TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Shkurt 2024, 15:34

Plani i SHBA-së: 1 mijë satelitë të teknologjisë së fundit për të spiunuar armiqtë nga hapësira

Shkruar nga David Zikusoka
Plani i SHBA-së: 1 mijë satelitë të teknologjisë
Lëshimi i satelitëve

Satelitët me aftësi të përparuara për mbledhjen e të dhënave të inteligjencës, mund të jenë të vegjël sa një kuti ushqimesh apo një çantë shpine.

Vitin e kaluar, Departamenti i Mbrojtjes njoftoi planin ambicioz për të lëshuar 1000 satelitë të rinj gjatë dekadës së ardhshme. Gjatë të njëjtës periudhë, Zyra Kombëtare e Zbulimit, e cila drejton satelitët spiunë, planifikon që të 4-fishojë madhësinë e flotës së saj prej disa dhjetëra satelitësh.

Qeveria amerikane mund ta zgjerojë kaq shpejt flotën e saj, pasi satelitët janë bërë shumë

më të lirë për t’u prodhuar dhe më të lehtë për t’u lëshuar në hapësirë. Shumë prej këtyre satelitëve të rinj janë të destinuar për mbikëqyrje dhe me gjithë këto pajisje të reja në qiell, Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje të ruajnë atë që njihet si aftësia e “vëzhgimit të vazhdueshëm”.

Dhe në gjuhën e komunitetit të inteligjencës, kjo do të thotë se mund të mbikëqyrë objektivat në çdo kohë pa rënë në sy. Ky projekt do t’u ofrojë Shteteve të Bashkuara qasje në sasi të mëdha të dhënash të transmetuara nga hapësira. Ndërkohë, përparimet në Inteligjencën Artificiale (AI), të dhënat e mëdha dhe informatike në ‘I Cloud’ do të ndihmojnë në përpunimin e të gjithë atij informacioni dhe do të tregojnë atë që duhet të shqyrtojnë njerëzit.

Duke i dhënë mundësi Shteteve të Bashkuara të gjurmojnë lëvizjet e trupave dhe vendosjen e armëve në kohë reale, gjenerata e ardhshme e satelitëve spiunë, mund të ofrojë një shans të paprecedentë për të penguar dhe ndërprerë përpjekjet për të nisur një luftë të befasishme. Sistemet aktuale përditësohen më rrallë, duke i hapur derën zhvillimeve të reja që sot mungojnë. 

Por pasja në dispozicion e një sistemit kaq të fuqishëm të mbikëqyrjes sjell me vete një rrezik të ri. Me kaq shumë satelitë që dërgojnë shumë informacion në Tokë, sistemi mund të mbingarkohet, duke i detyruar zyrtarët të marrin vendime të pafundme dhe nxitur mikro-menaxhimin dhe shpërqendrimin.

Nga ana tjetër, nëse kundërshtarët e Amerikës i shtënë në dorë këto teknologji, ata mund ta kërcënojnë lirinë e veprimit të ushtrisë amerikane, duke ia bërë asaj më të vështirë për të fshehur lëvizjet e tyre. Për t’u përgatitur për këtë epokë të re, administrata Biden duhet të ndryshojë mënyrën se si e analizon informacionin Këshilli i Sigurisë Kombëtare, por edhe sesi e përdor atë për të marrë vendime.

Projekti CORONA, sistemi më i hershëm satelitor spiun i CIA-s, mund të fotografonte territorin sovjetik dhe të kthente në Tokë bobinat me filma. Por koha nga grumbullimi deri në shfrytëzimin e tyre matej me ditë dhe madje me javë. Ndërtimi në vitet 1970 i satelitëve në madhësinë e një autobusi shkolle, që mund të transmetonin imazhe dixhitale i dha zgjidhje këtij kufizimi kohor, por ata ishin të kufizuara në numër.

Një pjesë e vogël satelitësh që mund të dërgonte SHBA-ja në hapësirë vazhdonte të linte boshllëqe të mëdha në mbulim. Sot Pentagoni dhe komuniteti i inteligjencës mund të përdorin gati 6 satelitë që përdorin rrezet infra të kuqe dhe 6 satelitë-radarë që mund të shohin natën dhe përmes reve.

Këto sisteme janë të shkëlqyera, por kushtojnë të paktën qindra miliona dollarë secili. Ndonëse janë të aftë të mbledhin dhe transmetojnë menjëherë të dhëna me cilësi të lartë, nuk janë aq të shumtë në numër. Tani një kombinim i teknologjive të avancuara - raketa të ripërdorshme, gjysmëpërçues gjithnjë e më të vegjël dhe Inteligjencë Artificiale me fuqi të lartë - po bën të mundur që Shtetet e Bashkuara të pajisen me shpejtësi me aftësinë e vëzhgimit të vazhdueshëm në çdo pikë të globit.

Kostoja e lëshimit të raketave ka rënë shumë që nga koha e programit të anijeve kozmike të NASA-s, nga afro 27.000 dollarë për 453 gramë peshë në 1.200 dollarë për të njëjtën peshë. Falë miniaturizimit të gjysmëpërçuesve, është zvogëluar edhe madhësia e satelitëve spiunë.

Satelitët me aftësi të përparuara për mbledhjen e të dhënave të inteligjencës, mund të jenë të vegjël sa një kuti ushqimesh apo një çantë shpine. Ndërkohë, AI ka mundësuar bashkimin e njerëzve dhe makinerive, ku algoritmet kompjuterike analizojnë me shpejtësi të dhënat dhe identifikojnë pjesët përkatëse të informacionit për analistët.

