TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Shkurt 2024, 18:37

Bota duhet të shqetësohet, Irani një javë larg prodhimit të armës bërthamore!

Shkruar nga Rebekah Koffler
Bota duhet të shqetësohet, Irani një javë larg prodhimit
Irani kërcënon botën

Nëse Irani zhvillon një përforcues të aftë për raketat me rreze ICBM, ai mund të arrijë deri në Shtetet e Bashkuara kontinentale, nëse konfigurohet për këtë qëllim...

Kur milicitë e përkrahura prej tij kryen një sulm me dron që vrau 3 nga ushtarët tanë në Jordani fundjavën e kaluar, Irani e kaloi “vijën e kuqe”. Ky sulm përbën një përshkallëzim të qartë në luftën de facto të nisur nga Irani ndaj Shteteve të Bashkuara, në kundërpërgjigje të sulmeve terroriste të 7 tetorit ndaj Izraelit nga ana e Hamasi të mbështetur sërish nga Teherani.

Është gati e sigurt se Irani do të shtojë veprimet armiqësore ndaj nesh në ditët, javët, ndoshta edhe muajt e ardhshëm. Hapësira e manovrimit të presidentit Joe Biden për ta frenuar Iranin përmes veprimeve të forta po mbyllet me shpejtësi, për arsyet që po i përmend më poshtë.

Së pari, me shumë gjasa Teherani e sheh administratën Biden si tejet ngurruese ndaj marrjes përsipër të rrezikut, dhe nuk ka gjasa që të hyjë në një konfrontim të drejtpërdrejtë në shkallë të gjerë. Pavarësisht përshkallëzimit të vazhdueshëm të shtrirjes së ndikimit dhe shkallës së sulmeve të mbështetura nga Teherani ndaj forcave dhe bazave amerikane në Lindjen e Mesme 100 ditët e fundit, përgjigja e Uashingtonit ka qenë e fokusuar tek proporcionaliteti dhe kontrolli i përshkallëzimit.

Në vend se të vendosë për përshkallëzimin, duke e çuar luftën brenda Iranit, Shtëpia e Bardhë autorizoi vetëm disa sulme ajrore periodike ndaj milicive pro-iraniane në rajon. Nga 17 tetori deri më 29 janar, numri i sulmeve nga këto të fundit me synim personelin ushtarak amerikan ka arritur në 165.

Ndërkohë numri i amerikanëve të plagosur ka arritur në 34, shumë prej të cilëve kanë të bëjnë me dëmtime traumatike në tru. Por mesazhi kryesor që ka dalë nga administrata Biden ka qenë: “Ne nuk kërkojmë luftë me Iranin”. Të gjithë, që nga Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, tek Këshilli i Sigurisë Kombëtare, John Kirby, deri tek vetë komandanti i përgjithshëm, kanë nxituar që t’i thonë Teheranit se qëllimi kryesor i presidentit është të shmangë përshkallëzimin dhe një konflikt më të gjerë, në vend se të mbrojë trupat amerikane dhe t’i japë fund sulmeve ndaj tyre.

Një parim kyç i konceptit perëndimor të luftës, proporcionaliteti, është kulturalisht i huaj për iranianët. Rrjedhimisht, ata e interpretojnë reagimin e matur të Biden si shenjë dobësie dhe pranimi ndaj agresionit.

Së dyti, agresioni i Iranit është thuajse i mbështetur me siguri nga besimi i tij në rritje tek qëndrueshmëria e parandalimit të tij bërthamor. Në fillim të janarit, eksperti bërthamor David Albright, që ka qenë inspektor armësh për Kombet e Bashkuara në Irak, publikoi ​​një raport të ri tronditës, duke vlerësuar se Iranit i duhet vetëm një javë për të ndërtuar armën e tij të parë bërthamore, pasi udhëheqja të japë urdhrin për këtë.

Sipas Albright, Irani ka uranium të mjaftueshëm për të ndërtuar 6 armë brenda një muaji dhe 12 armë në 5 muaj. Prandaj, regjimi iranian ka të ngjarë të llogarisë se statusi i tij i ri i një fuqie bërthamore de facto, do të jetë një pengesë e mjaftueshme që do ta pengojë Uashingtonin të nisë një sulm të madh hakmarrës ndaj Iranit.

Teherani ka të ngjarë të vëzhgojë nga afër hezitimin e administratës Biden për të mbështetur plotësisht Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit rus. Për shkak të kërcënimit - me gjasë realist sipas vlerësimit tim - të një sulmi bërthamor taktik nga Putin në fushën e betejës në Ukrainë - presidenti Biden përjashtoi dërgimin e menjëhershëm të forcave amerikane menjëherë pasi Rusia sulmoi Ukrainën.

