja nga forcat konservatore dhe nevojën urgjente të BE-së për të ndërtuar një front të bashkuar ndaj rrezikut të jashtëm. /Përshtati “Pamfleti” nga “European Council on Foreign Relations”
Lini një Përgjigje