Kompanitë po përballen me një rritje të fortë të kostove të energjisë, zinxhirë furnizimi të ndërprerë dhe rrugë tregtare të dëmtuara, veçanërisht për shkak të tensioneve në Ngushticën e Hormuzit, një nyje strategjike globale.
Konflikti midis Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit ka shkaktuar tashmë një ndikim ekonomik global të vlerësuar në të paktën 25 miliardë dollarë për bizneset, dhe fatura vazhdon të rritet, sipas një analize të agjencisë Reuters.
Shqyrtimi i komunikimeve zyrtare të kompanive të listuara në bursë në SHBA, Evropë dhe Azi paraqet një tablo shqetësuese. Ato po përballen me rritje të ndjeshme të kostove të energjisë, ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit dhe pengesa në rrugët tregtare, sidomos për shkak të tensioneve në Ngushticën e Hormuzit, një pikë kyçe për trafikun energjetik botëror.
Masat mbrojtëse
Të paktën 279 kompani, e kanë identifikuar tashmë konfliktin si shkak për marrjen e masave mbrojtëse për të kufizuar ndikimin financiar. Këto masa përfshijnë rritje çmimesh, ulje të prodhimit, pezullim të dividendëve dhe riblerjes së aksioneve, dërgim të punonjësve në skema pezullimi të përkohshëm nga puna, tarifa shtesë për karburantin dhe kërkesa për ndihmë qeveritare.
Kjo përbën një tronditje tjetër globale për bizneset, pas pandemisë së Covid-19 dhe luftës në Ukrainë, që po ndikon në uljen e pritshmërive për rritjen ekonomike gjatë pjesës së mbetur të vitit, në një klimë ku nuk shihet një zgjidhje e shpejtë e konfliktit.
Tkurrja industriale
“Ky nivel tkurrjeje industriale është i ngjashëm me atë të vërejtur gjatë krizës financiare globale dhe madje më i rëndë se në periudha të tjera recesioni”- tha CEO i Whirlpool, Marc Bitzer, pasi kompania uli parashikimet vjetore dhe pezulloi dividendin.
Sipas analistëve, ngadalësimi i rritjes ekonomike do të reduktojë aftësinë e kompanive për të rritur çmimet dhe do ta bëjë më të vështirë përballimin e kostove fikse, duke ushtruar presion mbi marzhet e fitimit që nga tremujori i dytë. Po ashtu, rritja e çmimeve rrezikon të ushqejë inflacionin dhe të dobësojë besimin e konsumatorëve.
Blerjet e shtyra
“Konsumatorët po i shtyjnë blerjet dhe po preferojnë të riparojnë produktet në vend që t’i zëvendësojnë”- shtoi më tej Bitzer. Ndër reagimet kryesore të kompanive janë ulja e kostove, rritja e çmimeve dhe rishikimi në ulje i parashikimeve financiare. Ndikimi është shumë i përhapur. Për shembull kompani si Procter & Gamble, prodhuesi malajzian i prezervativëve Karex dhe Toyota, kanë raportuar pasoja gjithnjë e më të mëdha teksa konflikti vazhdon.
Lëndët e para
Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit nga Irani, një nga pikat më kritike të furnizimit energjetik në botë, ka çuar çmimin e naftës mbi 100 dollarë për fuçi, më shumë se 50 për qind mbi nivelet para luftës.
Kjo i ka rritur kostot e transportit, e ka ulur disponueshmërinë e lëndëve të para dhe ka ndërprerë rrugë tregtare thelbësore. Nën presion janë vënë edhe furnizimet me plehra kimikë, helium, alumin, polietilen dhe materiale të tjera kyçe.
Rreth një e pesta e kompanive të analizuara që operojnë në sektorë nga kozmetika te gomat, kroçerat dhe linjat ajrore kanë deklaruar tashmë një ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik nga konflikti.
Shumica ndodhen në Evropë dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa gati një e treta në Azi, rajone shumë të varura nga nafta e Lindjes së Mesme.
Krahasimi me tarifat doganore
Për të kuptuar përmasën e problemit, tarifat e vendosura në SHBA gjatë vitit 2025 kishin gjeneruar kosto rreth 35 miliardë dollarë për bizneset globale, sipas të dhënave krahasuese.
Sektori më i goditur është ai i linjave ajrore, me rreth 15 miliardë dollarë kosto shtesë të lidhura me karburantin, çmimi i të cilit pothuajse është dyfishuar. Edhe kompani si McDonald’s, Toyota dhe Procter & Gamble kanë rishikuar parashikimet e tyre.
Kosto shtesë
Disa kompani raportojnë se çdo rritje prej 5 dollarësh në çmimin e naftës sjell miliona dollarë kosto shtesë, ndërsa grupe të tjera industriale, si prodhuesi i gomave Continental, parashikojnë pasoja të ndjeshme në tremujorët e ardhshëm.
Edhe pse çmimet janë rritur, shumë kompani ende nuk i kanë reflektuar plotësisht këto efekte në rezultatet financiare. Marzhet e fitimit në tremujorin e parë mbeten relativisht solide, edhe pse analistët presin një përkeqësim në gjysmën e dytë të vitit.
Sipas ekspertëve, ndikimi i vërtetë mbi fitimet ende nuk është shfaqur plotësisht në bilancet e kompanive, ndërsa pasiguria gjeopolitike vazhdon të rëndojë mbi perspektivën globale./Përshtati "Pamfleti", nga “Corriere della Sera”
Lini një Përgjigje