
Një libër i ri i gazetarit të revistës franceze Paris Match, Florian Tardif, ka rikthyer në qendër të vëmendjes marrëdhënien mes presidentit Emmanuel Macron dhe bashkëshortes së tij, Brigitte Macron.
Në veprën e titulluar “Një çift (pothuajse) perfekt”, autori sjell pretendime për një krizë të mundshme brenda çiftit presidencial, duke e lidhur atë me episodin e komentuar në maj 2025 në aeroportin e Hanoit.
Sipas Tardif, tensionet nisën pasi Brigitte Macron dyshohet se pa në telefonin e presidentit francez disa mesazhe të shkëmbyera me aktoren iraniane Golshifteh Farahani. Gazetari pretendon se në një prej tyre Macron i shkruante aktores: “Je shumë e bukur”.
Autori thotë se raporti mes presidentit francez dhe aktores kishte marrë formën e një “afrimi platonik”, ndërsa mesazhet kishin përmbajtje mjaft personale.
Florian Tardif deklaroi në një intervistë radiofonike se informacioni është verifikuar dhe nuk bëhet fjalë për spekulime.
“Nuk janë thashetheme. Kam bërë shumë verifikime përpara publikimit”, u shpreh gazetari, duke shtuar se edhe Pallati Elysee ishte informuar për versionin e paraqitur në libër.
Nga ana tjetër, zyra e Brigitte Macron ka reaguar duke i hedhur poshtë kategorikisht pretendimet. Një zëdhënëse e Zonjës së Parë franceze deklaroi për Le Parisien se Brigitte Macron kishte folur personalisht me autorin më 5 mars dhe kishte mohuar çdo pretendim për kontrollimin e telefonit të bashkëshortit.
“Brigitte Macron e mohoi kategorikisht këtë informacion dhe sqaroi se ajo nuk kontrollon kurrë telefonin celular të presidentit”, deklaroi zëdhënësja.
Libri ka hapur debat të madh në Francë, ndërsa episodi i filmuar në Hanoi vazhdon të interpretohet ndryshe nga mediat dhe opinioni publik. Sipas autorit, edhe vetë Pallati Elysee më vonë ka menduar se reagimi publik ndaj incidentit mund të ishte menaxhuar ndryshe.
Lini një Përgjigje