Ndoshta Ajatollahët besojnë se frika e Biden nga Apokalipsi bërthamor dhe nga partneriteti strategjik i Iranit me Rusinë, do të ndikojë më tej në llogaritjen e vendimeve të Shtëpisë së Bardhë në lidhje me llojin e masave hakmarrëse që ajo është e gatshme të marrë kundër Iranit.

Së treti, Irani beson se ka ndoshta një arsenal të mjaftueshëm raketash dhe dronësh për të mbajtur nën kërcënim forcat amerikane në rajon. Lista e objektivave të Iranit përfshin rreth 2.500 trupa amerikane në Irak, 900 në Siri dhe ambasadën në Bagdad.

Sipas vlerësimit që bëri në vitin 2019 Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA) me titull “Fuqia ushtarake e Iranit: Sigurimi i mbijetesës së regjimit dhe sigurimi i dominimit rajonal”, Irani ka forcën raketore më të madhe dhe më të larmishme në Lindjen e Mesme.

E projektuar për të “asfiksuar forcat amerikane dhe partnerët tanë në rajon”, arsenali “i konsiderueshëm” i Teheranit përfshin raketa balistike me rreze të afërt, me rreze të shkurtër dhe me rreze të mesme veprimi që mund të godasin objektivat në të gjithë rajonin deri në 2000 kilometra nga kufijtë e Iranit, deri në Izrael dhe në Evropën Juglindore.

Për më tepër, shteti iranian ka prioritet modernizimin e raketave të tij, duke u fokusuar në përmirësimet tek rrezja, saktësia, lëvizshmëria, dizajni i kokave të raketave dhe mbijetesa. Përdorimi i teknologjisë së përmirësuar të udhëzimit dhe manovrimit ka sjellë rritjen e vdekshmërisë dhe të saktësisë së raketave iraniane, duke e inkurajuar pothuajse me siguri regjimin për të vepruar në një mënyrë më provokuese.

Në përpjekjen e tij më të fundit për të shtuar më tej arsenalin e raketave balistike, Irani lëshoi më 20 janar ​​një satelit të avancuar, Soraya, në orbitën më të lartë që arritur deri më sot. Me një peshë 50 kg, Soraya u vendos në orbitë 460 milje mbi sipërfaqen e Tokës, duke përdorur një raketë me tre faza “Qaem 100”.

Lëshimi, që u dënua nga Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania në një deklaratë të përbashkët, ka shumë të ngjarë që të ketë lejuar Iranin të testonte një kapacitet të rritur të teknologjisë së tij të mjeteve lëshuese hapësinore (SLV) - i nevojshëm për të vendosur një objekt në një orbitë më të lartë në hapësirë, e cila nga ana e saj është thelbësore për zhvillimin e një aftësie për goditjet me rreze të gjatë.

Përparimi në programin e tij hapësinor, mund të shkurtojë kohën që i duhet Iranit për të ndërtuar një rakete balistike ndërkontinentale (ICBM), sepse SLV-të përdorin teknologji shumë të ngjashme. DIA paralajmëron se nëse Irani zhvillon një përforcues të aftë për raketat me rreze ICBM, ai mund të arrijë deri në Shtetet e Bashkuara kontinentale, nëse konfigurohet për këtë qëllim.

Fakti që Irani po thellon lidhjet, përfshirë “fushën e bashkëpunimit ushtarako-teknik” me Rusinë, një lidere globale për lëshimet në hapësirë ​​dhe njohuritë bërthamore, e bën edhe më alarmant përparimin e Teheranit në zhvillimin e raketave balistike ndërkontinentale. Të hënën, Austin u zotua se SHBA-ja do të reagojë ndaj sulmit vdekjeprurës të mbështetur nga Irani “në kohën dhe vendin e zgjedhur nga ne”. Por presidenti nuk ka shumë kohë për të diskutuar. Irani nuk ndihet i kërcënuar nga kundër-strategjia aktuale e Bidenit, që priret të nxitë të kundërtën, pra të përshkallëzojë veprimet e Teheranit.

Sapo Irani të arrijë aftësinë operacionale për të kryer një sulm bërthamor mbi Izraelin dhe Evropën, dhe ne fund ndaj territorit të SHBA, do të jetë thuajse e pamundur që të rivendoset parandalimi pa pranuar rrezikun e një lufte më të gjerë. Prandaj koha për të vepruar është pikërisht tani. /Përshtati “Pamfleti” nga “Fox News”

Shënim: Rebekah Koffler, analiste e inteligjencës ushtarake dhe autore e librit “Manuali i Putinit”.

irani arme berthamore

Lini një Përgjigje