Kompanitë private të lëshimit të satelitëve si SpaceX dhe Rocket Lab, i kanë përdorur këto teknologji për të ndërtuar ato që quhen “mega-konstelacione”, ku qindra satelitë punojnë së bashku për të ofruar të dhënave të inteligjencës për publikun, bizneset dhe organizatat joqeveritare.

Këto kompani po përditësojnë bazat e të dhënave me burim të hapur, në shkallë planetare dhe shumë herë në ditë. Disa nga këto kompani mund të ofrojnë të dhëna të reja nga pothuajse çdo pikë e globit brenda 30 minutave nga kërkesa. Për shembull, kompania Planet kontrollon rreth 200 satelitë që sillen në orbitën e Tokës dhe që kanë madhësinë mbajtëses se bukës prej druri. Ato prodhojnë një herë në ditë fotografi dixhitale nga e gjithë Toka. Çdo satelit mund të bëjë 10.000 fotografi në ditë, duke fotografuar një zonë të barabartë me madhësinë e Meksikës. Kur një balonë spiune kineze fluturoi mbi Shtetet e Bashkuara në fillim të vitit 2023, kompania e Inteligjencës Artificiale Synthetaic, kërkoi me shpejtësi bazën e të dhënave të Planet për fotot e trajektores që kishte ndjekur balona nga Kina në SHBA. Algoritmet e pajisjeve të Synthetaic, arritën të identifikonin shtegun që kishte ndjekur balona.

Falë tyre vendi i mundshëm i lëshimit të saj ishte ishulli Hainan në Kinën Jugore. Ndërsa sektori privat vazhdon të përparojë me shpejtësi, qeveria amerikane po përpiqet të vazhdojë me planet e saj ambicioze për të zgjeruar me shpejtësi numrin e satelitëve në hapësirë ​​gjatë dekadës së ardhshme.

Departamenti i Mbrojtjes parashikon një botë ku nuk do të ketë më boshllëqe në mbulim, pavarësisht nga moti, dhe 24 orë në ditë. Katërfishimi i flotës së satelitëve nga Zyrat Kombëtare të Zbulimit do të japë 10 herë më shumë imazhe se sot. Një mega-konstelacion prej qindra apo mijëra satelitësh, do të ishte në gjendje të transmetonte vazhdimisht informacione rreth një objektivi.

Me këtë aftësi, Shtetet e Bashkuara mund të mbikëqyrin gjithçka, nga bazat ku mbahen nëndetëset me raketa balistike bërthamore të Kinës deri tek objektet e Gardës Revolucionare iraniane që mund të kërcënojnë trupat amerikane në Irak dhe Siri.

Të kombinuar me gjeneratën e ardhshme të armëve hipersonike që Shtetet e Bashkuara po testojnë dhe po nxjerrin në terren, këta satelitë të rinj do ta lejojnë ushtrinë amerikane të godasë objektiva me rreze të gjatë përgjatë afateve të shkurtra kohore dhe me më pak rrezik për ushtarakët e saj.

Komandantët do të ishin në gjendje të shikonin të gjithë Paqësorin Perëndimor nga lart, duke i gjurmuar të gjitha anijet në hapësirën e betejës. Pra këta satelitë do të mundësonin një koordinim të paprecedentë në të gjithë shërbimet ushtarake, si dhe me aleatët në operacionet komplekse luftarake duke informuar sistemet e avancuara të komandës dhe kontrollit të drejtuar nga të dhënat.

Por me mundësitë e reja, vjen edhe një rrezik i ri: mbështetja e tepërt tek një teknologji e tillë mund të krijojë zakone të këqija. Sulmi i Hamasit mbi Izraelin më 7 tetor 2023, tregoi grackat që nxit varësia nga teknologjia e avancuar. Për vite të tëra, Izraeli përdori një sistem mbikëqyrjeje të teknologjisë së lartë për të vëzhguar kufirin e tij me Rripin e Gazës.

Por kjo teknologji ushqeu tek liderët izraelitë një besim të rremë dhe ndikoi tek vendimi për të zhvendosur në Bregun Perëndimor ushtarë izraelitë që monitoronin Gazën. Mbështetja e tepërt tek të dhënat e inteligjencës të mbledhura në hapësirë, ​​mund ta shtyjë qeverinë amerikane të bëjë gabime të ngjashme.

Për më tepër, sistemet e aktivizuara nga Inteligjenca Artificiale mund të bëjnë gabime.

Po sikur një objekt që perceptohet si lëshues i lëvizshëm i raketave, të jetë në fakt një mashtrim me pamje realiste apo me keq akoma një autobus i mbushur me civilë?

Anasjelltas, por sikur një sistem i tillë të dështonte në njëfarë mënyre të gjurmojë vendosjen e një lëshuesi të lëvizshëm raketor bërthamor?

Për të reaguar ndaj kësaj të ardhmeje të paqartë, administrata Biden duhet të zhvillojë udhëzime për llojet e grupeve të të dhënave që do të përdoren për të trajnuar algoritmet për njohjen e imazheve satelitore. Ndërkohë ushtria amerikane, duhet të mendojë sesi të operojë në kushte të tilla. /Përshtati “Pamfleti” nga “Foreign Affairs”

Shënim: David Zikusoka, ekspert i mbrojtjes në Projektin e Studimeve Speciale mbi Konkurrencën. Më herët ka shërbyer në pozicione të ndryshme në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Mbrojtjes.

 

Lini një Përgjigje