Vizitat e presidentëve amerikanë në Pekin pasqyrojnë ndryshimin e ekuilibrave globalë dhe transformimin e Kinës në fuqi botërore...
Kur Richard Nixon shkoi në Pekin në vitin 1972, ishte një bast i madh. Ai besonte se një hapje diplomatike ndaj qeverisë komuniste dhe zbehja e marrëdhënieve me Tajvanin do t’i shërbenin interesave amerikane. Vizitat e mëvonshme të presidentëve amerikanë në Kinë u mbështetën mbi këtë logjikë. Nga ana tjetër, udhëheqësit kinezë i konsideruan samitet si mënyrë për të ulur tensionet, për të paraqitur interesat e tyre kryesore dhe për të dhënë shpresë për marrëdhënie më të forta në të ardhmen.
Këto vizita janë pjesë e një historie me periudha të alternuara tensioni dhe afrimi në marrëdhëniet mes dy vendeve, nga periudha e errët pas masakrës në sheshin Tiananmen deri te atmosfera optimiste kur Kina u anëtarësua në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2001 dhe u shndërrua në motor të ekonomisë globale.
Gjatë gjithë kësaj kohe, presidentët amerikanë shpresonin se integrimi përmes tregtisë do të sillte një ditë ndryshim politik në Pekin. Por me rritjen e fuqisë së Kinës dhe shtimin e vetëbesimit të shtetit kinez, shumë analistë argumentojnë se dinamika e samiteve ndryshoi. Shumë zyrtarë dhe analistë kinezë i shohin sot Shtetet e Bashkuara si një vend në rënie të pakthyeshme.
Përpara mbërritjes së tij në Pekin të mërkurën, Presidenti amerikan Donald Trump publikoi në internet se planifikonte t’i kërkonte Xi Jinpingut, të cilin e quajti “një lider me dallim të jashtëzakonshëm”, që ta “hapte” Kinën, një formulim që pasqyron mënyrën se si presidentët amerikanë e kanë trajtuar marrëdhënien me Kinën për më shumë se gjysmë shekulli.

1972 – Richard Nixon
Vizita e Nixonit në Kinë konsiderohet një nga udhëtimet më të rëndësishme jashtë vendit nga një president amerikan pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo ndodhi pasi Henry Kissinger, këshilltari i sigurisë kombëtare, kishte realizuar fshehurazi një vizitë në Pekin një vit më parë për të eksploruar mundësinë e një hapjeje diplomatike me Mao Ce Dunin dhe kryeministrin Zhou Enlai.
Shtetet e Bashkuara nuk kishin marrëdhënie zyrtare me Republikën Popullore të Kinës që nga themelimi i saj në vitin 1949 dhe njihnin si qeveri legjitime qeverinë nacionaliste të Tajvanit. Megjithatë, përçarja mes Bashkimit Sovjetik dhe Kinës krijoi kushtet që administrata Nixon të afrohej me Pekinin.
Vizita e Nixonit prodhoi momente simbolike, përfshirë ecjen e tij në Murin e Madh Kinez, ku deklaroi: “Ky është një mur i madh dhe është ndërtuar nga një popull i madh”. Më vonë, ardhja e pandave në Kopshtin Zoologjik Kombëtar në Uashington u bë simbol i afrimit mes dy vendeve.

1975 – Gerald Ford
Presidenti Gerald Ford zhvilloi një vizitë pesëditore në Kinë në dhjetor 1975, dhjetë muaj para vdekjes së Mao Ce Dunit. Kina ndodhej ende në fazën përfundimtare të Revolucionit Kulturor, periudhë që kishte shkatërruar themelet sociale, ekonomike dhe politike të vendit.
Megjithatë, Partia Komuniste mbetej e angazhuar në afrimin me SHBA-në dhe bisedimet e asaj kohe hapën rrugën për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 1979 nga presidenti Jimmy Carter.
1984 – Ronald Reagan
Kur Ronald Reagan vizitoi Kinën në vitin 1984, ai nuk përdori ndaj Pekinit gjuhën konfrontuese që përdorte kundër Bashkimit Sovjetik. Reagan veproi si pragmatist, duke shtyrë përpara diskutimet mbi tregtinë, e cila më vonë do të bëhej shtylla kryesore e marrëdhënieve SHBA-Kinë.
Pas vizitës, ai deklaroi se ishte inkurajuar nga “fryma e tregut të lirë” që po hynte në ekonominë kineze.

