Beteja e kutive të votimit në zgjedhjet gjermane ka nxjerrë si fitues Friedrich Merz. Megjithatë, duket se ndërhyrja e zyrtarëve të administratës Trump në fushatën zgjedhore gjermane i largoi disa votues të majtë, ndërsa u mirëprit nga të tjerë që mbështetën Alternativën për Gjermaninë ose AfD të ekstremit të djathtë, sipas 'The New York Times'.
Shumë votues në qytetin lindor të Dresdenit duket se e kanë marrë seriozisht fjalimin e Zëvendës Presidentit J.D. Vance në Konferencën e Sigurisë në Mynih në mesin e muajit, kur ai pak a shumë u kërkoi udhëheqësve evropianë të ndalonin shmangien e partive të konsideruara "ekstremiste".
Chris Buschman, i cili e identifikoi veten si një i majtë, por nuk pranoi të thoshte se si votoi, tha se fjalimi i Vance "e shqetësonte". Buschmann, 27 vjeç, tha se është i shqetësuar për rritjen e populizmit të krahut të djathtë si në Gjermani ashtu edhe në pjesën tjetër të botës. Ai është i shqetësuar, tha ai, për "historinë që përsëritet", duke iu referuar të kaluarës naziste të Gjermanisë.
“Ndërhyrje shumë të këqija në politikën tonë”
Tim Adams, një inxhinier që ndau fletën e votimit mes Partisë së Gjelbër dhe Die Linke, partisë së majtë gjermane, kritikoi përpjekjet e këshilltarit miliarder të Trump, Elon Musk për të ndikuar në zgjedhjet gjermane. Musk ka mbështetur hapur AfD-në, duke lavdëruar bashkëkryetaren e partisë, Alice Weidel. Në fakt, muajin e kaluar, ai foli në një tubim të AfD-së, duke i thënë audiencës se Gjermania "përqendrohet shumë në fajin e së kaluarës". Këto ndërhyrje ishin "shumë të këqija për politikën tonë", tha Adams.
"Ata do të dinë më shumë se unë"
Nga ana tjetër, disa qytetarë gjermanë shprehën mbështetjen e tyre për presidentin Trump dhe administratën e tij. Ashtu si Andreas Mühlbach dhe Anja Sammer që deklaruan se votuan për AfD-në dhe "mirëpritën" presidentin e ri amerikan.
Në Aschaffenburg, Peter Kraus, një piktor në pension, tha se ai votoi për AfD "me shumë kënaqësi" dhe me rekomandimin e Vance dhe Musk.
“Nëse nënpresidenti amerikan dhe Elon Musk thonë kështu, atëherë po, ata ndikojnë në mendimin tim dhe sigurisht që nuk jam aq i arsimuar sa ata të dy”, ishte përfundimi Kraus.
Lini një Përgjigje