TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Maj 2026, 08:44

Irani, si kartë negociuese/ Pse Xi nuk kërkon kompromis me Trumpin dhe epërsia strategjike

Shkruar nga Pamfleti
Irani, si kartë negociuese/ Pse Xi nuk kërkon kompromis me Trumpin dhe
Presidenti i Kinës, Xi Jimping

Lufta në Iran, Tajvani dhe rivaliteti global po i japin Pekinit më shumë vetëbesim përballë Uashingtonit

Kur Xi Jinping u takua me Donald Trumpin vitin e kaluar, lideri kinez hyri në negociata me një avantazh të rëndësishëm: kontrollin e Kinës mbi mineralet kritike dhe zinxhirët globalë të furnizimit. Ky presion ndihmoi që Trump të pranonte një armëpushim tregtar njëvjeçar mes dy ekonomive më të mëdha në botë.

Sot, në prag të samitit të ri në Pekin, Xi ka në dorë një tjetër element strategjik shumë më të madh, luftën në Iran dhe pasojat që ajo po prodhon për Shtetet e Bashkuara. Ndërsa Uashingtoni është përfshirë ushtarakisht dhe politikisht në krizën e Lindjes së Mesme, Pekini po përpiqet të paraqitet si faktor stabiliteti dhe ndërmjetësues diplomatik. Xi Jinping ka bërë thirrje publike për paqe dhe ka pritur në Pekin delegacione nga vendet e Gjirit Persik dhe Europa, të cilat kërkojnë ndikimin e Kinës për të ndikuar mbi Teheranin.

Pak para mbërritjes së Trumpit në Pekin, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi zhvilloi vizitë në kryeqytetin kinez, një sinjal i qartë se Pekini ruan lidhje të forta dhe ndikim të rëndësishëm mbi Iranin.

“Çështja iraniane në fakt e ndihmon Kinën”, deklaroi Li Daokui, ekonomist i njohur në Universitetin Tsinghua në Pekin. Sipas tij, Pekini zotëron leva të rëndësishme ekonomike ndaj Iranit dhe mund t’i përdorë ato për objektiva strategjike shumë më të mëdha, sidomos në raport me Tajvanin dhe rivalitetin me SHBA-në.

Kina sheh një Amerikë të shpërqendruar

Për udhëheqjen kineze, konflikti në Iran ka nxjerrë në pah kufizimet strategjike të Shteteve të Bashkuara. Lufta ka detyruar Uashingtonin të zhvendosë burime ushtarake larg Indo-Paqësorit dhe të konsumojë rezerva të konsiderueshme municionesh dhe pajisjesh. Në qarqet akademike dhe strategjike kineze po forcohet bindja se SHBA nuk mund të përballojë njëkohësisht konflikte të mëdha në Lindjen e Mesme dhe në Azi.

“Konflikti me Iranin tregon qartë se SHBA nuk mund të mbështesë një luftë të madhe me Kinën për Tajvanin”, tha Wu Xinbo, profesor i studimeve amerikane në Universitetin Fudan në Shangai. Kjo perceptohet në Pekin si një mundësi historike për të shtuar presionin ndaj Tajvanit dhe për të testuar vendosmërinë amerikane në rajon.

Irani si kartë negociuese

Megjithatë, Kina nuk dëshiron destabilizim të plotë në Lindjen e Mesme. Ekonomia kineze varet shumë nga importet energjetike dhe çdo rritje e fortë e çmimit të naftës prek drejtpërdrejt rritjen ekonomike të vendit.

Një recesion global do të godiste eksportet kineze, të cilat mbeten një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit. Për këtë arsye, Pekini po përpiqet të ruajë balancën: të mbështesë Iranin politikisht, por pa u përfshirë drejtpërdrejt në konflikt.

Kina ka inkurajuar zyrtarët iranianë të vazhdojnë negociatat me SHBA-në, por nuk dëshiron të identifikohet si pjesë e një boshti ushtarak kundër Perëndimit. Një nga çështjet më kritike për Pekinin është Ngushtica e Hormuzit, rruga detare përmes së cilës kalon rreth 40 për qind e importeve kineze të naftës.

Sipas Li Daokui, Kina mund të negociojë me SHBA-në për të garantuar mbajtjen e hapur të kësaj rruge strategjike. “Pala kineze mund të arrijë një marrëveshje me SHBA duke thënë: ‘Le të punojmë së bashku për ta bindur Iranin të mbajë të hapur ngushticën’”, tha ai.

Në këmbim, Pekini do të kërkonte garanci se SHBA nuk do të ndërmerrte bllokadë detare ose masa që do të rrezikonin furnizimet kineze me energji.