1989 – George H.W. Bush
Presidenti George Bush i vjetër mbërriti në Pekin në shkurt 1989 duke u rikthyer në një vend që e njihte mirë. Ai kishte shërbyer më parë si drejtues i Zyrës Ndërlidhëse amerikane në Pekin, para vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të plota.
Marrëdhëniet SHBA-Kinë po forcoheshin, por protestat dhe masakra në sheshin Tiananmen do t’i komplikonin rëndë ato më vonë gjatë atij viti.
Gjatë vizitës së Bushit ndodhi edhe një episod domethënës: autoritetet kineze hoqën nga lista e të ftuarve disidentin dhe astrofizikanin Fang Lizhi. Pas shtypjes së protestave në Tiananmen, Fang dhe bashkëshortja e tij u strehuan për 13 muaj në ambasadën amerikane në Pekin.

1998 – Bill Clinton
Vizita e Bill Clintonit në Kinë u zhvillua në një periudhë kur SHBA-ja dominonte rendin global pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Uashingtoni besonte se Kina po afrohej gradualisht me sistemin ekonomik dhe politik ndërkombëtar.
Presidenti Jiang Zemin tregoi gatishmëri për afrimin me SHBA-në. Ai foli anglisht në disa dalje publike dhe madje recitoi pjesë nga fjalimi i Gettysburgut i Abraham Lincolnit në një intervistë për CBS News.
Gjatë vizitës së Clintonit, Jiang njoftoi papritur se konferenca e përbashkët për shtyp do të transmetohej drejtpërdrejt. Studiuesi Orville Schell e përshkroi atë si “ndërveprimin më të jashtëzakonshëm” mes liderëve amerikanë dhe kinezë që kishte parë ndonjëherë.

2001, 2002, 2005, 2008 – George W. Bush
Presidenti George W. Bush mori pjesë në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike të Pekinit në vitin 2008, një moment simbolik që shumë e interpretuan si daljen e Kinës në qendër të skenës globale.
Ekonomia kineze po rritej me shpejtësi pas hyrjes në Organizatën Botërore të Tregtisë. Por kriza financiare globale dhe lufta në Irak forcuan bindjen e shumë zyrtarëve kinezë se Perëndimi kishte hyrë në fazë dobësimi.
Historiani John Delury deklaroi se viti 2008 konsiderohet shpesh si pika e kthesës kur Kina fitoi një nivel të ri vetëbesimi.

2009, 2014, 2016 – Barack Obama
Vizita e parë e Barack Obamës në Pekin në vitin 2009 ndodhi në hijen e krizës financiare globale. Ndërsa SHBA-ja përballej me pasojat ekonomike, Kina vazhdonte rritjen falë paketave stimuluese.
Obama diskutoi me udhëheqjen kineze për klimën dhe programin bërthamor iranian. Evan Medeiros, ish-zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, deklaroi se administrata Obama kërkoi “një ekuilibër të ri mes konkurrencës dhe bashkëpunimit”.
Në vitin 2014, Obama u rikthye në Pekin për një samit ekonomik aziatik dhe zhvilloi bisedime me Xi Jinpingun. Deri atëherë marrëdhëniet ishin përkeqësuar ndjeshëm për shkak të aktiviteteve ushtarake kineze dhe akuzave për spiunazh kibernetik.
Në vizitën e tij të fundit në vitin 2016, avioni presidencial amerikan në Hangzhou nuk u pajis me shkallën standarde të përparme për zbritje. Shumë vëzhgues e interpretuan këtë si shenjë të vetëbesimit në rritje të Kinës dhe si mungesë respekti ndaj SHBA-së.

2017 – Donald Trump
Donald Trump e kritikoi Kinën gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, veçanërisht për praktikat tregtare. Vizita e tij në Pekin u zhvillua në një klimë ku SHBA-ja kërkonte të kufizonte efektet e globalizimit dhe të ulte varësinë industriale nga Kina.
Gjatë udhëtimit, Trump e quajti Xi Jinpingun “një njeri shumë të veçantë”. Dy liderët shëtitën së bashku në Qytetin e Ndaluar dhe njoftuan marrëveshje të reja tregtare dhe investimesh.
Megjithatë, vetëm pak muaj më vonë, në janar 2018, Trump nisi luftën tregtare me Kinën. Konflikti ekonomik dominoi pjesën më të madhe të mandatit të tij të parë, së bashku me pandeminë e COVID-19, për të cilën shumë ekspertë thanë se kishte origjinën në Kinë.
Marrëdhëniet mes dy vendeve u bënë edhe më të vështira, megjithëse Trump shmangu kritikat ndaj Pekinit për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, një qasje që u mirëprit nga udhëheqja kineze. /Përshtatur nga New York Times/
Lini një Përgjigje