Gjykatësi vendosi se qeveria provinciale kishte detyrim të konsultohej me komunitetet indigjene përpara nisjes së mbledhjes së firmave
Një gjykatë në Kanada ka rrëzuar nismën për mbajtjen e një referendumi mbi pavarësinë e provincës së Albertës, duke goditur ambiciet separatiste në provincën perëndimore të vendit. Gjykatësja Shaina Leonard, e Gjykatës së Mbretit në Alberta, vendosi të mërkurën ndërprerjen e procesit të nisur nga një grup separatist për organizimin e referendumit mbi shkëputjen nga Kanadaja.
Sipas vendimit, qeveria provinciale kishte detyrim ligjor të konsultohej me komunitetet indigjene të First Nations përpara se organizatorët të lejoheshin të mblidhnin firma. Dy grupe të First Nations argumentuan se një referendum i tillë do të binte ndesh me traktatet që ato kanë me Kurorën britanike, marrëveshje që paraprijnë krijimin e provincës së Albertës.
“Si çështje logjike dhe e arsyes së shëndoshë, nuk ka dyshim se shkëputja e Albertës nga Kanadaja do të ndikonte mbi Traktatet 7 dhe 8”, shkroi gjykatësja Leonard në vendimin e saj. Vendimi shqyrtoi gjithashtu legjislacionin e miratuar nga qeveria e Albertës, i cili hoqi kërkesën që pyetjet e referendumit të jenë kushtetuese, si edhe të drejtën e zyrtarit kryesor zgjedhor për t’i referuar propozimet në gjykatë për shqyrtim.
Leonard tha se grupi separatist nuk duhej të lejohej të paraqiste sërish kërkesën, pasi propozimi i parë ishte refuzuar nga autoriteti zgjedhor. Dy javë më parë, organizatorët separatistë dorëzuan më shumë se 300 mijë firma në mbështetje të referendumit të propozuar. Megjithatë, pak ditë më vonë, nisma u përball me akuza se një grup i lidhur me separatistët kishte siguruar në mënyrë të paligjshme akses në të dhëna private zgjedhore, çka nxiti hetime nga autoritetet zgjedhore dhe policia.
Kryetari i Athabasca Chipewyan First Nation, Allan Adam, tha se vendimi “forcon rëndësinë e të drejtave të traktateve, konsultimit kuptimplotë dhe njohjes së ndikimeve serioze që vendime të tilla do të kishin mbi komunitetet indigjene”. “Ky vendim duhet të mbyllë kapitullin e idesë për një referendum pavarësie. Gjykata ka folur dhe po ashtu edhe First Nations”, deklaroi ai.
Kryeministrja e Albertës, Danielle Smith, e cila deklaron se qeveria e saj është pro-Kanadasë, por ka ndërmarrë hapa që favorizojnë separatistët, tha se do ta ankimojë vendimin. “Ky është vendim i një gjykatësi të vetëm”, deklaroi Smith, duke shtuar “ne besojmë se ky vendim është i gabuar juridikisht dhe antidemokratik, ndaj do ta apelojmë.”
Më herët gjatë ditës, Smith kishte mbrojtur peticionet qytetare si një instrument “të rëndësishëm” demokratik.
Ndërkohë, lideri separatist Mitch Sylvestre, i cili udhëhoqi fushatën për mbledhjen e mbi 300 mijë firmave, tha se do t’i kërkojë qeverisë provinciale që çështja e shkëputjes të përfshihet në referendumin e planifikuar për muajin tetor.
Edhe pse qeveria provinciale mund të shtojë një pyetje mbi pavarësinë pa kaluar përmes procesit të peticionit, një veprim i tillë pritet të përballet me të njëjtën kundërshtim ligjor nga komunitetet indigjene.
Avokati i separatistëve, Jeffery Rath, e kritikoi vendimin, duke thënë se ai përmban “gabime të shumta juridike” dhe “shkelje të parimeve të drejtësisë natyrore”.
Si Rath ashtu edhe qeveria provinciale argumentuan se nuk ekzistonte detyrimi për konsultim me First Nations.
“Ligji kërkon konsultim në rastet e ndryshimeve kushtetuese që përfshijnë transferimin e kompetencave federale tek provincat dhe që prekin First Nations”, tha Rath, duke shtuar “nga këndvështrimi ynë, nuk është shkelur asnjë rregull.”
Lini një Përgjigje