Analistët besojnë se Kina mund t’i ofrojë Iranit kredi, investime dhe ndihmë për rindërtimin pas luftës për ta orientuar drejt një kompromisi me Perëndimin. Megjithatë, Pekini nuk ka gjasa të ushtrojë presion serioz që Teherani të heqë dorë nga programi i tij bërthamor.

Tajvani mbetet prioriteti kryesor i Xi Jinpingut

Megjithëse lufta në Iran ka rëndësi strategjike, objektivi kryesor i Xi Jinpingut mbetet Tajvani.

Presidenti kinez kërkon të dobësojë gradualisht mbështetjen amerikane për ishullin vetëqeverisës që Pekini e konsideron territor të Kinës. Kjo mund të përfshijë:

shtyrjen ose reduktimin e shitjeve amerikane të armëve;

deklarata më të kujdesshme të SHBA-së për pavarësinë e Tajvanit;

ose kufizim të bashkëpunimit ushtarak mes Uashingtonit dhe Taipeit.

Administrata Trump tashmë ka shtyrë shpalljen e një pakete armësh prej 13 miliardë dollarësh për Tajvanin, me qëllim shmangien e tensioneve me Pekinin.

Trump deklaroi këtë javë se planifikon të diskutojë me Kinën pikërisht çështjen e shitjes së armëve Tajvanit, një deklaratë që ka ngritur shqetësime në qarqet amerikane të sigurisë.

Nëse SHBA do të konsultohej me Pekinin përpara shitjeve të armëve Tajvanit, kjo do të përbënte një devijim të madh nga politika tradicionale amerikane.

Kjo lidhet me të ashtuquajturat “Gjashtë Garancitë”, zotime të administratës Reagan ndaj Tajvanit në vitin 1982. Një prej tyre interpretohet si angazhim që SHBA nuk do të konsultohej me Kinën për shitjet e armëve Tajvanit.

Për Xi Jinpingun, çdo lëshim amerikan në këtë drejtim do të përfaqësonte një fitore të rëndësishme strategjike dhe simbolike.

Pekini kërkon status të barabartë me SHBA-në

Përtej çështjeve konkrete, Kina synon të ndryshojë vetë bazën e marrëdhënieve me Amerikën.

Xi Jinping kërkon që Kina të trajtohet si superfuqi e barabartë me SHBA-në dhe që ai vetë të shihet si lider global në të njëjtin nivel me presidentin amerikan. Kjo ka qenë një nga ambiciet qendrore të Xi që prej ardhjes në pushtet në vitin 2012.

“Nëse presidenti amerikan është lideri i botës së lirë dhe Xi Jinping konsiderohet i barabartë me të, atëherë kjo nënkupton se edhe Xi duhet parë si lider botëror”, tha Yun Sun, drejtuese e programit për Kinën në Stimson Center në Uashington.

Në editorialet e fundit, media shtetërore kineze Xinhua ka argumentuar se SHBA nuk mund të kërkojë bashkëpunim nga Kina për çështje që i interesojnë Uashingtonit, si lufta kundër fentanylit apo stabiliteti në Lindjen e Mesme, ndërsa në të njëjtën kohë vendos sanksione ndaj kompanive kineze dhe kufizon aksesin e tyre në teknologji.

Kina po fiton kohë për t’u forcuar

Sipas analistëve perëndimorë, objektivi afatgjatë i Pekinit është të fitojë kohë. Kina kërkon stabilitet ekonomik dhe shmangie të përshkallëzimit të konfliktit tregtar me SHBA-në, në mënyrë që të vazhdojë forcimin e saj teknologjik, industrial dhe ushtarak.

“Ata thjesht duan kohë dhe hapësirë për t’u përgatitur për konkurrencën e ardhshme”, tha Amanda Hsiao nga Eurasia Group. Pas viteve të kontrolleve amerikane mbi eksportet teknologjike, kompanitë kineze po zhvillojnë alternativa vendase për prodhimin e çipave dhe inteligjencës artificiale.

Firma kineze si DeepSeek po krijojnë sisteme të inteligjencës artificiale që synojnë të anashkalojnë kufizimet amerikane. Pekini ka treguar gjithashtu se është i gatshëm të kundërpërgjigjet ekonomikisht. Kur SHBA vendosi sanksione ndaj një rafinerie kineze për blerjen e naftës iraniane, autoritetet kineze urdhëruan kompanitë vendase të mos i respektonin ato masa.

Megjithatë, Kina po përpiqet të ruajë edhe një klimë minimale bashkëpunimi me SHBA-në. Për të shmangur tensione të reja, Pekini mund të angazhohet për blerje avionësh Boeing, soje amerikane dhe produkte bujqësore nga SHBA.

“Për kinezët, ky është një çmim i pranueshëm për stabilitetin”, tha Amanda Hsiao. /Përshtatur nga New York Times/

 

xi shba kina irani

Lini një Përgjigje